Frika nga të panjohurit: foshnjat dhe fëmijët e vegjël
Frika nga të panjohurit: gjërat kryesore
Për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, frika nga të panjohurit është shumë e zakonshme. Është një fazë normale në zhvillimin e fëmijëve.
Kjo ndodh ndërsa foshnja juaj zhvillon një lidhje të shëndetshme me njerëzit e njohur. Meqë foshnjat preferojnë të rriturit e njohur, ata mund të reagojnë ndaj të panjohurve duke qarë ose duke u përlotur, duke heshtur, duke u frikësuar ose duke u fshehur.
Frika nga të panjohurit zakonisht bëhet më e fortë rreth moshës 7-10 muajshe. Ajo mund të zgjasë disa muaj ose të vazhdojë për shumë më gjatë. Përgjithësisht kalon diku midis moshës 18 muaj dhe 2 vjet.
Për shembull, një foshnjë 10 muajshe që ka shkuar në çerdhe 6 muajshe mund të mërzitet nëse ka një edukatore të re në çerdhe. Ai/ajo mund të qajë, të fshehë kokën në qafën e nënës ose të bërtasë kur edukatorja përpiqet ta marrë atë nga nëna ose babai.
Si të ndihmoni fëmijën me frikën nga të panjohurit: çfarë mund të bëni
Ndonëse frika nga të panjohurit është pjesë e zhvillimit normal për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, ka gjëra që mund t'i bëni për ta ndihmuar fëmijën të ndihet më pak i/e mërzitur.
Si ta ndihmoni fëmijën të ndihet rehat me të panjohurit
- Mos e injoroni apo të qeshni me frikën e fëmijës nga të panjohurit. Kjo mund ta përkeqësojë frikën.
- Mbaje dorën e fëmijës ose lëre të ulet në prehrin tënd kur takon persona që nuk i njeh.
- Nëse është e mundur, prezantoji fëmijës personat e panjohur fillimisht në shtëpi. Shtëpia është vendi ku fëmija ndihet më rehat.
- Nëse fëmija juaj mërzitet shumë me një person të ri, ngushëllojeni dhe provoni një mënyrë tjetër si të afroheni, si për shembull përmes lojës. Gjithashtu, mund ta largoni pak fëmijën nga personi i panjohur, derisa të qetësohet dhe mund ta provoni sërish më vonë.
- Kur kaloni kohë me njerëz të rinj, merrni me vete objektin e preferuar të fëmijës (një lodër ose batanije).
- Qëndro i/e qetë.
Merreni me qetësi
- Bëhu i/e durueshëm. Mos e shtyni fëmijën tuaj të shkojë tek njerëzit e rinj para se të jetë gati. "Duket sikur do të qëndrosh me mua edhe për pak kohë."
- Qëndro së bashku me fëmijën, kur ta prezantoni me dikë të panjohur.
- Kërkoju të rriturve të panjohur, si persona të tjerë në rrethin e gjerë familjar apo nga shoqëria juaj, të presin pak kohë para se ta marrin fëmijën në krahë.
- Për fëmijët pak më të rritur, shpjegojini atyre se kush është personi i ri dhe çfarë po ndodh. Për shembull, thuaj: « Kjo është shoqja ime Ana. Asaj i pëlqen gjithashtu të luajë me kamionë! Ana do të qëndrojë me ju pasi ne do të takojmë miqtë tanë. Ne do të kthehemi menjëherë pasi të keni ngrënë darkën."
Kur takojmë njerëz të rinj
- Prezantojeni fëmijën me njerëz të rinj. Sa më shumë shanse të ketë fëmija juaj për të takuar njerëz të rinj dhe për të zbuluar se ata janë të sigurt, aq më shumë gjasa ka që frika e tij/saj të zvogëlohet.
- Tregoji fëmijës se nuk ke frikë nga njerëzit e rinj. Përshëndetni ngrohtësisht me gjuhë pozitive të trupit - buzëqeshje, qëndrim të relaksuar, kontakt me sy dhe zë të lumtur.
- Ndihmojini fëmijët më të rritur të praktikojnë disa strategji përballuese për të takuar njerëz të rinj - për shembull, 'Le të marrim qetësisht frymë së bashku' ose 'Do të të jap një puthje të madhe që do jetë me ty gjithë ditën'. A mund të kem edhe unë një?' Këto strategji të thjeshta mund ta ndihmojnë fëmijën të ndihet më i sigurt te njerëzit e panjohur.
- Mos u shqetëso për ndjenjat e të rriturve. Vetëm thuaju se fëmija yt ende po mëson të jetë rreth personave të panjohur.
Frika nga të panjohurit te fëmijët më të mëdhenj se dy vjeç
Frika e shumicës së fëmijëve nga të panjohurit fillon të kalojë rreth moshës dy vjeç, por nuk është e pazakontë që fëmijët më të mëdhenj të kenë frikë ende nga të panjohurit.
Një mënyrë për të ndihmuar me shqetësimin nga njerëzit e panjohur është të punoni për të zhvilluar te fëmija sensin e pavarësisë. Nëse fëmija ndihet më i pavarur, mund të ndihet më i sigurt edhe rreth të panjohurve.
Ja disa këshilla për të ndihmuar në zhvillimin e pavarësisë:
- Lëreni fëmijën tuaj të bëjë gjëra për vete, si të ushqejë veten, të eksplorojë mjedise të reja loje dhe të argëtohet me lodra.
- Jepi fëmijës shumë përvoja të reja dhe prezantoje me fytyra të reja. Me kalimin e kohës, ai/ajo do të kuptojë se asgjë e keqe nuk do të ndodhë.
- Përpiqu të mos nxitosh dhe t'i zgjidhësh problemet e fëmijës, por jepi mundësi që të gjejë vetë një zgjidhje.
- Inkurajojeni fëmijën të jetë përgjegjës për disa punë të thjeshta familjare - për shembull, të ndihmojë kur ju bleni ushqimet apo të ndihmojë për të shtruar darkën.
- Ndihmoje fëmijën të mësojë që të flejë larg shtëpisë. Kjo do të ndihmojë nëse ju duhet ta lini fëmijën tuaj gjatë natës - për shembull në kujdesin e dados apo në shtëpinë e një të afërmi.
Kur mund të kërkoj ndihmë për frikën nga të panjohurit
Shumica e fëmijëve nën moshën dy vjeç janë pak të shqetësuar për të qenë me njerëz të rinj. Nëse frika e fëmijës ndaj të panjohurve zgjat deri në vitet e mëvonshme dhe është vërtet e fortë ose po keqësohet, mund të flisni me një profesionist/e të kujdesit shëndetësor për shqetësimet tuaja dhe për mënyra të ndryshme për të ndihmuar.