Intoleranca ndaj laktozës: foshnjat dhe fëmijët
Çfarë është intoleranca ndaj laktozës?
Intoleranca ndaj laktozës ndodh kur trupi nuk mund të shpërbëjë laktozën. Ky problem ndodh sepse nuk ka mjaftueshëm laktazë në stomak.
Laktoza është sheqer kompleks. Është i pranishëm në qumështin e gjirit, në qumësht, dhe në produktet e tjera të qumështit. Përbën rreth 7% të qumështit të gjirit dhe formulës së foshnjave.
Laktaza është enzimë. Enzimat shpërbëjnë kimikatet e ushqimit në mënyrë që trupi t'i përdorë ato.
Laktoza është e rëndësishme për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës tuaj. Ajo siguron rreth 40% të nevojave energjetike të fëmijës suaj dhe e ndihmon atë të përthithë kalciumin dhe hekurin.
Shkaqet e intolerancës ndaj laktozës
Ekzistojnë tre shkaqe kryesore të intolerancës ndaj laktozës.
Mospersistenca e laktazës (hipolaktazia)
Kjo ndodh kur enzimat e laktazës së fëmijës tuaj gradualisht fillojnë të ulen. Kjo është gjenetike dhe shumë e zakonshme – rreth 70% e njerëzve kanë këtë lloj intolerance ndaj laktozës. Simptomat mund të fillojnë të shfaqen pas moshës pesë vjeçare, por zakonisht janë më të dukshme tek adoleshentët dhe të rinjtë. Fëmijët zakonisht ende mund të tolerojnë sasi të vogla të laktozës në dietën e tyre të përditshme.
Mungesa kongjenitale e laktazës (alaktasia)
Kjo ndodh kur foshnjat lindin pa enzima të laktazës. Kjo është gjenetike, por jashtëzakonisht e rrallë. Foshnjat me këtë lloj intolerance ndaj laktozës kanë diarre të rënda që në ditën e parë të jetës. Për t'u zhvilluar, ata/ato kanë nevojë për dietë të veçantë që nga momenti i lindjes.
Intoleranca sekondare ndaj laktozës
Kjo mund të ndodhë nëse sistemi tretës i një fëmije shqetësohet nga infeksione si gastroenteriti, të cilat ndryshojnë mukozën e stomakut dhe zorrëve të vogla. Kjo lloj intolerance ndaj laktozës është afatshkurtër dhe zakonisht përmirësohet pas disa javësh.
Gjendjet si sëmundja cekiale mund të shkaktojnë gjithashtu intolerancë dytësore ndaj laktozës. Pasi këto gjendje të menaxhohen siç duhet, intoleranca ndaj laktozës duhet të jetë më pak problem.
Simptomat e zakonshme të intolerancës ndaj laktozës
Simptomat e intolerancës ndaj laktozës tek foshnjat dhe fëmijët përfshijnë:
- gazrat
- dhimbje dhe fryrje të stomakut
- diarre.
Ndonjëherë intoleranca ndaj laktozës ngatërrohet me alergjitë ushqimore të tilla si alergjia ndaj qumështit të lopës. Disa simptoma të zakonshme të alergjisë ushqimore përfshijnë të vjella, gjak ose mukozë në diarre, urtikarie dhe ënjtje rreth syve - këto nuk janë simptoma të intolerancës ndaj laktozës. Nëse fëmija juaj ka simptoma të tilla, duhet të vizitoni mjekun tuaj për një vlerësim të duhur.
Diagnostifikimi i intolerancës ndaj laktozës
Këto janë dy mënyrat kryesore për të diagnostikuar intolerancën ndaj laktozës:
- Testi i hidrogjenit në frymëmarrje: kjo teston sasinë e gazit të hidrogjenit në frymëmarrjen e një fëmije pas ngrënies së një sasie të caktuar ushqimi që përmban laktozë. Fëmijët intolerantë ndaj laktozës kanë nivele më të larta të hidrogjenit në frymëmarrje.
- Dieta e eliminimit: kjo përfshin heqjen e ushqimeve që përmbajnë laktozë nga dieta e një fëmije për të parë nëse simptomat përmirësohen. Nëse simptomat kthehen pasi të rifuten ushqimet me laktozë, intoleranca ndaj laktozës është me sa duket shkaku i problemit.
Për shkak se disa nga simptomat e intolerancës ndaj laktozës dhe alergjisë ushqimore janë të ngjashme, diagnostikimi i intolerancës ndaj laktozës ndonjëherë mund të jetë i ndërlikuar.
Trajtimi: intoleranca ndaj laktozës tek foshnjat
Mungesa kongjenitale e laktazës
Nëse foshnja juaj ka mungesë kongjenitale të laktazës, mjeku juaj do të drejtojë trajtimin e fëmijës suaj. Përsëri, kjo është një gjendje jashtëzakonisht e rrallë.
Intoleranca sekondare e laktozës
Për një fëmijë që ushqehet me gji me intolerancë sekondare ndaj laktozës të shkaktuar nga gastroenteriti, duhet të jeni në gjendje të vazhdoni ushqyerjen me gji.
Nëse foshnja juaj ushqehet me formula ose jeni duke menduar t'i jepni formula, konsultohuni me mjekun ose një dietolog përpara se të përdorni ose të kaloni në një formulë për foshnjat me përmbajtje të ulët të laktozës ose pa laktozë. Nëse fëmija juaj është nën gjashtë muaj, shmangni përdorimin e formulës për foshnjat me bazë soje.
Trajtimi dhe menaxhimi: intoleranca ndaj laktozës tek fëmijët më të rritur
Nëse fëmija juaj më i rritur është diagnostikuar me intolerancë ndaj laktozës, ju mund të zvogëloni sasinë e laktozës në dietën e tij/saj. Por nuk keni nevojë t'i hiqni plotësisht nga përdorimi produktet me laktozë, veçanërisht nëse fëmija juaj ha vetëm sasi të vogla të tyre me ushqime të tjera gjatë ditës.
Këshillat e mëposhtme për ushqimin dhe dietën mund t'ju ndihmojnë.
Këto ushqime janë në rregull:
- djathëra me përmbajtje shumë të ulët të laktozës – djathë lope- i butë-francez, djathë lope- i bute-francez, djathe me feta, gouda, mozarela, parmezan dhe zviceran, etj.
- kosi – bakteret në kos shpërbëjnë laktozën kështu që zakonisht është në rregull që fëmija juaj ta hajë atë
- produkte soje të fortifikuara me kalcium - kos soje, qumësht soje, akullore soje dhe djathë soje
- qumështi i lopës pa laktozë
- gjalpi dhe ajka - këto përmbajnë sasi të vogla të laktozës dhe zakonisht janë në regull për t'u ngrënë
- buka, drithërat, pemët, perimet, mishi dhe ushqimet e tjera proteinike
- qumështi me yndyrë të plotë – yndyra në qumështin me yndyrë të plotë i jep trupit të fëmijës suaj kohë më gjatë për të tretur laktozën.
Kujdes nga këto ushqime:
- akulloret me qumësht dhe ëmbëlsirat me qumësht
- krem djathi, djathi i përpunuar dhe djathi i butë për lyerje
- Pure patatesh dhe perime me qumësht të shtuar ose salca të bardha.
Kontrolloni përbërësit në këto ushqime:
- biskota, ëmbëlsira dhe përzierje të ëmbëlsirave
- supa
- majonezë
- çokollatë me qumësht.
Ju gjithashtu mund të flisni me mjekun tuaj nëse jeni duke menduar të përdorni tableta ose pika që shpërbëjnë sheqerin laktozë të ngrënë nga fëmija juaj