Fruthi
Shenjat dhe simptomat e sëmundjes
Fëmija infektohet 7 deri në 15 ditë përpara se të shfaqen simptomat e para të sëmundjes. Sëmundja fillon me: ethe, kollë, rrjedhje të hundëve dhe sy të përlotur të kuq, dhe pasohet me shfaqje të skuqjes me njolla të kuqërremta në 2 deri në 3 ditë. Shenjë karakteristike e kësaj sëmundjeje janë njollat e bardha në të kaltër në brendësi të faqeve, të cilat mund të shihen para shfaqjes së skuqjes. Skuqja fillon në vijën e flokëve dhe më pas përhapet në fytyrë, në pjesën e sipërme të qafës dhe poshtë në gjoks, mbi gjymtyrë, në duar dhe këmbë. Skuqja zbehet dhe zhduket në të njëjtin rend sikurse është shfaqur, dhe zgjat maksimumi 5 deri në 6 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë humbja e oreksit, diarreja dhe ënjtja e përgjithshme e nyjeve limfatike.
Një person i infektuar mund ta ngjisë infektimin rreth 4 ditë para dhe pas shfaqjes së skuqjes.
Komplikimet
Komplikimet ndodhin në 30% të fëmijëve të infektuar: diarre me dehidratim, infeksione të veshit, pneumoni, encefalit, dëmtim të përhershëm nervor (më shpesh verbëri). Si shkak i këtyre implikimeve, në shtetet e zhvilluara, 0.2% e fëmijëve të infektuar vdesin, kurse në vendet e pazhvilluara kjo përqindje është dukshëm më e lartë, madje deri në 25%, ku kequshqyerja dhe mungesa e vitaminës A janë faktorë kontribues.
Medikamentet
Nuk ka ndonjë medikament (ilaç)specifik kundër fruthit; në praktikë, medikamentet përdoret vetëm për zbutjen e shqetësimit. Paracetamol jepet për të ulur temperaturën dhe lehtësuar dhimbjen e kokës. Fëmijës i ofrohen më shumë lëngje se zakonisht dhe i lejohet të pushojë në një dhomë pak të errësuar. Sigurohet marrja e mjaftueshme e vitaminës A.
Parandalimi
Imunizimi aktiv kundër fruthit kryhet me një vaksinë të kombinuar që përmban vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (fruthi gjerman) në moshën 12 deri në 15 muaj, dhe doza e dytë, rivaksinimi, u jepet fëmijëve para fillimit të shkollës, në moshën 6/7 vjeç. Kur këta fëmijë vaksinohen rregullisht, mbrojnë edhe fëmijët e tjerë që nuk mund të vaksinohen, sepse parandalojnë përhapjen e virusit. Vaksina nuk duhet t'u jepet personave me mungesë imuniteti (reagim të dobët imun), njerëzve që kanë ndonjë reaksion alergjik më të fortë ndaj ndonjërit prej përbërësve të vaksinës dhe grave shtatzëna.
Fëmijët që nuk mund ta marrin këtë vaksinë dhe bien në kontakt me virusin e fruthit, mund të marrin imunoglobulinë gjatë gjashtë ditëve të para të infektimit për të parandaluar sëmundjen ose për të lehtësuar rrjedhën e saj.
Personat që shërohen nga fruthi fitojnë imunitet afatgjatë.