Jodi: çfarë duhet të dini!

Jodi është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin, veçanërisht tek foshnjat dhe fëmijët. Edhe të rriturit kanë nevojë për të. Për të parë nëse ju dhe familja juaj merrni mjaftueshëm jod, filloni të kontrolloni dietën tuaj.
Body

Jodi: çfarë është ai?

Jodi është lëndë ushqyese thelbësore për njerëzit, por për një shëndet të mirë, kemi nevojë për vetëm një sasi të vogël të tij.

Jodi gjendet natyrshëm në det dhe në disa toka.

Jodi gjendet gjithashtu në jetën detare (përfshirë peshqit, karkalecat dhe algat e detit), disa bimë të rritura në tokë të pasur me jod dhe në produktet e kafshëve që kanë kullotur në tokë me jod në të.

Jodi i shtohet disa ushqimeve, si kripa dhe buka e pjekur në fabrika.

Pse na nevojitet jodi

Gjëndrat tona tiroide kanë nevojë për jod për të prodhuar hormonet që kontrollojnë metabolizmin, rritjen dhe zhvillimin.

Nëse fëmijët dhe të rriturit nuk marrin mjaftueshëm jod në dietën e tyre, ata/ato mund të kenë mungesë të jodit. Kjo mund të bëjë që gjëndra tiroide të rritet në madhësi. Një gjëndër tiroide e zmadhuar, ose struma (gusha), mund të:

  • ndikojë në prodhimin e hormoneve.
  • shkaktojë vështirësi në gëlltitje dhe frymëmarrje.
  • çojë në hipotiroidizëm, i cili mund të shkaktojë probleme si shtim në peshë, lëkurë të thatë, humbje flokësh, lodhje, intolerancë ndaj të ftohtit dhe depresion.
  • rezultojë në rritje të rrëgjuar (ngecur), dëmtim intelektual dhe një nivel më të ulët të inteligjencës të matur me IQ.

Jodi, shtatzënia dhe ushqyerja me gji

Gjatë shtatzënisë, gjëndra tiroide e një gruaje duhet të punojë shumë. Kjo për shkak se hormonet që prodhon ndihmojnë në rritjen e trurit dhe sistemit nervor të foshnjës së saj të palindur.

Për shkak se gjëndra tiroide e një gruaje shtatzënë punon më shumë, ajo ka nevojë për jod shtesë në mënyrë që të mos ketë mungesë jodi.

Mungesa e madhe e jodit tek një grua shtatzënë mund të çojë në abort, lindje të vdekur ose paaftësi intelektuale tek foshnja e saj.

Pas lindjes, foshnjat e ushqyera me gji varen nga qumështi i gjirit si burim i jodit, i cili mban trurin dhe sistemin e tyre nervor në zhvillim. Kjo do të thotë se mungesa e jodit tek nënat gjidhënëse mund të jetë gjithashtu rrezik për foshnjat.

Nëse jeni shtatzënë, po përpiqeni të mbeteni shtatzënë ose ushqeni me gji, rekomandohet që të merrni një suplement jodi prej 150 mikrogramë (μg) në ditë. Nëse keni ndonjë problem para-ekzistues të tiroides, konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të merrni suplementin.

Burimet e jodit

Përfshirja e ushqimeve të mëposhtme në dietën e familjes suaj çdo javë, do t'ju ndihmojë të siguroheni që ju dhe fëmijët tuaj të merrni mjaftueshëm jod:

  • Buka e paketuar: kini parasysh se buka organike, buka pa kripë, buka e pa paketuar dhe përzierjet e bukës për përgatitjen e bukës në shtëpi mund të mos përmbajnë jod, kështu që ose kontrolloni etiketën e ushqimit ose pyesni në pikën e shitjes.
  • Produktet e detit: Ekspertët rekomandojnë 2-3 vakte të ushqimeve të detit të rregullta në javë. Nëse jeni shtatzënë, duhet të keni kujdes kur zgjidhni peshkun. Kjo për shkak se disa peshq – sidomos peshqit e thellësive, si peshkaqeni apo peshku-shpatë – kanë nivele më të larta të merkurit se të tjerët. Salmoni i konservuar dhe algat e detit janë burimet më të mira ushqimore të jodit.
  • Vezët, perimet, mishi dhe produktet e qumështit: kini parasysh se sasia e jodit në këto ushqime ndryshon shumë.

Veganët mund të kenë nevojë të marrin në konsideratë suplementet e jodit ose ushqimet vegane të pasura me jod si qumështi i fortifikuar i sojës dhe algat e detit.

Kripa e jodizuar është burim i pasur i jodit dhe ka zëvendësuar kripën jo të jodizuar në shitjen e kripës për popullatën dhe për industrinë përpunuese të produkteve ushqimore. Buka e fortifikuar me kripë të jodizuar mund të sigurojë jod të mjaftueshëm për shumicën e njerëzve, pa pasur nevojë për kripë shtesë të jodizuar në dietën tuaj. Sasia e tepërt e kripës nuk është e mirë për shëndetin tuaj, kështu që kujdesuni që të merrni jodin edhe nga burime të tjera.

Sa jod u nevojitet njerëzve?

Vlerat e referencës ushqyese rekomandojnë marrjen ditore të jodit si në vijim:

  • Foshnjat e vogla të moshës 0-6 muaj kanë nevojë për 90 μg në ditë.
  • Foshnjat e rritura të moshës 7-12 muaj kanë nevojë për 110 μg në ditë.
  • Fëmijët e moshës 1-8 vjeç kanë nevojë për 90 μg në ditë.
  • Fëmijët e moshës 9-13 vjeç kanë nevojë për 120 μg në ditë.
  • Adoleshentët e moshës 14-18 vjeç dhe të rriturit, përfshirë gratë që nuk janë shtatzënë dhe nuk ushqejnë me gji kanë nevojë për 150 μg në ditë.
  • Gratë shtatzëna dhe gratë që përpiqen të mbeten shtatzënë kanë nevojë për 220 μg në ditë.
  • Gratë që ushqejnë fëmijën me gji kanë nevojë për 270 μg në ditë.

Pse disa njerëz nuk marrin mjaftueshëm jod?

Disa fëmijë nuk marrin mjaftueshëm jod.

Kjo mund të jetë për shkak se disa zona kanë nivele të ulëta të jodit në tokë, që do të thotë se perimet e rritura në këto zona nuk kanë shumë jod.

Shumë familje tani e përjashtojnë kripën nga dietat e tyre, duke çuar në konsum më të ulët të jodit. Edhe kur shtojnë kripë në ushqimet e tyre, shpesh është në formën e kripës së zakonshme ose kripës së detit, në vend të kripës së jodizuar.

Konsumimi i tepërt i jodit!

Është e mundur që të keni shumë jod, por konsumimi i një niveli rrezikshmërisht të lartë të tij është në fakt mjaft i vështirë. Për shembull, fëmija juaj do të duhet të hajë 1 kg djathë ose 25 vezë të ziera të plota ose të pijë 5 gota qumësht përnjëherë, për të konsumuar shumë jod.

Disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj marrjes së tepërt të jodit, gjë që mund të shkaktojë vështirësi me gjëndrat e tyre tiroide. Disa medikamente dhe suplemente mund të përmbajnë gjithashtu doza të larta të jodit.

Nëse jeni të shqetësuar se a po marrin fëmija dhe familja juaj mjaftueshëm jod, është mirë të flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor, si mjeku juaj i përgjithshëm ose një dietolog/e.