Le t'i mbledhim së bashku!

Materialet që ju nevojiten: Çdo objekt i vogël që fëmija juaj mund të kënaqet duke përzgjedhur dhe një enë në të cilën mund t'i mbledhë objektet.

Çfarë mund të bëni së bashku: Ndërsa fëmija juaj rritet, ajo ose ai natyrshëm do të preferojë që të përdorë një dorë më shumë sesa një tjetër. Ju nuk keni nevojë që t’i mësoni fëmijës tuaj këtë gjë. Në vend të kësaj, jepini fëmijës suaj shumë mundësi dhe mënyra për të përdorur duart e tij/të saj. Një lojë mund të jetë që ai/ajo të vendosë disa sende të vogla (gjithçka që është e sigurt) në dysheme brenda një shporte ose në një kuti të vogël. Me ju pranë për siguri (sepse fëmijët vendosin sende të vogla në gojën e tyre), inkurajoni fëmijën tuaj që të vendosë sendet brenda në kuti dhe t'i nxjerrë sërish jashtë ato. Mund ta bëni së bashku, duke thënë gjëra të tilla si: “Ja ku futet në kuti edhe një tjetër kub. Edhe një tjetër... Tani është radha jote!" 

Me kalimin e kohës është interesante të vini re nëse fëmija juaj përdor të dyja duart në të njëjtën mënyrë, ose nëse ai/ajo preferon të përdorë një dorë më shumë sesa tjetrën. Ju mund ta kuptoni këtë edhe kur fëmija juaj luan jashtë duke marrë shkopinj ose gjethe, apo në shtëpi ndërsa ajo/ai merr një lugë ose një filxhan.

Çfarë po mëson fëmija juaj:  Përvojat me manipulimin e objekteve janë të gjitha pjesë të zhvillimit të "motorikës fine" - aftësi që më vonë do ta ndihmojnë fëmijën të mbajë lapsin për të shkruar. Përvojat e përditshme janë argëtuese dhe të rëndësishme. Kjo veprimtari gjithashtu mund të nxisë zhvillimin e gjuhës nëse emërtoni objektet që përdorni gjatë lojës.