Djegiet e fëmijëve dhe si të parandalohen ato - situata të veçanta
Kujdesi i veçantë gjatë gatimit:
Kur gatuani, gjithmonë qëndroni pranë sobës/furrës dhe mos e lini kurrë pa mbikëqyrje ushqimin që është duke u gatuar! Dorezat e tenxhereve, të enëve, tiganëve, xhezveve të kafesë duhet të kthehen gjithmonë drejt murit kur janë sipër sobës, për t'i bërë ato të paarritshme për fëmijën. Çfarë tjetër mund të bëni:
- Monitoroni dhe kufizoni përdorimin e sobës, mikrovalës dhe pajisjeve tjera të ngrohjes nga fëmijët më të rritur.
- Sa herë që është e mundur, gatuani ushqim në pllakën e sobës që është më larg.
- Fëmijët e vegjël dhe foshnjat nuk duhet të jenë pranë sobës ose në kuzhinë!
- Asnjëherë mos mbani në të njëjtën kohë edhe fëmijën edhe një enë me lëng ose ushqim të nxehtë!
- Kurrë mos lini pranë fëmijëve ushqim të nxehtë dhe lëngje pa mbikëqyrje.
- Asnjëherë mos vendosni ushqim të nxehtë në një tavolinë me mbulesë, të cilën fëmija mund të tërheqë!
- Mos e lini fëmijën e vogël pa mbikëqyrje në dhomë ku ka burim të hapur të nxehtësisë (p.sh. një hekur i ndezur) ose në të cilin diçka po gatuhet!
- Mësojini fëmijët më të rritur se si duhet të merren me pajisjet e ngrohjes dhe ta kufizojnë përdorimin
Kujdes i veçantë kur e lani fëmijën:
- Kontrolloni temperaturën e ujit para se të fusni fëmijën në vaskë!
- Kufizoni temperaturën maksimale të ujit në ngrohësin e ujit — vendosni termostatin maksimum në 60oC.
- Nëse do lani foshnjën ose fëmijën, gjithmonë hapni fillimisht ujin e ftohtë dhe pastaj ujin e ngrohtë.
- Para se ta vendosni fëmijën në vaskë, sigurohuni që ta kontrolloni temperaturën e ujit dhe mos e lini fëmijën pa mbikëqyrje!
Pajisjet piroteknike nuk janë për fëmijët!
Mos lejoni që fëmijët të luajnë vetë me objekte që çlirojnë shkëndija, ndërsa përdorimi i fishekzjarrëve është diçka që ju nuk duhet t’ua lejoni fëmijëve tuaj!
Bëjeni të sigurt kohën që fëmija e kalon në diell!
Mbroni fëmijën duke shmangur ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në 17:00, duke përdorur mbrojtje adekuate të kokës (kapuç ose kapelë të gjerë), veshje me ngjyra të lehta, syze dielli me mbrojtje 100% UVA dhe UVB dhe mbrojtje me faktor të lartë nga dielli (mbi 30), dedikuar posaçërisht për lëkurën e fëmijëve, i cili duhet të përdoret në përputhje me udhëzimet e prodhuesit.