Fruthi (morbilli)
Me qëllim të parandalimit të fruthit, që nga viti 1971 në vendin tonë është realizuar vazhdimisht vaksinimi kundër kësaj sëmundjeje. Kështu, u arrit një periudhë gati 20-vjeçare pa fruth deri në vitin 2017, kur virusi u rifut në vend dhe shkaktoi një epidemi për shkak të rënies së numri i fëmijëve të vaksinuar. Mbulimi me vaksinim i fëmijëve është përmirësuar, por jo mjaftueshëm, sepse ende kemi të raportuara raste të fruthit.
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
Fëmija infektohet 7 deri në 15 ditë përpara se të shfaqen simptomat e para të sëmundjes. Sëmundja fillon me: ethe, kollë, rrjedhje të hundëve, sy të përlotur të kuq, e ndjekur nga shfaqja e skuqjes me njolla të kuqërremta, në 2 deri në 3 ditë. Shenjë karakteristike e kësaj sëmundjeje janë njollat e bardha në të kaltër të Koplikut në brendësi të faqeve, të cilat mund të shihen para shfaqjes së skuqjes. Skuqja fillon në vijën e flokëve dhe më pas përhapet në fytyrë, në pjesën e sipërme të qafës deri në gjoks, mbi gjymtyrë, në duar dhe këmbë. Skuqja zbehet dhe zhduket në të njëjtin rend sikurse është shfaqur dhe zgjat maksimumi 5 deri në 6 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë humbja e oreksit, diarreja dhe ënjtja e përgjithshme e nyejve limfatike.
Personi i infektuar është infektues rreth 4 ditë para dhe pas shfaqjes së skuqjes.
Komplikimet
Komplikimet ndodhin në 30% të fëmijëve të infektuar, si: diarre me dehidrim, infeksione të veshit, pneumoni, encefalit, dëmtim të përhershëm nervor (më shpesh verbëri). Për shkak të këtyre komplikimeve, në vendet e zhvilluara vdesin 0.2% e fëmijëve të prekur. Ndërsa në vendet e pazhvilluara kjo shkallë është dukshëm më e lartë, kequshqyera dhe mungesën e vitaminës A janë faktorë kontribuues të rritjes së përqindjes, e cila arrin deri në 25%.
Medikamentet
Nuk ka medikament (ilaç) specifik kundër fruthit; në praktikë, medikamentet përdoren për të lehtësuar shqetësimin. Paracetamol jepet për uljen e temperaturën dhe lehtësimin e dhimbjeve të kokës. Fëmijës i ofrohen më shumë lëngje se zakonisht dhe i lejohet të pushojë në një dhomë paksa të errësuar. Sigurohet konsum i mjaftueshëm i vitaminës A.
Parandalimi
Imunizimi aktiv kundër fruthit kryhet me një vaksinë të kombinuar që përmban vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (fruthi gjerman) në moshën 12 deri në 15 muaj dhe doza e dytë, rivaksinimi, u jepet fëmijëve para fillimit të shkollës, në moshën 6/7 vjeç. Kur fëmijët vaksinohen rregullisht, mbrojnë edhe fëmijët e tjerë që nuk mund të vaksinohen, sepse parandalojnë përhapjen e virusit. Vaksina nuk duhet t'u jepet personave me mungesë imuniteti (reagim të dobët imun), njerëzve që kanë ndonjë reaksion alergjik më të fortë ndaj ndonjërit prej përbërësve të vaksinës dhe grave shtatzëna.
Fëmijët që nuk mund ta marrin këtë vaksinë dhe bien në kontakt me virusin e fruthit, mund të marrin imunoglobulinë gjatë gjashtë ditëve të para të infektimit për të parandaluar sëmundjen ose për të lehtësuar rrjedhën e saj.
Personat që shërohen nga fruthi fitojnë imunitet afatgjatë.