Çfarë ka në kutinë magjike?

Materialet që ju nevojiten: kuti kartoni, lodra të formave dhe llojeve të ndryshme dhe topa të vegjël etj.  

Çfarë mund të bëni së bashku: Fëmijët fillojnë të kuptojnë rreth moshës dy vjeçare që të rriturit mund t'i ndihmojnë ata! Kur fëmija “kërkon” diçka duke bërë një tingull ose duke treguar me gisht, reagoni. Emërtoni objektin që fëmija po kërkon dhe inkurajoni atë që të komunikojë përsëri. Komunikoni në mënyrë të alternuar - kështu do të keni një “bisedë” me fëmijën tuaj. 

Bëni një vrimë në anën e një kutie shumëngjyrëshe, sigurohuni që vrima të jetë mjaftueshëm e madhe që të fusni dorën brenda saj. Vendosni lodra të ndryshme që fëmija i do në kuti përmes vrimës. Pasi të keni vëmendjen e tij/saj, futni dorën në kuti dhe nxirrni një lodër. Tregoni fëmijës emrin e lodrës dhe inkurajoni atë që të thotë emrin e objektit ose të tregojë se ku është. Bëjini fëmijës pyetje të tilla si: “Ku është arushi?“ dhe “Ku e gjeti mami/babi arushin?“ Pasi t'i bëni këto pyetje, merrni dorën e fëmijës suaj dhe tërhiqni së bashku nga kutia lodrën tjetër. Bëni të njëjtat pyetje dhe përsëriteni aktivitetin derisa fëmija juaj të humbasë interesin. 

Krijoni një lodër të thjeshtë duke prerë një vrimë rrethore në kapakun e një kutie kartoni. Jepini foshnjës disa topa për ti vënë brenda në kuti dhe tregojini atyre se si t'i nxjerrin sërish objektet jashtë. Nëse fëmija zvarritet ose tashmë ka mësuar se si të ecë, inkurajojeni atë që t'ju ndihmojë të mbledhni objektet dhe t'i vendosni përsëri në kuti. 

Gjithashtu, lejoni fëmijën që t'ju “ndihmojë” në aktivitetet tuaja të përditshme. Inkurajoni atë që t'ju “sjellë” një filxhan ose lugë kur përgatisni tavolinën për të ngrënë ose të “gjejë” vetë këpucët dhe xhupin që vesh për të luajtur jashtë. Po kështu, nxitini ata që t'ju sjellin rrobat ose pelenat kur ju duhet që t'i ndërroni.

Çfarë po mëson fëmija juaj: Ndjekja e udhëzimeve është një aftësi e rëndësishme që një fëmijë duhet të mësojë gradualisht. Lojërat dhe aktivitetet e përbashkëta janë një mundësi e mirë për të inkurajuar zhvillimin dhe të mësuarin te fëmijët. Gjithashtu ju lejon që të lidheni me fëmijën në një kuptim emocional, njohës dhe shoqëror. Lojën që sapo ka mësuar, fillimisht fëmija e luan me ju dhe më pas do ta luajë me shokët dhe shoqet e tij/saj.