Grafikët e rritjes së fëmijëve
Grafikët e rritjes së fëmijëve Rreth rritjes së fëmijëve Rritja e fëmijëve është shenjë e shëndetit dhe ushqyerjes së tyre të përgjithshme. Të gjitha foshnjat dhe fëmijët rriten me ritme të ndryshme dhe ekziston një gamë e madhe kur bëhet fjalë për “normalen”. Rritja e fëmijës suaj është unike për të dhe zakonisht ndjek një model që është i përshtatshëm për të. Në shtëpi me fëmijën tuaj, do ta dini nëse ai po rritet. Do ta vini re që ai bëhet shumë i madh për rrobat e tij, djepin, banjën për fëmijë apo gjëra të tjera që dukeshin jashtëzakonisht të mëdha kur ai ishte thjesht një i porsalindur. Çfarë janë grafikët e rritjes? Grafikët e rritjes përdoren nga profesionistët e kujdesit shëndetësor dhe prindërit për të ndjekur rritjen dhe zhvillimin e fëmijës në vitet e para. Rritja e fëmijës llogaritet bazuar në standardet e rritjes të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto standarde e përfaqësojnë përshkrimin më të mirë të rritjes fiziologjike për të gjithë fëmijët nga lindja deri në moshën pesëvjeçare dhe bazohen në të dhënat nga 8500 fëmijë nga e gjithë bota, përfshirë Evropën. Pikët Z ose pikët e devijimit standard janë njësia e përdorur për matjen e rritjes së fëmijëve. Këto njësi na tregojnë se sa larg nga mesatarja është rritja e fëmijës suaj. Grafikët e rritjes janë grafikë që tregojnë ndryshime në gjatësinë ose lartësinë, peshën dhe perimetrin e kokës së fëmijës suaj me kalimin e kohës. Profesionisti juaj shëndetësor - për shembull, infermierja e fëmijës dhe e familjes – i mat këto gjëra rregullisht dhe shënon matjet në grafik. Është më mirë t'i vendosni këto matje në aplikacionin e telefonit celular që gjithashtu t’i keni kurbat e rritjes së fëmijës suaj në dispozicion dhe të regjistruara. Ekzistojnë grafikë të ndryshëm të rritjes për djemtë dhe vajzat, për fëmijët më të vegjël dhe fëmijët më të rritur. Kuptimi i grafikëve të rritjes së fëmijëve Grafikët e rritjes kanë shumë vija (kurba) që tregojnë gamën e modeleve tipike të rritjes së fëmijëve në mosha të ndryshme. Gjatësia, pesha dhe koka e shumicës së fëmijëve janë diku ndërmjet kurbave të sipërme dhe të poshtme në grafikë. Gjysma e të gjithë fëmijëve rriten me një normë mbi mesin e gamës tipike dhe gjysma rriten me një normë nën këtë gamë. Vlerat kufitare përcaktohen në mënyrë arbitrare dhe ka dy devijime standarde (DS) ose pikë Z mbi dhe nën vlerën mesatare për moshën. Ndonjëherë kurbat individuale të rritjes së fëmijëve kalojnë mbi kurbat në grafik. Nëse kjo ndodh me fëmijën tuaj, profesionisti juaj i kujdesit shëndetësor do të monitorojë nga afër rritjen e fëmijës tuaj gjatë disa takimeve të ardhshme. Rritja e fëmijës tuaj mund të kthehet në rrugën e duhur, ose profesionisti juaj shëndetësor mund të sugjerojë disa gjëra që mund t’i bëni për të ndihmuar.
Si matet rritja e fëmijëve Gjatësia matet kur fëmija juaj është shtrirë. Për fëmijët mbi dy vjeç, gjatësia matet kur ata janë në këmbë. Për fëmijët nën moshën dyvjeçare, pesha matet pa veshje në një peshore të veçantë për peshimin e foshnjës. Pas moshës dy vjeçare, pesha matet me veshje “të lehta” në një set të rregullt të peshoreve. Perimetri i kokës zakonisht matet duke vendosur një shirit matës rreth kokës së foshnjës tuaj. Kokat e foshnjave rriten me shpejtësi në vitin e parë, gjë që e bën të lehtë të kontrollohet nëse po rriten në mënyrë të shëndetshme. . |