Mbajtja e laktacionit!
Të porsalindurit në njësitë e posaçme dhe në ato të kujdesit intensiv mund të thithin gjirin në qoftë se ata kanë refleksin e koordinuar thithje-gëlltitje-frymëmarrje (zakonisht rreth javës së 34-të barrës), nuk janë në ventilim mekanik dhe janë klinikisht të qëndrueshëm.
Foshnjat e vogla nën 34 javë të shtatzënisë, fëmijët me ventilim mekanik ose ata që sëmundja e tyre u përkeqësohet, nuk mund të thithin gji. Fëmijët me qiellzë të çarë, anomali të tjera, të tilla si defektet e zemrës, çrregullime neurologjike ose gjenetike, si sindroma Dawn, mund të kenë vështirësi në thithjen e gjirit. Në këto situata, foshnja mund të ushqehet me qumësht gjiri në një mënyrë që i përshtatet më mirë gjendjes së saj, derisa ajo të jetë në gjendje të thithë.
Nëse jeni të ndarë nga i porsalinduri juaj për më shumë se gjashtë deri në tetë orë, (foshnja prematurë, i porsalinduri i sëmurë i vendosur në një njësi të kujdesit intensiv ose i transferuar në një institucion tjetër), ju duhet të filloni të zbrazni gjinjtë tuaj. Në këtë mënyrë, do të stimuloni prodhimin e qumështit dhe do t'i mundësoni foshnjës të marrë qumështin tuaj, ushqimin më të mirë të mundshëm.
Qumështi juaj është ushqimi më i mirë për foshnjën tuaj. Kur je i ndarë nga fëmija yt i lindur para kohe ose i sëmurë, të duket se nuk mund të bësh asgjë për të. Qumështi yt është në fakt diçka që vetëm ti mund t'ia japësh foshnjës.
Këshilla për shtrydhjen me dorë të qumështit të gjirit
- Ju duhet të zbrazni gjinjtë rregullisht, 6-8 herë në 24 orë, në mënyrë që të imitoni stimulimin e gjirit të siguruar nga një i porsalindur i shëndetshëm dhe i lindur në kohë,i cili është me nënën e tij/saj.
- Shtrydhja me dorë duhet të zgjasë 20 minuta; periudha midis dy sesioneve nuk duhet të jetë më e gjatë se 5 orë dhe duhet ta bëni patjetër të paktën një herë gjatë natës.
- Në seancat e para, sasia e qumështit mund të jetë minimale; ajo rritet me praktikën.
- Ju mund të aktivizoni refleksin e ejeksionit të qumështit (refleksin e oksitocinës) kur jeni në një pozicion të rehatshëm dhe të relaksuar, duke menduar për foshnjën tuaj, duke mbajtur foton e saj ose një lodër, duke e parë atë nëse jeni së bashku, duke ngrohur butësisht dhe duke e masazhuar gjoksin, duke stimuluar butësisht thithkën midis gishtit të madh dhe tregues .
- Është e rëndësishme të kujdeseni për higjienën e duarve dhe higjienën e enëve për mbledhjen dhe ruajtjen e qumështit.
- Ashtu si ushqyerja me gji, shtrydhja me dorë është një aftësi që mësohet. Ju do të merrni këshillat dhe ndihmën e nevojshme nga stafi në maternitet ose njësinë e kujdesit intensiv; Mos ki frikë të kërkosh ndihmë.
Shtrydhja me dorë rekomandohet në fillim. Përveç grumbullimit të qumështit, shtrydhja me dorë mund të ndihmojë në lehtësimin e ndjenjës së parehatshme të zmadhimit në gjoks, në zvogëlimin e ënjtjes së areolës së një gjiri të tendosur, në mënyrë që foshnja të mundet ta kapë atë, në zhbllokimin e kanaleve të bllokuara të qumështit . Në këto raste, shtrydhja me dorë merr shumë më pak kohë.
Pompat, manuale ose elektrike, mund të lehtësojnë ndjeshëm mbledhjen e qumështit, veçanërisht nëse fëmija nuk do të jetë në gjendje të thithë gji për një kohë të gjatë, ose nëna dhe fëmija janë ndarë për arsye të tjera (sëmundja e nënës ose kthimi i hershëm në punë). Pompat elektrike të gjeneratës së re janë përshtatur për nevojat e ndryshme të nënave; një disavantazh është çmimi i tyre i lartë. Pajisjet e pompimit duhet të mbahen dhe të sterilizohen sipas udhëzimeve të prodhuesit.
Mbajtja e laktacionit mund të jetë e vështirë dhe stresuese për nënën, veçanërisht nëse ndahet nga fëmija për një kohë të gjatë. Nëse dështon, duhet të dish se ka formula të specializuara, të përshtatura sipas nevojave të fëmijës. Përveç ushqimit, marrëdhënia dhe dashuria e ngrohtë dhe mbështetëse që i jepni fëmijës suaj luajnë një rol kyç në rritjen dhe zhvillimin optimal të tij/saj.