Art në natyrë!

Materialet që ju nevojiten: materiale që gjenden në pyll si degëza, gjethe, koka lulesh të thata, lëvore druri, boçe pishe, guralecë, etj.  

Çfarë mund të bëni së bashku: Shkoni me fëmijën/fëmijët tuaj në kopësht ose në një park lokal në kërkim të gjërave të egra që duken interesante. Degëza të holla, gjethe dhe lule të thata, lëvore nga trungu i pemëve janë të preferuara për artin natyror, por inkurajoni fëmijët që të gjejnë dhe të përdorin edhe gjëra të tjera - për shembull pendë, boçe pishe, guraleca, bimë të thata apo gështenja të egra.

Nxitini fëmijët që të vendosin të gjitha sendet para tyre dhe të mendojnë se çfarë arti duan të bëjnë me to. Ata mund t'i grumbullojnë ose t'i lidhin së bashku për të ndërtuar një skulpturë ose një kolazh shumëngjyrësh. Ndoshta, duan që të marrin gjetjet e tyre në shtëpi për të bërë një foto 3D apo për të dekoruar një kartolinë ditëlindjeje. Ka mundësi të pafundme kur bëhet fjalë për artin natyror – e rëndësishme është të argëtoheni dhe të bëheni krijues! 

Vjeshta është veçanërisht perfekte për të bërë art natyror - inkurajojeni fëmijën tuaj të shohë se sa gjethe të ndryshme me ngjyra mund të gjejnë dhe përdorin në skulpturën e tyre! 

Çfarë po mëson fëmija juaj: Eksplorimi i peizazhit natyror është një mënyrë e shkëlqyer për fëmijët për të përjetuar një gamë të kënaqësive shqisore - dhe ata do të gjejnë një shumëllojshmëri të mrekullueshme të thesareve natyrore për të mbledhur, shqyrtuar dhe eksperimentuar! Ndërsa kërkojnë, ndiejnë dhe mahniten me materialet natyrore, fëmijët do forcojnë aftësitë motorike dhe do të mësojnë për ngjyrat, përbërjet dhe format. Gjithashtu, ky aktivitet nxit imagjinatën dhe aftësitë e tyre krijuese. Çelësi është të kënaqeni me procesin në vend që të fokusoheni në cilësinë e artit që do bëni.