Mastiti dhe abscesi i gjirit!
Nëse mastiti nuk trajtohet në një fazë të hershme, ai mund të kthehet në një absces (formimi i një vatre lokale me qelb në gji). Zona e gjirit me absces është e nxehtë, e dhimbshme, e mbushur me lëngje, e fryrë ose mund të shfaqet një dalje nga ku del qelbi.
Nuk ka konsensus midis ekspertëve nëse termi mastit gjithmonë do të thotë një infeksion bakterial; sigurisht që është gjithmonë një proces inflamator. Shkaku më i zakonshëm i mastitit akut është stafilokoku pyogenik, i cili prodhon toksina përgjegjëse për simptoma të tilla si ethe, të dridhura, gjendje e rënduar, dhe në rastet më të rënda - abscesi i gjirit. Mastiti gjithashtu mund të shkaktohet nga mykozat, veçanërisht nëse fëmija ka myk në gojë. Gjatë mastitit akut, mund të ndiheni shumë keq; por do përmirësoheni shpejt me trajtimin e duhur.
Kjo ndodh më shpesh në javët e para pas lindjes, edhe pse mund të ndodhë në çdo kohë gjatë laktacionit. Ndryshe nga fryrja e gjirit dhe bllokimi i kanaleve të qumështit, mastiti ndodh në njërin gji!
Shkaqet e mastitit
Të gjithë faktorët që çojnë në fryrjen dhe tendosjen e gjirit gjithashtu kontribuojnë në zhvillimin e mastitit.
- Thithkat e plasaritura.
- Një infeksion që transmetohet nga thithka përmes kanaleve të qumështit, brenda në gji.
- Kanalet e qumështit të zbrazura në mënyrë të papërshtatshme ose të patrajtuara.
- Infeksioni në gojën e foshnjës.
- Ndërprerje e papritur e dhënies së gjirit
Trajtimi i mastitit
- Kontaktoni mjekun tuaj dhe përdorni medikamente kundër infeksionit, dhimbjes dhe etheve, sipas këshillës së mjekut.
- Trajtimi me antibiotikë është i nevojshëm nëse nëna ka ethe për më shumë se 24 orë, nëse simptomat vazhdojnë pas 24 orësh të ushqyerjeve me gji të shpeshta dhe efikase ose zbrazjes së gjirit, nëse gjendja e nënës përkeqësohet.
- Mos e ndalni dhënien e gjirit (përveç nëse rekomandohet nga mjeku).
- Sigurohuni që foshnja të jetë e pozicionuar saktë në gji dhe të korrigjoni pozicionin nëse është e nevojshme.
- Pas çdo ushqyerje me gji, shtrydhni qumështin nga gjiri i prekur.
- Aplikoni kompresa të ftohta pas shtrydhjes, deri në 15 minuta çdo orë.
- Pushoni sa më shumë që të jetë e mundur, derisa infeksioni të zhduket, por pa ndërprerë dhënien e gjirit (nëna po pushon, jo gjiri!).
Nëse mastiti përsëritet, i njëjti rajon preket gjithmonë, skuqja dhe ënjtja nuk kalojnë, konsideroni praninë e një abscesi (rekomandohet ekzaminimi me ultratinguj i gjirit dhe, në bazë të gjetjeve, konsultohuni me një kirurg). Nëse ndodh një absces, është e nevojshme trajtimi kirurgjikal (prerja dhe kullimi/drenimi i abscesit).
Nëse keni pyetje ose dyshime rreth prodhimit të qumështit nga gjinjtë, kontaktoni me mjeken dhe infermieren e konsultorit të fëmijës, ato do t'ju ofrojnë ndihmë profesionale dhe këshilla dhe do t'ju ndihmojnë të qetësoheni.