Epilepsia dhe konvulsionet

Epilepsia nënkupton kur një fëmijë ka kunvulsione ose kriza të përsëritura. Nëse fëmija juaj diagnostikohet me epilepsi, trajtimi mund të përfshijë ilaçe kundër konvulsioneve. Trajtimi i epilepsisë synon që t'i mundësojë fëmijëve të jetojnë një jetë normale.
Body

Çfarë është epilepsia?

Epilepsia është gjendje që prek trurin dhe që shkakton konvulsione.

Nëse fëmija juaj është diagnostikuar me epilepsi, kjo do të thotë se ai/ajo ka pasur të paktën një konvulsion dhe ka gjasa të ketë më shumë. Ajo shkaktohet nga aktiviteti elektrik jonormal në tru që mund të ndikojë në vetëdijen, sjelljet dhe lëvizjet e trupit të fëmijës.

Nëse një fëmijë ka konvulsione, kjo nuk do të thotë gjithmonë se ai/ajo ka epilepsi. Shumica e fëmijëve që kanë një konvulsion të vetëm nuk vazhdojnë të kenë më të tilla. Epilepsia zakonisht nuk diagnostifikohet deri pas dy ose më shumë konvulsioneve.

Çfarë e shkakton epilepsinë?

Ekzistojnë disa gjëra që e shtojnë mundësinë që një fëmijë të ketë konvulsione epileptike. Këto përfshijnë:

  • histori të epilepsisë në anëtarët e ngushtë të familjes
  • ndryshimet gjenetike, të sjelljes dhe ato strukturore 
  • dëmtimet e trurit 

Konvulsionet e thjeshta febrile nuk konsiderohen të jenë epilepsi, megjithatë, fëmijët me konvulsione febrile të cilat zgjasin më shumë se 15 minuta ose ndodhin shumë herë kanë rrezik më të madh për epilepsi.

Konvulsionet tek fëmijët në rrezik të epilepsisë mund të shkaktohen nga dritat vezulluese ose nga imazhet e caktuara në ekrane televizive ose kinema.

Tek përafërsisht gjysma e të gjithë fëmijëve me epilepsi, ne nuk e dimë se çfarë e shkakton këtë gjendje.

Llojet e epilepsisë

Fëmijët me epilepsi mund të kenë shumë lloje të ndryshme të konvulsioneve: Lloji i konvulsionit varet nga vendi prej ku vjen aktiviteti elektrik jonormal në tru.

Ekzistojnë dy grupe kryesore të konvulsioneve - konvulsione fokale dhe konvulsione të gjeneralizuara.

Konvulsionet fokale të cilat fillojnë vetëm në një pjesë të trurit dhe për rrjedhojë, përfshihet vetëm një pjesë e trupit.

Konvulsionet e gjeneralizuara të cilat përfshijnë të gjithë trurin.

Konvulsionet mund të bëjnë që muskujt të ngurtësohen ose të lëshohen dhe ose mund të shkaktojnë dridhje të krahëve dhe këmbëve.

Disa konvulsione mund të shkaktojnë jargëzim dhe lagie tek fëmija. Një formë tjetër e konvulsioneve janë konvulsionet e mungesës së vetëdijes kur fëmijët mund të duken sikur shikojnë për pak kohë pa vëmendje dhe duken të pavetëdijshëm për gjërat rreth tyre.

Menaxhimi i konvulsioneve epileptike

Nëse mendoni se fëmija juaj është duke pasur konvulsione dhe ka humbur vetëdijen, është me rëndësi të qëndroni të qetë dhe të hiqni çdo objekt të dëmshëm në mënyrë që ai/ajo të mos pësojë lëndime.

Vendoseni fëmijën tuaj në sipërfaqe të butë, shtrini fëmijën në pozicionin e rikuperimit në krah. Qëndroni me të dhe ofroni atij/asaj siguri.

Nëse është konvulsioni i parë i fëmijës suaj, shikoni saktësisht se çfarë është duke ndodhur, në mënyrë që të mund ta përshkruani më vonë. Nëse keni telefon ose kamerë, bëni video të konvulsionit.

Mbani mend sa ka zgjatur konvulsioni.

Pasi konvulsioni të ndalet, vendoseni fëmijën tuaj në sipërfaqe të butë, shtrini fëmijën në pozicionin e rikuperimit në krah në mënyrë që t'i ketë rrugët e frymëmarrjes të hapura.

Në cilat raste duhet ta vizitoni mjekun tuaj lidhur me konvulsionet epileptike?

Është e rëndësishme që fëmija juaj të kontrollohet të mjeku ose të shkojë në departament të emergjencës nëse:

• është konvulsioni i parë i fëmijës suaj,

• fëmija juaj ka pasur disa konvulsione ose ka pasur konvulsione të përsëritura,

• nuk jeni të sigurt nëse fëmija juaj ka pasur konvulsion,

• fëmija juaj fillon të ketë konvulsione më shpesh se zakonisht,

Thirrni ambulancën nëse konvulsioni zgjat më shumë se 2-3 minuta.

Testet për epilepsinë

Nëse mjeku juaj i përgjithshëm është i mendimit se fëmija juaj mund të ketë epilepsi, normalisht do ta referojë fëmijën tuaj te neurologu pediatrik për kontrolle të mëtejshme.

Mjeku do të kërkojë analiza të gjakut dhe një EEG. Mjeku juaj mund të kërkojë gjithashtu skanim CT ose MRI të trurit.

Trajtimi për epilepsinë

Në rast se mjeku juaj ju përshkruan ilaçe kundër konvulsioneve për fëmijën tuaj, qëllimi është që fëmija juaj të ketë jetë normale. Por, ky ilaç mund të ketë disa efekte anësore. Nëse fëmija juaj merr ilaçe kundër konvulsioneve, ai/ajo do të duhet të vizitojë rregullisht mjekun.

Nëse medikamentet nuk funksionojnë, mjeku juaj mund të bisedojë me ju për terapi të tjera, duke përfshirë dietën ketogjenike ose opsionet kirurgjike.

Ju duhet t'i tregoni të gjithë personave që janë të përfshirë në kujdesin e përditshëm të fëmijës suaj - si për shembull, stafit të kujdesit për fëmijë dhe mësuesve - se fëmija juaj ka epilepsi. Ata/ato duhet të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo, dhe si duhet vepruar në raste të konvulsioneve. Inkurajoni fëmijën tuaj të mbajë byzylyk dore ose varëse që tregon se ai/ajo ka epilepsi.

Parandalimi i konvulsioneve epileptike

Vaktet e rregullta, gjumi i përshtatshëm dhe ushtrimet mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të konvulsioneve.

Fëmija juaj duhet të shmangë gjërat që ai/ajo e di se i shkaktojnë konvulsione, si dritat vezulluese, lodhja e tepërt, uria ose televizori.

Gjithmonë mbikëqyrni fëmijën tuaj kur ai/ajo është duke notuar, duke u larë ose duke bërë aktivitete që përfshijnë lartësi siç janë çiklizmi, ngjitja etj.

Të shihni fëmijën tuaj duke përjetuar një episod me konvulsione mund të jetë shumë shqetësuese. Kontakti me prindër të tjerë që kanë fëmijë me epilepsi mund t'ju ndihmojë të ndiheni më pak të frikësuar për gjendjen e fëmijës suaj.