Çfarë shkakton autizmin dhe çrregullimet e spektrit të autizmit?
Deri kohët e fundit, këto çrregullime mendohej se shkaktoheshin nga faktorë gjenetikë, por studimet e fundit tregojnë se faktorët mjedisorë janë po aq të rëndësishëm. Nuk ka gjasa se ekziston një gjen specifik që është përgjegjës për zhvillimin e këtij çrregullimi. Ka më shumë gjasa që disa gjene kombinohen dhe veprojnë së bashku. Megjithëse shumë e lidhin autizmin me çrregullimet gastrointestinale, studimet nuk kanë gjetur prova për një rritje të incidencës së çrregullimeve gastrointestinale tek fëmijët me autizëm.
Dallimet në strukturën e indeve të trurit janë vërejtur në një numër të caktuar të fëmijëve që nga mosha e hershme. U zbulua se madhësia e trurit u rrit ndjeshëm më shumë gjatë viteve të para të jetës tek fëmijët me autizëm krahasuar me fëmijët e zhvillimit tipik. Pra, pjesë të ndryshme të trurit nuk komunikonin në mënyrë tipike/zakonshme. Sidoqoftë, te fëmijët me autizëm në moshën 10-15 vjeç madhësia mesatare e trurit është e ngjashme me madhësinë e trurit të fëmijëve pa çrregullime në zhvillim, ndërsa më vonë në moshën madhore vihet re tendenca e uljes së vëllimit të masës gri dhe të bardhë tek personat me autizëm.
Një numër i konsiderueshëm i provave të studimeve të ndryshme theksojnë rëndësin e rolit të çrregullimit imunitar të nënës në zhvillimin e autizmit, edhe pas lindjes.
Faktorët mjedisorë që mund të lidhen me autizëm përfshijnë: ekspozimin ndaj pesticideve mjedisore, viruseve (linë e dhenve, rubeolës), acidit retinoik, përdorimit të disa ilaçeve gjatë shtatzënësisë, përdorimit të alkoolit gjatë shtatzënësisë, mosha e prindërve, ndërlikimeve në lindjen e fëmijës të shoqëruara me trauma ose ishemi dhe mungesa e oksigjenit.
Nuk ka asnjë lidhje të dëshmuar midis vaksinave dhe zhvillimit të autizmit.