Makthet gjatë natës!

Makthet janë ëndrra të këqija që mund t’i zgjojnë fëmijët nga gjumi duke i lënë të ndihen të frikësuar dhe të mërzitur. Jini të durueshëm nëse fëmija juaj përjeton makthe gjatë natës. Ai/ajo mund të ketë nevojë që ju ta siguroni se gjithçka është në rregull. Nëse fëmija juaj përjeton shumë makthe, përpiquni të mësoni çfarë bën ose sheh gjatë ditës, prej të cilave mund t’i shkaktohen makthet ose çfarë ndodh me lajmet që lidhen me ngjarje të rënda e situata të frikshme. Makthet mund të shkaktohen nga stresi dhe trauma. Vizitoni një profesionist të kujdesit shëndetësor nëse jeni të shqetësuar për mos kapërcimin e tyre nga fëmija.
Body

Çfarë janë makthet te fëmijët?

Makthet janë ëndrra të këqija që mund t’i zgjojnë fëmijët nga gjumi dhe duke i bërë të ndihen të frikësuar dhe të mërzitur.

Është normale që fëmijët të kenë makthe:

  • për rreziqe reale siç janë qentë agresivë, peshkaqenët ose merimangat,
  • për frikëra imagjinare si përbindëshat dhe fantazmat,
  • për ngjarje shqetësuese që kanë parë, dëgjuar ose përjetuar (ndryshimet në jetën e tyre për shkak të pandemisë, për shembull).

Në varësi të aftësisë së tyre gjuhësore, fëmijët ndonjëherë mund t’jua tregojnë me detaje ëndrrat e këqija që kanë parë.

Makthet ndodhin, zakonisht, në gjysmën e dytë të natës, kur fëmija bën gjumë të lehtë dhe ëndërron. Disa fëmijë më të vegjël mund ta kenë të vështirë të kthehen në gjumë pas një makthi.

Këshilla si të veproni pas maktheve dhe ëndrrave të këqija të fëmijës

Fëmijët shpesh zgjohen të përlotur dhe të shqetësuar pas një makthi. Ata kanë nevojë për përkujdesje nga ana juaj. Ndërsa rriten, fëmijët do të kuptojnë më mirë se makthi është vetëm një ëndërr e keqe.

Në vijim, janë dhënë disa ide për t’ju ndihmuar si të veproni në rastin e maktheve, ose të ëndrrave të këqija që ka parë fëmija juaj:

  • Nëse fëmija juaj zgjohet për shkak të një makthi, qetësojeni duke i shpjeguar se ka qenë vetëm një ëndërr e keqe. Sigurojeni se gjithçka është në rregull tani që u zgjua dhe se ai/ajo është i/e sigurt. Një puthje dhe një përqafim mund ta ndihmojë fëmijën të qetësohet përsëri.
  • Tregojini fëmijës suaj se është normale të ndihet i frikësuar pas një makthi. Shmangeni mospërfilljen e frikës ose mos i thoni fëmijës se po sillet si frikacak/e, sepse makthet mund t’u duken frikëra të vërteta.
  • Nëse fëmija juaj parashkollor(mosha 3-6 vjeç) ka parë në ëndërr përbindësha, shpjegoni se përbindëshat janë vetëm fantazi. Ju mund t'i thoni që gjërat e imagjinuara mund të jenë të frikshme, por ato nuk mund t’i dëmtojnë fëmijët.
  • Jini të durueshëm nëse fëmija juaj flet për makthin ditën e nesërme. Dëgjojini shqetësimet e tij/saj - mos i hidhni poshtë dhe mos i nënvlerësoni ato. Fuqia emocionale e ëndrrës së keqe, mund të zvogëlohet nëse ju flisni me qetësi për të. Por nëse fëmija juaj duket se e ka harruar makthin, ndoshta është më mirë të mos e hapni më këtë temë.
  • Teksa fëmija juaj rritet, shpjegojini se parja e një ëndrre të keqe është diçka që mund të kalojë vetvetiu dhe fëmija mund të fillojë të flejë sërish gjumë pa patur nevojë për t’u qetësuar nga ana juaj. Ju mund të përdorni lavdërime - për shembull, “Ti nuk kishe nevojë për mua pas ëndrrës së keqe që pe mbrëmë. Ti vërtet ishe në gjendje ta qetësoje veten tënde!”

Provoni idetë e mëposhte nëse fëmija juaj ka shumë makthe ose ëndërron për të njëjtën gjë në vazhdimësi:

  • Pyeteni butësisht fëmijën për marrëdhëniet me fëmijët e tjerë, shfaqjet televizive, lojërat kompjuterike ose përvojat e tjera gjatë ditës.Në këtë mënyrë, ju mund ta ndihmoni fëmijën t’i shmangë përvojat që mund të shkaktojnë makthe. Për shembull, nëse fëmija juaj e ka parë filmin “Harry Potter” dhe ka makthe për përbindëshat, mund të jetë një ide e mirë që ai/ajo të mos e shikojë filmin për një kohë të caktuar.
  • Bisedoni me fëmijën në nivelin e tij/saj të të kuptuarit për ngjarjet në lajme ose në jetën e përditshme. Si i kupton fëmija juaj këto ngjarje dhe cilat janë shqetësimet që i japin ato?
  • Ndihmojeni fëmijën ta ndryshojë një ëndërr të përsëritur. Për shembull, nëse ëndrra shpesh përfshin një alien të frikshëm, sugjerojini fëmijës të ketë një shkop magjik në ëndërr, me anë të të cilit e bën alienin të zhduket. Nxiteni fëmijën të gjejë mënyra si të bëhet heroi në ëndrrat e këqija. Fëmija mund të mendojë për këto mënyra edhe gjatë ditës.
  • Sigurohuni që fëmija juaj të flejë rregullisht.
  • Nëse fëmija juaj është i prirur ndaj ankthit ose stresit, mendoni se si mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të qetësohet para gjumit.

Marrja e ndihmës

Mund të jetë një ide e mirë të kërkoni këshilla profesionale nëse fëmija juaj përjeton makthe nga ëndrrat që sheh dhe, gjithashtu, ka gjendje ankthi edhe gjatë ditës.

Gjithashtu, kërkoni ndihmë nëse fëmija juaj sheh makthe për shkak se ka kaluar një ngjarje traumatike - për shembull, një fatkeqësi natyrore si rënia e zjarrit, një aksident me makinë etj.

Çfarë i shkakton makthet?

Të shohësh ëndrra të këqija është diçka normale, që u ndodh pothuajse të gjithë njerëzve. Por nëse fëmija juaj i shikon ato në mënyrë të vazhdueshme, atëherë do të thotë se ka diçka që e shqetëson fëmijën nga ana emocionale. Megjithatë ju nuk duhet të shqetësoheni.

Fëmijët me fantazi të zhvilluar mund të kenë makthe më shpesh se fëmijët e tjerë. Përsëri, nuk keni nevojë të shqetësoheni.

Por nëse fëmija juaj përjeton një makth, i cili përsëritet vazhdimisht, ose sheh një ëndërr të caktuar nga e cila zgjohet i/e frikësuar, ai/ajo mund të jetë duke përjetuar ndonjë lloj stresi ose shqetësimi gjatë ditës.

Ngjarjet traumatike, gjithashtu, mund të shkaktojnë ankth. Nëse një fëmijë ka përjetuar ndonjë lloj ngjarje traumatike, ai/ajo mund të ketë makthe prej saj për disa javë ose muaj më pas.