Gjëndrat limfatike të fryra
Çfarë janë nyjet limfatike të fryra?
Nyjet limfatike gjenden në të gjithë trupin tuaj. Ato janë pjesë e sistemit tuaj imunitar dhe funksionojnë si një filtër për viruset dhe bakteret.
Nyjet limfatike fryhen për shumë arsye. Zakonisht nuk ka asgjë për t'u shqetësuar.
Nyjet limfatike të fryra shfaqen më shpesh kur trupi juaj është i zënë duke luftuar një infeksion viral ose bakterial si dhimbje të fytit ose ethet e gjëndrave.
Nyjet limfatike të fryra mund të shfaqen gjithashtu nëse një pjesë e trupit tuaj është e irrituar - për shembull, për shkak të ndonjë gërvishtjeje, djegie ose pickimi nga insektet.
Disa fëmijë të vegjël me ekzemë kanë fryrje të nyjeve limfatike gjatë gjithë kohës. Kjo është për shkak se mikrobet kalojnë më lehtë përmes lëkurës së tyre të irrituar në trupin e tyre dhe nyjet limfatike ndihmojnë në largimin e tyre.
Kanceri është një shkak i rrallë i fryrjes së nyjeve limfatike tek fëmijët. Në këto raste të rralla, nyjet zakonisht nuk janë të dhimbshme, janë mjaft të forta dhe nuk lëvizin kur shtyhen.
Nyjet limfatike njihen edhe si gjëndra limfatike.
Nyjet limfatike të fëmijëve janë zakonisht më të mëdha dhe fryhen më shpesh se ato të të rriturve, kështu që është më e lehtë t'i ndjeni ato. Ndonjëherë mund t'i ndjeni ato në të dyja anët e qafës, sqetulla dhe në pjesën e përparme të ijeve ku këmba e fëmijës suaj lakohet, edhe kur fëmija juaj është mirë me shëndet. Nëse fëmija juaj është i/e dobët, ju madje mund t'i shihni ato.
Simptomat e fryrjes së nyjeve limfatike
Nyjet limfatike mund të fryhen në të gjithë trupin e fëmijës suaj ose vetëm në zonën pranë infeksionit ose inflamacionit.
Për shembull, nëse fëmija juaj ka pezmatim të bajameve, mund të vëreni gunga të fryra dhe të ndjeshme në qafën e saj/tij. Ose nëse ajo/ai ka infeksion të lëkurës në gishtin e saj/tij, mund të ketë gunga të fryra dhe të ndjeshme nën atë krah.
Nyjet limfatike mund të qëndrojnë të fryra për 2-3 javë pas largimit të infeksionit.
A duhet të vizitoni fëmijën tek mjeku për nyjet limfatike të fryra?
Ju duhet ta dërgoni fëmijën tuaj te mjeku nëse:
- fëmija juaj ka pasur nyje limfatike të fryera për disa ditë dhe nuk ka asnjë arsye të dukshme për to, si dhimbje fyti, rrjedhje hundësh ose infeksione të tjera të lehta;
- nyjet limfatike tejkalojnë madhësinë e një bizele;
- fëmija juaj ka fryrje të nyjeve limfatike në qafë dhe ka probleme me gëlltitjen ose frymëmarrjen;
- fëmija juaj ankohet për dhembje ose ndjeshmëri rreth nyjeve limfatike të fryra;
- fëmija juaj ka lëkurë të kuqe mbi zonën e nyjeve limfatike të fryra;
- fëmija juaj ka fryrje të nyjeve limfatike me simptoma të tjera si ethe ose skuqje;
- fëmija juaj ka fryrje të nyjeve limfatike dhe ju mendoni se fëmija juaj realisht nuk po ndjehet mirë.
Trajtimi për nyjet limfatike të fryra
Trajtimi do të varet nga ajo që e shkakton fryrjen e nyjeve limfatike.
Nëse nyjet limfatike të fryra të fëmijës suaj shkaktohen nga një infeksion viral, gjithçka që mund të bëni është të trajtoni simptomat e virusit sikurse dhimbjen e fytit dhe temperaturën.
Nëse nyjet limfatike të fëmijës suaj janë të fryrë për shkak të infeksionit bakterial ose në zonën e nyjeve, ose brenda vetë nyjave, fëmija juaj mund të ketë nevojë për antibiotikë.
Në raste të rralla, kur dyshohet për kancer, nyja ose një pjesë e saj mund të hiqet për të marrë një diagnozë përfundimtare dhe të saktë për të planifikuar një trajtim të përshtatshëm.