Kur fëmijët kërkojnë gjëra: si të përgjigjeni në mënyrën e duhur!

Pikat kryesore: Kur fëmija juaj kërkon diçka, dëgjojeni dhe mendoni para se të përgjigjeni. Nëse ju duhet të thoni “jo”, përpiquni së pari të negocioni dhe gjithmonë jepni arsye për refuzimin. Mënyra se si ju i përgjigjeni kërkesave të fëmijëve tuaj, i ndihmon ata që të mësojnë komunikimin, respektin dhe dakordësimin.
Body

Kërkesat e fëmijëve: pse është e rëndësishme të përgjigjeni në mënyrën e duhur!?

Fëmijët kërkojnë gjëra gjatë gjithë kohës - për shembull, “A mund të luaj në iPad-in tim?” ose “A mund të bëjmë një kek?”.

Kërkesës së parë mund t'i përgjigjemi lehtë - për shembull, “Po, mund të luash në iPad-in tënd”. Kërkesa e dytë e fëmijës është pak e vështirë, sepse nëse fëmija juaj dëshiron të përgatisë një kek duhet të mendoni nëse keni kohë për të filluar që të gatoni së bashku, për sigurinë në kuzhinë dhe për pastrimin e saj.

Kur fëmija kërkon diçka, është një mundësi për ta ndihmuar të mësojë të komunikojë mirë dhe t’i menaxhojë emocionet - pavarësisht se çfarë përgjigje keni ndërmend të jepni.

Përgjigja ndaj kërkesave

Hapat e mëposhtëm mund të jenë të dobishëm për t'ju ndihmuar si të përgjigjeni kur fëmija bën kërkesat e veta, pavarësisht nëse planifikoni të thoni po, jo ose ndoshta.

1. Bazojeni përgjigjen tuaj në mënyrën si ju pyet fëmija
Nëse ju pyet me mirësjellje, lavdërojeni fëmijën tuaj për përdorimin e shprehjeve të mirësjelljes. Kjo i dërgon mesazhin fëmijës se gjithmonë do t’i kushtoni vëmendje kur të përdorë fjalët e mirësjelljes "fjalët magjike" - edhe nëse nuk mund t'i thoni “Po” gjithmonë.

Nëse fëmija ju pyet me ton urdhërues ose duke u ankuar, tregojini se po prisni të dëgjoni në fillim shprehjet e mirësjelljes. Për shembull, ju mund t'i thoni, “Ana, të lutem a mund të flasësh më qetë?” ose “A mund të më pyesësh në mënyrë më të bukur, të lutem?”.

2. Dëgjoni
Ndaloni një çast për të kuptuar se çfarë kërkon fëmija juaj. Tregoni se keni dëgjuar dhe kuptuar - në këtë mënyrë fëmija juaj do të ketë më shumë gjasa ta pranojë përgjigjen tuaj. Mund të ndihmojë, gjithashtu, nëse tregoni pak ndjeshmëri, edhe nëse keni në plan të mos thoni “Po”. Për shembull, “Oh, duket zbavitëse dhe e kuptoj pse do të shkosh atje”.

3. Bëni një ndërprerje dhe vendosni
Një pauzë e shkurtër ju jep një shans për të menduar për kërkesën. Gjithashtu, i dërgon fëmijës tuaj mesazhin se po mendoheni pak për t'u përgjigjur. Pyeteni veten: “A kam nevojë të them jo, apo mund të them po? Nëse nuk them po, a mund t'i ofroj diçka tjetër?”

Shpesh, do të jeni në gjendje të thoni “po”. Në raste të tjera, mund të jeni në gjendje të negocioni me fëmijën tuaj dhe të gjeni një zgjidhje të pranueshme për të dy. Sido që të jetë, përgjigjet e qëndrueshme dhe të drejta nga ju do ta ndihmojnë fëmijën tuaj të mësojë mënyrën më të mirë për t'i kërkuar gjërat.

Kur duhet të thoni jo

Të thuash jo mund të jetë e vështirë - në fund të fundit, ju doni ta bëni fëmijën tuaj të lumtur. Por, ndonjëherë, fëmijët nuk mund ta kenë atë që duan. Ja si të thoni “jo” dhe të funksionojë për ju:

  • Së pari tregojini arsyen tuaj. Nëse keni vendosur të thoni “jo”, së pari, jepni arsyet tuaja. Kjo do ta ndihmojë fëmijën që të kuptojë vendimin tuaj. Nëse fëmijët ndihen të zhgënjyer, sepse i keni thënë “jo”, ata mund të mos e marrin parasysh arsyen. Për shembull, “Tani nuk mund të bëjmë një shëtitje të gjatë, sepse nuk kemi kohë. Do ta bëjmë një herë tjetër”.
  • Qëndrojini vendimit tuaj. Nëse e ndryshoni vendimin, fëmija do të mësojë se “jo-ja” që i keni dhënë nuk është përfundimtare dhe ia vlen të diskutojë me ju. Nëse dorëzoheni kur fëmija juaj sillet keq, ai/ajo do të mësojë se kjo është një mënyrë për ta marrë atë që dëshiron.
  • Ofrojini diçka tjetër, nëse mundeni. Për shembull, “Unë nuk mund ta blej këtë, sepse është shumë e shtrenjtë. Le të shkojmë në shtëpi dhe të gatuajmë së bashku. Çfarë do që të përgatisim?”.
  • Jepini përgjigje konstruktive. Nëse fëmija e pranon “jo-në” për përgjigje, jepini shumë lavdërime. Për shembull, “Më pëlqeu shumë mënyra se si the “Në rregull” kur të thashë “jo”. Ose “Ishte mirë se si e punuam këtë së bashku”.

Të jesh në gjendje të pranosh refuzimin për një përgjigje është një aftësi e rëndësishme shoqërore dhe emocionale. Është pjesë e ndihmës për fëmijët, që të mësojnë se si të vetë-rregullohen dhe ta përballojnë zhgënjimin. Thënia “jo” fëmijës suaj gjithashtu i tregon se kur dhe si do të marrë përgjigje pohuese.

Ulja e numrit të përgjigjeve negative

Një nga mënyrat më të mira për ta ndihmuar fëmijën të mësojë se si ta përballojë përgjigjen “jo” është të mos e thoni shpesh. Kur nuk thoni “jo” për vendimet që kanë vërtet rëndësi, fëmija do ta marrë refuzimin më seriozisht.

Në vijim, jepen disa ide për të ulur numrin e përgjigjeve refuzuese:

  • Vendosni disa rregulla themelore. Për shembull, para se të bëni pazar, flisni me fëmijën tuaj se çfarë do të blini. Lëreni fëmijën të kuptojë se çfarë prisni prej tij/saj dhe rregullat për t'i kërkuar gjërat. Kjo mund ta zvogëlojë numrin e herëve, që duhet t'i thoni jo. Për shembull, “Do të hamë ushqim kur të kthehemi në shtëpi”, ose “Nuk do të blejmë asgjë tjetër përveç listës që kemi bërë”.
  • Thoni “po” nëse mundeni. Për shembull, “Në rregull, Andi mund të vijë pas kopshtit/shkollës nëse e lejon babai i tij”.
  • Negocioni në vend që të thoni jo - por, vetëm nëse fëmija juaj është i gatshëm të negociojë dhe të bëjë kompromis me ju. Për shembull, “Nuk mund të shkojmë në këndin e lojërave sot, por mund të shkojmë nesër”.

Fëmijët mësojnë të parashikojnë atë për të cilën prindërit e tyre do të thonë “po”, bazuar në përvojën e kaluar. Kjo do të thotë se ata bëhen më bindës dhe, gjithashtu, do të thotë që ju duhet t’i kushtoni vëmendje dhe të jeni të vendosur në përgjigjen që jepni, qoftë ajo miratuese ose refuzuese.

Kërkimi i gjërave në mosha të ndryshme

Fëmijët shpesh e kërkojnë hapur atë që duan. Për shembull, ata mund ta kërkojnë me zhurmë ose ta tregojnë me gisht atë që duan. Por kur u thoni jo, fëmijët e vegjël mund ta kenë vështirë të menaxhojnë zhgënjimin. Nervozizmi nga ana e tyre është një përgjigje normale kur nuk u plotësohet kërkesa, sepse fëmijët e vegjël janë në procesin e zhvillimit të aftësive gjuhësore dhe të vetë-kontrollit.

Në moshën shkollore, fëmijët kanë më shumë aftësi gjuhësore, që mund t’i përdorin për të negociuar dhe për të bërë kompromis kur kërkojnë gjëra. Rreth moshës 8-vjeçare, mund të prisni që fëmija t'ju japë disa arsye bindëse se pse duhet ta lini të ketë ose të bëjë diçka.

Kur i thoni jo fëmijës në moshë shkollore, ai/ajo do të zhgënjehet, por ka më pak të ngjarë të  zemërohet sesa një fëmijë më i vogël. Kjo ndodh, sepse ai/ajo e ka përmirësuar vetë-rregullimin dhe e kupton pse ia refuzoni kërkesën.