Koha e lojës duke bërë dush

Materialet që ju nevojiten: Lodrat për banjë apo disa gota apo enë plastike

Çfarë mund të bëni së bashku: Meqenëse çdo lojë është mundësi për zhvillim, shfrytëzojeni kohën e larjes për të inkurajuar të menduarit. Merrni disa gota plastike dhe eksploroni së bashku shkakun dhe efektin: kur gota është e mbushur me ujë – ajo fundoset nëse e shtyjmë gotën me dorë – fundoset dhe lundron nëse derdhim ujin duke mbajtur gotën lartë, e kështu me radhë. Varësisht nga interesi i tij/saj (përcillni udhëheqjen e tij/saj), tregojini këto apo gjëra të ngjashme përderisa ai/ajo është duke qëndruar në vaskë. Gjersa bëni këtë, përshkruani atë se çfarë ndodhë (oh, shikoje gotën, po zhytet nën ujë. Ja ku është!”). Inkurajoni lloje të ndryshme të lëvizjeve dhe inkurajoni fëmijën tuaj të argëtohet duke i buzëqeshur apo duke e lavdëruar sa herë që eksperimenton me diçka të re. Kjo do të inkurajojë edhe zhvillimin motorik të fëmijës tuaj. Koha e larjes i jep mundësinë fëmijës që të tregojë emocione të ndryshme – entuziazëm, kuriozitet, mbase edhe mërzi kur duhet të përfundojë banjën, pak frikë nëse uji duket i ftohtë dhe kështu me radhë. Vëzhgoni dhe kënaquni me rritjen e aftësisë së fëmijës tuaj që të shprehë të gjitha llojet e ndjenjave.

Çdo larje mund të jetë mundësi për këtë lloj aktiviteti, por në të njëjtën mënyrë mund të mbështesni edhe eksplorimin e fëmijës me materiale të tjera si rëra, zhavorri por mbase edhe me oriz të tharë apo ndonjë material tjetër. Duhet të jeni të kujdesshëm ndaj sigurisë; siç e dini, foshnjave ju pëlqen të vendosin gjërat në gojë.

Çfarë po mëson fëmija juaj: Për fëmijën tuaj, bota është ende një vend i pa eksploruar dhe me këtë aktivitetet ai/ajo mund të kuptojë sesi gjërat janë të ndërlidhura, si dhe të zhvillojë të kuptuarit dhe logjikën. Me ndihmën tuaj, larja i jep atij/asaj më shumë mundësi që të kuptojë sesi funksionojnë gjërat duke u argëtuar.