Flisni foshnjës tuaj!

Kur një fëmijë i dëgjon fjalët dhe ka mundësinë të dëgjojë emrat e fenomeneve, përvojave ose aktiviteteve, ai/ajo mëson kuptimet e fjalëve dhe mënyrat e të shprehurit të mendimeve ose ndjenjave të tij/saj. Ne e quajmë këtë proces “ushqimi i gjuhës” dhe shkenca ofron dëshmi të qartë se ky lloj i “të ushqyerit” është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e trurit, si dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve.
Body

Rekomandohet që nga dita e parë e jetës së foshnjës, prindërit t’iu flasin, lexojnë tregime, këndojnë,  emërtojnë çdo gjë që bëjnë vetë si dhe gjërat që bën, sheh ose përjeton fëmija. Sa më shumë që prindërit t’i përsërisin fjalët dhe t’i lidhin me veprimet, gjërat në mjedis dhe përvojat e foshnjës, aq më e madhe do të jetë aftësia e foshnjës për të mësuar. Nëse foshnja rritet në mjedis ku fjalët dhe të folurit janë të pakta, ndodh e kundërta - regjistrimet në tru zbehen dhe aftësia për të mësuar dobësohet.

Ja çfarë mund të bëni për t’i siguruar “ushqyerjen gjuhësore” foshnjës tuaj:

  • mbani mend se të folurit është komunikim i dyanshëm - kushtojini vëmendje se sa shpesh e nxisni foshnjën të flasë me ju, flisni me foshnjën sa më shpesh që të jetë e mundur; përcillni veprimet që bën dhe emërtojini ato; përgjigjuni kur ju drejtohet ose tregon interes për diçka.
  • sa herë që jeni në kontakt me foshnjën, kur e përkundni, përkëdhelni, i ndërroni pelenat, e lani dhe luani me të - përpiquni të përdorni një ton të ngrohtë zëri. Respektoni ritmin e foshnjës: flisni ngadalë dhe jepini kohë foshnjës të përgjigjet. Shikoje foshnjën në sy dhe përpiquni të mbani kontaktin me sy. Tërhiqeni vëmendjen e fëmijës duke ndryshuar tonin ose ritmin e të folurit.
  • gjatë bisedës përcillni reagimet e foshnjës: kur vini re se foshnja nuk është përfshirë aktivisht, ndryshoni llojin e komunikimit. Kur foshnja shikon larg, jini të durueshëm dhe jepini kohë për të bërë një pushim, në mënyrë që “t’i ribashkohet” më vonë bisedës. Kur ju shikon përsëri, përshëndete me fytyrë të qeshur dhe me fjalë miratimi. Kur vëreni se foshnja nuk kënaqet më me bashkëbisedim ose ka pasur mjaft biseda - jepini kohë për të pushuar më gjatë dhe mundësi për ta ndryshuar aktivitetin.

Kur flisni me foshnjën, fike televizorin, celularin dhe pajisjet e ngjashme. Shkencërisht sugjerohet se nuk stimulohet mjaftueshëm të folurit kur foshnja vetëm dëgjon.

Mbani parasysh se foshnja është më e gatshme për eksplorim dhe aktivitet kur ka mbështetjen dhe vëmendjen tuaj të pandashme. Prandaj, le të jenë bisedat tuaja faktorët që forcojnë lidhjen mes jush.