Qumështi formulë për foshnja

Formulat e foshnjave (qumështi formulë) janë e vetmja zgjedhje e sigurt për fëmijët që nuk marrin gji. Përdorimi i formulës së përshtatshme foshnjore rekomandohet gjatë 12 muajve të parë; ju mund të filloni t'i jepni qumësht lope fëmijës suaj kur ai/ajo është një vjeç.
Body

Jo të gjithë fëmijët kanë privilegjin të pijnë qumësht gjiri! Ka shumë pak gra që kanë kontraindikacion në ushqyerjen me gji ose që thjesht nuk mund të prodhojnë qumësht gjiri (më pak se 5%). Më shpesh mund të ndodhë që ju detyroheni të ndërpresni përkohësisht ose përgjithmonë ushqyerjen me gji dhe t'i jepni formulë foshnjës suaj për shkak të ndonjë sëmundjeje, pranimit në spital ose urgjencave të tjera.

Nëse formula është zgjedhja juaj personale, do të donim t'ju kujtonim edhe një herë se qumështi i gjirit siguron rritjen dhe zhvillimin optimal të fëmijëve dhe është themeli i shëndetit të mirë për jetën! Qumështi i gjirit është gjithmonë në dispozicion, higjienikisht i sigurt, në temperaturë të përshtatshme, pa asnjë kosto. Në gjashtë muajt e parë të jetës, është i vetmi ushqim dhe lëng që i nevojitet një fëmije.

Pse një foshnjë ka nevojë për formulë dhe jo për qumështin e lopës?

Shumica e formulave të foshnjave janë të përgatitura nga qumështi i lopës, i cili është modifikuar për t'iu përshtatur nevojave të foshnjës; sasia dhe cilësia e përbërësve bazë, të tilla si proteinat, yndyrnat dhe karbohidratet, rregullohen sa më shumë që të jetë e mundur me përbërjen e qumështit të gjirit; vitamina, minerale, disa yndyrna dhe përbërës të tjerë të shumtë shtohen, në mënyrë që formula e qumështit të plotësojë nevojat e foshnjave.

Disa formula përmbajnë edhe shtesa të tjera, si acidet yndyrore omega-3, antioksiduesit, prebiotikët dhe probiotikët, me qëllim të përafrimit të përbërjes së qumështit të njeriut sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk është e sigurt se këta përbërës do të kenë të njëjtin efekt si ata të gjirit.

Nëse foshnja juaj nuk ushqehet me qumështin tuaj, ushqejeni atë me qumësht formulë gjatë vitit të parë të jetës. Deri në moshën 12 muajsh, mos i jepni fëmijës qumështin e lopës si ushqim kryesor (një sasi e vogël mund të shtohet kur përgatitni vakte të tjera ushqimi të ngurtë). I njëjti rekomandim zbatohet edhe për qumështin e deleve ose të dhisë.

Qumështi pluhur, qumështi i skremuar ose qumështi i ëmbël i kondensuar nuk janë ushqime të rekomanduara për foshnjat! Mos e ushqeni foshnjën me qumësht zëvendësues si: soja, orizi, bajameve ose qumështi i arrës së kokosit.

Nëse po mendoni ta ushqeni foshnjën tuaj me pak qumësht tjetër, në vend të qumështit formulë apo qumështin e gjirit, konsultohuni me një pediatër!

Llojet e formulave

Qumështi formulë për foshnja duhet të përmbush standardet e rrepta ndërkombëtare dhe kombëtare të cilësisë. Ato kanë cilësi të ngjashme dhe vlera ushqyese dhe janë të përshtatshme për shumicën e fëmijëve. Disa marka mund të jenë më të shtrenjta se të tjerat, por kjo nuk do të thotë se foshnja juaj ka nevojë për to. Nëse një i sapolindur ushqehet me një formulë specifike në maternitet, kjo nuk do të thotë automatikisht se kjo formulë është më e mira.

Formulat e para (1) rekomandohen për të ushqyer një fëmijë deri në 6 muaj. Në gjysmën e dytë të vitit të parë, prodhuesit rekomandojnë qumështin formulë 2, e cila mbështet rritjen e mëtejshme të fëmijëve. Edhe pse ka dallime në përbërje midis qumështit formulë  1 dhe 2, ashtu si qumështi i gjirit që ndryshon ndërsa foshnja rritet, kalimi në "dy" nuk është i nevojshëm sapo foshnja të jetë 6 muajshe, veçanërisht derisa të harxhoni sasinë komplete të formulës që keni.

Prodhuesit e qumështit formulë gjithashtu ofrojnë formula për fëmijët mbi 12 muaj (të njohur si formulat e ndjekjes ose formulat 3).  Një fëmijë më i madh se një vit nuk ka nevojë për formulë.

Formula të specializuara

  • Në vend të proteinave të qumështit të lopës, formulat hipoallergjenike kanë proteina të hidrolizuara - të shpërbëra në pjesë më të vogla; qëllimi është të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të alergjisë ndaj qumështit të lopës me këtë modifikim. Opinionet e ekspertëve mbi këto formula janë të ndara. Ndërsa disa besojnë se nuk ka prova se ushqyerja me formulë HA ka efekt parandalues në paraqitjen e alergjive tek fëmijët, të tjerë rekomandojnë se aty ku formula është e nevojshme, e para që duhet t'i jepet fëmijës duhet të jetë hipoallergjenike.
  • Fëmijët me alergji të dëshmuar ndaj proteinave të qumështit të lopës ushqehen me një formulë krejtësisht të hidrolizuar, me rekomandimin dhe nën mbikëqyrjen e një specialisti në gastroenterologjinë pediatrike.
  • Ka edhe formula të tjera të specializuara për  foshnjat para se të fillojnë me ushqime edhe për ato me sëmundje dhe çrregullime specifike; dieta e këtyre fëmijëve duhet të jetë gjithmonë nën rekomandimin dhe nën mbikëqyrjen e një mjeku.
  • Ka shumë modifikime të tjera të formulave të qumështit, për fëmijët me probleme të ndryshme kalimtare, funksionale të tilla si të vjella, kolikat ose konstipacioni.

Lloji i formulës që duhet të pijë fëmija përcaktohet nga një pediatër. Nuk këshillohet të ndryshosh vetë llojin e formulës. Ndryshimi i formulës mund të shkaktojë disa probleme për foshnjën (kolika, konstipacion, flatulencë, të vjella) ose një ndërprerje në rutinën e të ushqyerit të foshnjës për shkak të ndryshimit të shijes së qumështit. Nëse mjeku ndryshon llojin e formulës, lexoj me kujdes udhëzimet, sepse madhësia e lugëve dhe mënyra e përgatitjes së formulave të ndryshme mund të ndryshojnë.