Ekzaminimi i rregullt te mjeku familjar/pediater me qëllim parandalues, para fillimit të shkollës

Gjatë kësaj periudhe, fëmija juaj fiton njohuri dhe aftësi të reja. Përmes lojës dhe ndërveprimit me fëmijë dhe të rritur të tjerë, ai/ajo pasuron komunikimin dhe socializohet, mëson për numrat, shkronjat dhe fjalët. Zhvillimi social është intensiv - fëmija krijon miq të rinj dhe krijon marrëdhënie të reja me mjedisin. Ai/ajo dëshiron të kujdeset për gjërat e veta dhe kafshët shtëpiake në mënyrë të pavarur, praktikon përgjegjësinë dhe pavarësinë, ndërton vetëbesimin dhe vetësigurinë.
Body

Përgatitja për vizitën te mjeku familjar/pediatri

  • Flisni me fëmijën tuaj për vizitën e ardhshme tek mjeku familjar/pediatri dhe tregojini atij/asaj pse është e rëndësishme të përgatitet siç duhet për shkollën dhe pse është e rëndësishme të bëjë kontrollë shëndetësore.
  • Merrni me vete ndonjë libër ose objekt që fëmija juaj e pëlqen, për ta mbajtur të angazhuar gjatë pritjes.
  • Kontrolloni nëse keni ndonjë të dhënë mjekësore të fëmijës tuaj që duhet t'i tregohet mjekut.

Përmbajtja e vizitës parandaluese

Monitorimi i rritjes

Fëmija do të matet i veshur vetëm me të brendshmet e tij/saj, dhe të dhënat e gjatësisë dhe peshës trupore do të regjistrohen në diagramët (grafikët) e rritjes. Në këtë moshë, indeksi i masës trupore tashmë mund të llogaritet dhe mund të vlerësohet raporti i masës trupore (pesha) me gjatësinë e trupit, i cili gjithashtu mund të regjistrohet në grafikun e rritjes.  

Intervista prezantuese

  • Mjeku do të kontrollojë rritjen e fëmijës suaj dhe do të vlerësojë nëse ai/ajo po rritet në përputhje me kurbën e rritjes.
  • Sigurisht që mjeku do të interesohet për: ushqyerjen e fëmijës, aktivitetin fizik, interesat, sjelljen.
  • Është e rëndësishme të diskutohen rreziqet e mundshme për shëndetin e fëmijës, pasi kjo është gjithashtu një mundësi për të marrë rekomandime të dobishme në rast se nevojiten disa ndryshime në sjelljen e fëmijës tuaj.

Ekzaminimi pediatrik dhe vlerësimi i zhvillimit

  • Mjeku do të kryejë një ekzaminim të rregullt të fëmijës tuaj në renditjen e zakonshme: lëkurën, kokën, hundën, gojën, qafën, nyjat në qafë; më pas ai/ajo do të dëgjojë zemrën dhe mushkëritë, do të kontrollojë stomakun përmes prekjes me dorë, do të kontrollojë gjendjen e gjenitaleve, dhe do të kontrollojë qëndrimin në këmbë. Ai/ajo do të masë nivelin e presionit të gjakut dhe do të kryejë një elektrokardiogram.
  • Gjatë ekzaminimit, ju mund të bëni vëzhgime, të bëni pyetje dhe të kërkoni këshilla.   

Ekzaminimet shtesë

  • Në këtë kohë, është e nevojshme të kryhet një ekzaminim më i hollësishëm i gjendjes së shqisave: shikimi, dëgjimi, zhvillimi i të folurit, kontrollimi i gjendjes së dhëmbëve dhe mbrojtja e planifikuar, kontrollimi i qëndrimit në këmbë. Prandaj, mjeku do ta referojë fëmijën tek një specialist i veshit, hundës dhe fytit, tek një mjek i syve, një logoped, një dentist dhe një fizioterapeut.
  • Ai/ajo do të urdhërojë një analizë të plotë të gjakut dhe të urinës.
  • Nëse i keni marrë tashmë këto referime në vizitën e mëparshme, sillni në ekzaminim raportet e marra nga specialisti dhe rezultatet laboratorike.

Vaksinimi

Në këtë moshë, fëmija juaj merr dozën e radhës së vaksinës kundër difterisë dhe tetanozit (DT), vaksinën orale kundër poliomielitit (OPV) si dhe dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubellës (MMR).

Mendimi përfundimtar

Mendimi përfundimtar dhe certifikata shëndetësore për regjistrim në klasën e parë të shkollës fillore do të lëshohen nga mjeku familjar/pediatri në bazë të të gjitha të dhënave të grumbulluara si pjesë e përgatitjes: historia mjekësore, ekzaminimi klinik, raportet e specialistëve, gjetjet laboratorike dhe vaksinimi.  

Në rast se vërehet ndonjë devijim nga gjetjet e zakonshme gjatë një vlerësimi më të hollësishëm, ai/ajo do të vazhdojë të monitorojë dhe të kontrollojë përparimin e fëmijës derisa ai/ajo të transferohet te mjeku i shkollës. 

Fëmija juaj është në prag të të bërit një hap të madh në jetë. Mundohuni ta kuptoni atë, respektoni ndjenjat e tij/saj dhe përpiquni të mos ia kaloni frikën tuaj, por përkundrazi t'i ofroni inkurajim dhe mbështetje. Nëse keni ndonjë dyshim, shfrytëzoni këtë mundësi për të shkëmbyer mendime me profesionistë të kujdesit shëndetësor.