Çfarë do të thotë abuzimi dhe neglizhenca e fëmijës?
Abuzimi më shpesh nënkupton rrahjet e rënda ose abuzimin seksual. Megjithatë, abuzimi emocional dhe neglizhenca e fëmijëve janë më të zakonshme dhe ndikimi i tyre në shëndetin mendor të fëmijëve është po aq i dëmshëm. Abuzimi dhe neglizhimi i fëmijëve mund të jetë një incident i vetëm ose një numër incidentesh që ndodhin me kalimin e kohës. Fëmijët abuzohen kryesisht nga njerëz që kujdesen për ta, të cilët më shpesh janë prindërit e tyre. Nëse prindërit jetojnë të ndarë, abuzuesi i fëmijës mund të jetë partneri aktual i prindit që kujdeset për fëmijën. Abuzues mund të jenë edhe njerëz tjerë që kujdesen për fëmijën: të moshuarit, prindërit birësues, si dhe njerëzit që kanë përgjegjësi profesionale për fëmijën, ata që kanë pushtet (autoritet) ndaj fëmijës ose njerëzit në të cilët fëmija ka besim (për shembull, edukatori, mësuesi, trajneri, etj.) Personat e panjohur që përdorin teknologjinë informatike dhe të komunikimit për të krijuar marrëdhënie me fëmijën, me qëllim të abuzimit me të, mund të jenë gjithashtu abuzues. Edhe fëmijë të tjerë shpesh shfaqen si abuzues.
Nëse jeni të interesuar, shikoni videon: https://www.youtube.com/watch?v=6kcKX2In0B0 |