Kur e ndjen se mund ta lëndosh fëmijën tënd

Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt dhe të mbrojtur nga abuzimi ndaj fëmijëve. Por të qenit prind nganjëherë mund të jetë barrë e tepërt dhe e rëndë. Prandaj, nëse mendon se nuk mund t’ia dalësh mbanë dhe mund ta lëndosh fëmijën, atëherë medoemos duhet të kërkosh ndihmë.
Body

Fëmijët dhe prindërit në rrezik për të abuzuar me fëmijët

Si prind ndonjëherë është normale të ndiheni se ju sprovohet kufiri i durimit. Mirëpo ndonjëherë mund të jetë edhe më keq.

Nëse ndiheni shumë të lodhur, të zhgënjyer nga sjellja sfiduese e fëmijës ose të shqetësuar nëse po bëni gjënë e duhur, mund të jetë e vështirë t’i kontrolloni emocionet dhe reagimet tuaja. Mungesa e mbështetjes së mjaftueshme, mund ta sfidojë edhe durimin dhe aftësinë për t’u bërë ballë situatave të këtilla.

Ndonjëherë mund të të lodhin problemet personale, emocionale, mjekësore ose financiare dhe ndjeni se nuk mund të kujdeseni si duhet për fëmijën.

Ose mund të keni pasur përvoja të vështira në të kaluarën tuaj, siç mund të jetë fëmijëria e palumtur ose ndonjë mungesë e mbështetjes familjare. Këto përvoja të së kaluarës mund të jenë sfiduese për ju si prind.

Nëse gjërat kanë dalë jashtë kontrollit për ju dhe ju zemëroheni me fëmijën tuaj – verbalisht ose fizikisht – atëherë ju rrezikoni ta dëmtoni fëmijën tuaj, madje edhe nëse nuk dëshironi.

S'është kurrë në rregull të lëndosh një fëmijë. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i sigurt dhe i mbrojtur.

Çfarë të bësh?

Nëse ndjen se mund ta lëndosh fëmijën tënd, ja çfarë duhet të bësh.

Aty për aty:

  • Ndalo.
  • Largohu dhe merr frymë thellë.
  • Telefono dikë për të folur me ty gjatë momentit, qoftë ndonjë pjesëtar i familjes, ndonjë mik ose paraqitu në një linjë për ndihmë prindërore.

Kur të jesh më i qetë:

  • Mendo se çfarë ka ndodhur dhe si ndikon te ti dhe te fëmija yt.
  • Bëj diçka për ta përmirësuar situatën.
  • Gjej mbështetje për t’i bërë ndryshimet.

Nëse mendon se mund ta lëndosh fëmijën ose e ke lënduar atë, është e rëndësishme që menjëherë të kërkosh ndihmë. Nëse fëmija ka nevojë për ndihmë mjekësore, telefono ambulancën.

Merr mbështetje për ta shmangur abuzimin me fëmijët

Nëse ndihesh sikur mund ta lëndosh fëmijën dhe i ke njohur këto ndjenja, mund të marrësh masa për ta shmangur këtë rrezik.

Ja disa njerëz që mund t'ju ndihmojnë:

  • këshillues në linjën telefonike për prindër
  • shërbimet e mbështetjes familjare në mjedisin tuaj 
  • mjeku juaj
  • një psikolog ose këshillues – mjeku juaj duhet të jetë në gjendje të sugjerojë profesionistët, nëse ju nuk dini për ndonjë vetë
  • punonjësi yt social
  • shërbimet e mbështetjes për parandalimin e dhunës në familje.

Të kërkosh ndihmë është çështje guximi, por gjithashtu tregon se ti:

  • e do fëmijën dhe  i ke në zemër interesat e tij më të mira
  • e kupton se ka një problem
  • ndërmerr përgjegjësi
  • do që gjërat të ndryshojnë për familjen tënde
  • je i angazhuar për t’i përmirësuar gjërat.

Mund të të ndihmojë, kur ta kuptosh se nuk je i vetmi prind që je përballë me kohëra të vështira. Çdo mjek, psikolog, këshillues, punonjës social dhe operator i linjës telefonike ka folur dhe ka ndihmuar dikë si ju.

Profesionistët mund të punojnë me ju dhe t’ju japin ide se si të jeni një prind më pozitiv. Duke kërkuar ndihmë, ju bëni gjënë më të mirë të mundshme për fëmijën, familjen dhe veten tuaj.