Luajmë edhe në kohën që lahemi!
Materialet që ju nevojiten: lodra plastike që përdoren për të luajtur në vaskë, ose disa gota plastike dhe enë.
Çfarë mund të bëni së bashku: Përdorni kohën që do lani fëmijën për të inkurajuar të menduarit dhe zhvillimin njohës. Merrni disa gota plastike dhe eksploroni së bashku efektin shkak-pasojë. Mbushni një gotë plastike me ujë dhe kur të jetë mbushur plot, tregoni fëmijës që po të vendoset në ujë ajo 'fundoset'. Po kështu, mund të mbani gotën lart në ajër dhe tregojini fëmijës se si uji derdhet kur e shtrëngoni gotën plastike.
Përshkruani se çfarë po ndodh ndërsa e bëni këtë aktivitet duke thënë: “Oh, shikoje gotën! Po shkon poshtë, shumë poshtë nën ujë. Dhe ja ku u fundos në ujë! “ Me ndihmën tuaj, koha e banjës i jep fëmijës mundësinë për të kuptuar se si funksionojnë gjërat, ndërkohë që argëtohet. Inkurajoni lloje të ndryshme të lëvizjes dhe nxisni fëmijën tuaj të bashkohet duke i buzëqeshur dhe duke e lavdëruar kur eksperimenton me diçka të re. Koha e banjës gjithashtu i jep fëmijës tuaj një mundësi për të treguar shumë emocione të ndryshme - ekzaltim, kuriozitet ose trishtim kur loja mbaron. Vini re dhe shijoni aftësinë në rritje të fëmijës suaj për të shprehur të gjitha llojet e emocioneve.
Ju mund ta bëni këtë aktivitet në kohën që lani fëmijën edhe duke përdorur materiale të tjera (mund të përfshini edhe rërë, zhavorr ose oriz të thatë) me qëllim që të nxisni sa më shumë eksplorimin te fëmija. Gjithmonë jini shumë të kujdesshëm, pasi fëmija mund t'i fusë këto materiale në gojë.
Çfarë po mëson fëmija juaj: Me këtë aktivitet fëmija juaj mund të kuptojë ngadalë se si gjërat janë të ndërlidhura dhe do të zhvillojë mirëkuptimin dhe logjikën. Ky aktivitet gjithashtu do të ndihmojë zhvillimin motorik të fëmijës suaj.