Imagjinata, krijimtaria dhe loja me fëmijët e vegjël
Lojërat fëminore: sa të rëndësishme janë për zhvillimin e fantazisë dhe të krijimtarisë
Fëmijët e vegjël, kanë aftësi të jashtëzakonshme imagjinare dhe krijuese. Loja është shumë e rëndësishme për t’i zhvilluar më tej këto aftësi. Imagjinata dhe krijimtaria e ndihmojnë fëmijën:
- të eksplorojë botën që e rrethon,
- të kuptojë më mirë veten dhe njerëzit që e rrethojnë,
- të eksplorojë dhe të shprehë në mënyra të ndryshme ndjenja dhe emocione,
- të provojë ide dhe mënyra të ndryshme për zgjidhjen e situatave të thjeshta problemore.
Çfarë mund të prisni nga një imagjinatë e zhvilluar e fëmijës
Të veshurit vetë dhe lojërat e ‘të bërit sikur’ fillojnë rreth moshës 15-18 muajshe. Fëmija i kësaj moshe fillon të kënaqet duke u hequr si i rritur, duke përdorur rroba të vjetra dhe kapela; mund të imagjinojë se po drejton një makinë ose po shet në një dyqan.
Fëmija më i vogël mëson duke kopjuar atë që bëjnë të tjerët – Për shembull, në moshën dy vjeç, fëmija mund të pretendojë të gatuajë darkën, duke përdorur gjethe dhe bar që ka gjetur në oborrin e shtëpisë.
Gjithashtu, rreth kësaj moshe fëmija fillon të krijojë histori dhe të ‘shpikë’ lojëra. Këto mund të vijnë nga librat që keni lexuar së bashku ose nga përvojat vetjake, si p.sh.: vizitat te mjeku.
Meloditë e ndryshme mund ta nxisin fëmijën të imagjinojë gjëra fantastike si p.sh.: fluturimin si një zog. Ai/ajo mund të shprehet duke kënduar, kërcyer dhe lëvizur nën tingujt e këngëve dhe të melodive që i pëlqejnë.
Në këtë moshë, fëmija mund të kënaqet edhe me lojëra të çrregullta. Gërmimi i rërës ose shtypja e plastelinës mund të jenë veprimtari të pëlqyeshme për fëmijët e vegjël.
Ka shumë mundësi që edhe fëmijës suaj t'i pëlqejë të luajë dhe të spërkatet me ujë në banjë. Fëmija mund të provojë se çfarë mund të bëjnë lodrat teksa i hedh ose i zhyt në ujë. Fëmija duhet mbikëqyrur kur luan me ujin, sepse duke qenë kureshtarë dhe duke mos ndierë frikë, mund të rrezikohen nga loja me ujin.
Duke e ndjekur fëmijën në çdo hap gjatë rritjes, do të dalloni llojet dhe mënyrat e ndryshme të shprehjes së fantazisë dhe të krijimtarisë.
Luaj me fantazi dhe me veprimtari krijuese për të zhvilluar imagjinatën e fëmijës suaj
Është mirë ta lini fëmijën të shfaqë idetë e veta për lojën që do të luajë, sepse i jep mundësi të shkëlqyer për të përdorur imagjinatën.
Mund të provoni idetë e mëposhtme për t'i dhënë zemër fëmijës suaj për të vepruar sipas imagjinatës së vet:
- Lexoni libra dhe tregoni histori për vende dhe krijesa të mrekullueshme. Flisni rreth historive, veprimeve të personazheve dhe pyeteni fëmijës se çfarë mendon se do të ndodhë më tej në tregim.
- Këndoni këngë nga fëmijëria juaj. Kjo është një mundësi e mirë për ta njohur fëmijën me gjuhën e nënës, në rast se ju jetoni në një shtet, ku flitet gjuhë tjetër.
- Luani me tinguj dhe ritme të prodhuara nga instrumente muzikore të blera ose të bëra në shtëpi me mjete rrethanore.
- Vizatoni dhe lëreni fëmijën tuaj të imagjinojë se ç’keni dashur ju të vizatoni. Nuk ka rëndësi se çfarë do të thotë dhe nëse e gjen saktë!
- Vizitoni dhe eksploroni vende të preferuara ose të reja në shtëpinë tuaj, si sirtarët e kuzhinës, raftet në dollap etj.
- Krijoni në shtëpi një hapësirë të veçantë ku mund të luajë fëmija. Për këtë, mund të hidhni një pëlhurë mbi dy karrige ose të prisni një kuti të madhe kartoni. Vendosni lodra, kukulla dhe veshje të ndryshme për të nxitur fëmijën të krijojë histori dhe lojëra.
Edhe nëse jeni të kufizuar me zgjedhjen e vendit, mund të dilni jashtë dhe të nxisni imagjinatën e fëmijës suaj:
- Dilni shëtitje në natyrë, edhe nëse është vetëm oborri juaj - kudo mund të shkoni ku ka pamje interesante dhe tinguj për të frymëzuar fëmijën tuaj.
- Shikoni lart! Përshkruani gjërat e ndryshme që shihni në qiell – hëna, yjet dhe format e reve janë magjepëse për fëmijën tuaj.
- Bëni një kuti thesari për fëmijën tuaj, plot me objekte natyrore që mund t'i prekë, t'i ndiejë dhe t'i përdorë. Mund të mblidhni gjethe të vogla, gurë me ngjyra, guaska, lule, boçe farash etj. Tregoni kujdes që fëmijët të mos i fusin gjërat në gojë.
- Luani me rërë, me plastelinë ose me bojëra. Sigurohuni që këto materiale të mos jenë toksike, sepse fëmija në një çast të caktuar mund t’i fusë gishtat në gojë.
- Luani me ujin. Një kovë me ujë dhe disa gota plastike është ajo që i nevojitet fëmijës tuaj. Flluskat mund të jenë argëtuese për fëmijën. Gjithmonë këto lojëra fëmija mund t’i bëjë vetëm nën mbikëqyrjen tuaj.
Koha e ekranit me vogëlushin dhe lojërat imagjinare
Studimet më të fundit rekomandojnë që fëmijët nën moshën dyvjeçare nuk duhet të rrinë përpara ekranit me përjashtim të rasteve kur janë duke zhvilluar video-biseda me njerëzit që njohin. Në raste të tjera, koha para ekranit duhet të jetë e kufizuar dhe me përmbajtje cilësore, sepse fëmijët e vegjël mësojnë dhe rriten më mirë nëpërmjet përvojave të botës reale. Lojërat lëvizore, lojërat në natyrë, lojërat krijuese dhe kalimi i kohës së përbashkët me njerëzit e familjes dhe të afërmit ndikojnë në zhvillimin e imagjinatës së fëmijës.