Hapat e parë të lidhjes me fëmijën
Hapat e parë në lidhjen me fëmijën
Shkenca thotë se hapi i parë i prindërimit cilësor, si dhe i zhvillimit të shëndetshëm të fëmijës suaj është gjetja e mënyrës për t’u lidhur me fëmijën.
Lidhja me fëmijën do të thotë t’i përgjigjeni nevojave të foshnjës me butësi, dashuri dhe kujdes. Kur silleni kështu, ju bëheni të veçantë për foshnjën, një person që është i besueshëm dhe mbështetës, person me të cilin ai/ajo qetësohet, mëson aftësi të reja, mëson rreth vetes dhe botës përreth.
Ndërtimi i një lidhjeje mes jush dhe fëmijës suaj është një nga aspektet kryesore të zhvillimit. Kur fëmija juaj e merr atë që ai/ajo ka nevojë nga ju: buzëqeshjen, mbrojtjen, përqafimin, butësinë - ai/ajo ndjen se është i/e sigurt dhe se bota është një vend i sigurt për të mësuar, për të luajtur dhe për të eksploruar. Kjo formon themelin e shëndetit mendor të fëmijës suaj, mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm gjatë fëmijërisë dhe më vonë në jetë.
Në mënyrë që të lidheni me fëmijën, është e rëndësishme, para së gjithash, t’i ndiqni – t’i shikoni, t’i dëgjoni, t’i vini re gjërat rreth fëmijës suaj (atë që ai/ajo e pëlqen, çfarë e qetëson, çfarë e shqetëson, si ai/ajo reagon ndaj dhimbjes, tingujve...). Pastaj është e rëndësishme ta kuptoni gjuhën “e fëmijës suaj.“ Foshnjat zakonisht “flasin” duke i kthyer sytë dhe kokën, duke drejtuar shikimin ose lëvizjen drejt jush, duke mbajtur kontaktin me sy, duke e kthyer kokën nga tingujt e zërit tuaj, duke nxjerrë pak tinguj ose duke qarë, duke bërë vështrim të relaksuar, vështrim të interesuar ose duke lëvizur krahët dhe këmbët derisa të jenë në kontakt me ju. Ndiqni këto sjellje te fëmija juaj dhe përpiquni t’ju përgjigjeni atyre.