Loja me foshnjen e porsalindur

Loja është e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm të të porsalindurit, për mësimin, mirëqenien dhe lidhjen. Loja me të porsalindurin tuaj ka të bëjë me bashkëveprimin me foshnjen tuaj. Idetë për lojë me të porsalindurin tuaj përfshijnë buzëqeshjet, fryrjen me buzë dhe vendosjen e foshnjes në bark.
Body

Loja me të porsalindurit: pse është e rëndësishme!?

Loja është thelbësore për zhvillimin, mësimin dhe mirëqenien e përgjithshme të foshnjes suaj.

Nëpërmjet lojës, foshnja juaj mëson për botën rreth tij/saj dhe se si mund të ndërveprojë me të. Përvojat e reja të lojës gjithashtu i ndihmojnë pjesët e trurit të tyre të ndërlidhen dhe të rriten. Loja e nxit të porsalindurin të lëvizë dhe të ndërtojë fuqinë e muskujve, të ndërtojë aftësitë e përgjithshme dhe të buta motorike.

Duke luajtur me të porsalindurin tuaj e ndihmoni atë të mësojë të flasë dhe të kuptojë. Ju mund të mos keni gjithmonë kohë për të lënë çdo punë dhe për të luajtur, por përsëri mund të bisedoni me foshnjen tuaj për atë që po ndodh - për shembull, gjatë përgatitjes së darkës, pazarit ose palosjes së rrobave.

Duke luajtur së bashku ju ndihmon ju dhe të porsalindurin tuaj të njiheni me njëri-tjetrin. Kjo për shkak se loja mund t’ju tregojë shumë për personalitetin e tij/saj. I/e ashpër dhe i/e lëvizsshëm/e apo i/e heshtur dhe i/e qetë, së shpejti do ta dini se çfarë pëlqen i/e porsalinduri/a juaj.

Kur luani me foshnjen tuaj, ai/ajo mëson të besojë dhe të varet nga ju, dhe lidhja mes jush bëhet më e fortë. Kjo e ndihmon atë  të ndjehet i/e dashur dhe i/e sigurt.

Ide për lojëra me foshnjat e porsalindura

Loja me të porsalindurin tuaj ka të bëjë me ndërveprimet midis jush dhe tij/saj, dhe jo me lojërat dhe lodrat. Kjo do të thotë se gjithçka që ju nevojitet për ta filluar lojën jeni ju dhe foshnja juaj.

Këtu janë dhënë disa ide për të luajtur me foshnjat e porsalindura:

  • Këndoni, bisedoni, guduliseni, numëroni gishtat, fryni buzët - gjërat e thjeshta janë gjërat më të mirat për të porsalindurit. Ato gjithashtu i duan vjershat për fëmijë që përfshijnë prekje si për shembull “Topi rrotullohet”. Vjershat për fëmijë ose këngët tradicionale nga kultura dhe gjuha juaj janë shumë të dobishme.
  • Bëni shprehi të ndryshme të fytyrës, buzëqeshni, qeshni, rrotulloni sytë ose nxirrni gjuhën jashtë. I porsalinduri juaj do ta shikojë fytyrën tuaj. Ndryshimi i pelenës është një kohë e mrekullueshme për të luajtur sy më sy.
  • Jepini objekte të ndryshme - lodrat e buta, rrake-taket ose librat me imazhe të ndryshme janë shumë argëtuese për foshnjen tuaj. Ndjesia e gjërave të ndryshme e ndihmon atë të mësojë për botën që e rrethon.
  • Jepni gjëra të ndryshme për të parë - jashtë, brenda, njerëz të ndryshëm ose dhoma të ndryshme.
  • Çdo ditë vendoseni të porsalindurin tuaj të qëndrojë në bark. Kjo i jep mundësinë atij/asaj të praktikojë mbajtjen e kokës dhe i mundëson t’i shohë gjërat në një këndvështrim tjetër. Gjithmonë mbajini sytë tek foshnja juaj gjatë kohës së qëndrimit në bark, pastaj vendoseni në shpinë për të fjetur.
  • Bisedoni ose lëshoni tinguj me të porsalindurin tuaj dhe prisni që ai/ajo të përgjigjet. Mund të zgjasë pak kohë, por do të habiteni se sa “ka për të thënë” foshnja juaj. Kjo i tregon të porsalindurit tuaj se bisedat kanë të bëjnë me të folurit me radhë, dëgjimin dhe përgjigjen.
  • Provoni të lexoni me foshnjen tuaj. Kurrë nuk është shumë herët për të filluar, por mos harroni të mbani librin afër - të sapolindurit mund të shohin vetëm rreth 20-30 cm para tyre.

Dhe mos harroni të kënaqeni edhe ju. Loja funksionon nëse është zbavitëse.

Ndiqni sinjalet e foshnjes suaj. Edhe foshnjat me shumë energji kanë nevojë për pushim dhe mund të ndjehen të lodhur, nëse vazhdoni të përpiqeni të luani me ta kur janë të lodhur. Nëse foshnja juaj e porsalindur duket i/e trembur ose i/e mërzitur, provoni pak më vonë të luani një lojë më të qetë.