Kujdesi për kërthizën (kordoni umbilikal)
Cungu i kërthizës apo kordonit umbilikal të foshnjës suaj (pra çfarë ka ngelur pasi është prerë në maternitet): çfarë duhet të presësh
Pas lindjes së foshnjës suaj, kordoni i kërthizës pritet. Mamia juaj vendos një kapëse plastike ose lidhëse specifike në cungun që mbetet prapa. Ato bien vetë kur trungu i kërthizës është tharë.
Gjatë ditëve të para pas lindjes, cungu do të ndryshojë ngjyrë në kafe të errët, do të thahet dhe përfundimisht do të bjerë. Ndonjëherë ky proces zgjat për një javë ose dy. Nëse cungu i kordonit umbilikal nuk ka rënë pas më shumë se 3 javësh, ju mund të kontrolloni fëmijën tuaj tek infermierja e qëndrës shëndetësore të familjes tuaj ose mjeku pediatër.
Ndërsa trungu është tharë dhe ka rënë ju mund të vëreni rrjedhje apo si lagështirë rreth kërthizës dhe tek pjesa e barkut të foshnjës. Kjo mund të jetë e kthjellët, ngjitëse ose kafe, dhe mund të lërë një shenjë në rrobat ose pelenat e foshnjës suaj. Ajo gjithashtu mund të mbajë pak erë. Kjo është një pjesë normale e procesit të shërimit.
Pastrimi dhe kujdesi për kërthizën e foshnjës
Lani duart para se të trajtoni kërthizën e foshnjës dhe mos e prekni sa herë që të jetë e mundur.
Përdorni ujë për të mbajtur të pastër zonën e barkut afër kërthizës të foshnjës suaj. Zakonisht nuk keni nevojë të përdorni sapun, kremra, antiseptikë ose alkool për ta pastruar atë dhe nuk keni nevojë të lidhni kërthizën dhe zonën e barkut.
Sigurohuni që trungu të thahet siç duhet pas larjes. Trungu do të thahet dhe do të shërohet shumë më shpejt nëse e ekspozoni atë në ajër sa më shumë që të jetë e mundur. Mundohuni të mos e mbuloni atë me pjesën plastike të pampersit apo me pelena. Pampersin kapeni më poshtë dhe sa më larg nga cungu i kordonit umbilikal nëse mundeni.
Nëse cungu i kordonit umbilikal laget me urinë apo ndotet me fece atëherë lajeni atë duke përdorur ujë të pastër dhe një pastrues me pH neutral.
Asnjëherë mos u përpiqni të tërhiqni cungun e kordonit umbilikal nga vetja, edhe nëse duket sikur është gati të bjerë.
Granuloma e kërthizës
Sapo cungu të ketë rënë, disa foshnja mund të zhvillojnë një granulomë tek vendi ku ka rënë kordoni umbilikal. Kjo zakonisht duket si një gungë e vogël rozë ose e kuqe ekzakt atu ku është fundi i cungut të rënë. Ndonjëherë ajo mund të jetë e lagësht dhe duket si e njomë.
Një granulomë e kërthizës zakonisht është e padëmshme, por duhet t'i kërkoni mjekut ose infermieres së fëmijës që ta shikojë atë.
Hernia e kërthizës apo sic quhet ndryshe hernia umbilikale
Nëse foshnja juaj zhvillon një fryrje ose ënjtje pranë cungut te kordonit umbilikal kjo mund të jetë një hernie e kërthizës apo hernie umbilikale. Një hernie e kërthizës shpesh është më e dukshme kur fëmija juaj qan ose tensionohet për të defekuar apo kur do të nxjerrë gazrat. Kjo zakonisht nuk është e rrezikshme, dhe nuk e dëmton foshnjën tuaj.
Një hernie e kërthizës ndoshta do të mbyllet vetë në dy vitet e para të jetës, edhe pse disa mbeten të hapura në vitin e pestë ose më gjatë.
Infeksioni i cungut të kërthizës mund të jetë një komplikacion serioz, prandaj duhet ta coni foshnjën për vizitë tek mjeku juaj sa më shpejt që të jetë e mundur nëse zona e kërthizës dhe e barkut rrotull kërthizës të foshnjës suaj të bëhet e nxehtë, e kuqe ose e fryrë, dhe/ose nëse foshnja juaj ka ethe ose nuk është mirë, ose nëse ju jeni ende duke parë se ka akoma lëngje ngjitëse edhe disa ditë pasi cungu ka rënë.