Mbështetja e vëllezërve dhe e motrave të fëmijëve me aftësi të kufizuara

Në mënyrë tipike, fëmijët me zhvillim normal duhet ta ndiejnë se janë të rëndësishëm, po aq sa edhe vëllezërit e motrat e tyre me aftësi të kufizuara. Ju mund t’i mbështesni fëmijët me zhvillim normal duke folur me ta, duke kaluar kohë së bashku dhe duke i zgjidhur problemet së bashku. Ju mund t'i ndihmoni fëmijët me zhvillim normal, që të lidhen me njerëzit jashtë familjes përmes klubeve sportive, aktiviteteve jashtëshkollore, kohës me miqtë dhe grupeve mbështetëse.
Body

Mbështetja e fëmijës me zhvillim normal

Zakonisht, fëmijët me zhvillim normal kanë një sërë ndjenjash për vëllezërit dhe motrat me aftësi të kufizuara. Këta fëmijë duhet të ndiejnë se janë po aq të rëndësishëm për ju sa fëmija tjetër me aftësi të kufizuara - që ju kujdeseni për ta dhe për problemet e tyre, gjithashtu.

Në vijim, janë dhënë disa ide për mbështetjen e fëmijëve me zhvillim normal, kur jetojnë së bashku me vëllla ose me motër me nevoja të veçanta.

Jepini rëndësi marrëdhënies vëllazërore të fëmijës me zhvillim normal me fëmijën me nevoja të veçanta.

Kur ju kërkoni të gjeni aktivitete që fëmija i pëlqen t’i bëjë me motrën ose vëllain me aftësi të kufizuara, ju mund ta ndihmoni fëmijën të përqendrohet në gjërat pozitive.

Për shembull, mund të vini re se fëmijët tuaj po argëtohen dhe po qeshin ndërsa luajnë së bashku me makina. Në këtë rast mund t’u thoni: “Bledi, sa po qesh tani që po luan me vëllanë tënd. Duket që kjo po të bën shumë të lumtur”.

Flisni për ndjenjat me fëmijën që ka zhvillim normal

Kur e nxisni fëmijën tuaj t’i ndajë mendimet dhe ndjenjat me ju, dhe kur dëgjoni pa gjykuar ose fajësuar, ju i dërgoni mesazhin se është normale që fëmija juaj të ndihet ashtu siç po ndihet. Për shembull, “Unë e kuptoj që ndihesh i zemëruar, kur motra t’i tërheq flokët”.

Ju, gjithashtu, mund të flisni me fëmijën tuaj se si vëllai ose motra e tij/saj me aftësi të kufizuara mund të mendojë dhe të ndiejë. Për shembull, “Unë e di se vëllai yt nuk flet dot, por ai kënaqet kur ti luan me të”. Kjo mund ta ndihmojë fëmijën të kuptojë se si e sheh botën vëllai ose motra e tij/saj me aftësi të kufizuara.

Duke folur për ndjenjat tuaja

Kur flisni për ndjenjat tuaja në lidhje me kufizimet e fëmijës suaj, ju jepni një shembull të mirë për fëmijën ose fëmijët tuaj të tjerë. Është gjë e mirë që t’u tregoni fëmijëve tuaj se edhe ju keni ndjenja të ndryshme për situatën.

Në vijim, janë disa shembuj se si mund të flisni për ndjenjat tuaja:

  • “U ndjeva i\e lumtur kur e ndihmove vëllain tënd të vinte kapelën e tij”.

  • “Arta ra nga krevati dhe është lënduar pak. Ndihem pak e mërzitur për këtë gjë”.

  • “Mërzitem kur njerëzit më bëjnë shumë pyetje për motrën tënde, por, gjithashtu, ndihem i\e lumtur që ata janë të interesuar. Ndonjëherë u them atyre se nuk dua të flas për këtë gjë”.

Kaloni kohë me fëmijën tuaj me zhvillim normal

Përmbushja e kërkesave dhe e nevojave të të gjithë anëtarëve të familjes mund të jetë një sfidë.

Fëmija juaj me zhvillim normal mund ta vërejë nëse po kaloni më shumë kohë me vëllain ose motrën e tij - për shembull, në takime profesionale. Edhe pse nuk mund ta ndryshoni këtë fakt, ju mund të flisni me fëmijën tuaj për ndjenjat e tij/saj. Ju mund t’i thoni, “Këtë javë kam shkuar më shpesh te mjeku me motrën tënde. Pyes veten nëse ndihesh pak nervoz për këtë?”

Ju mund ta bëni fëmijën tuaj të zgjedhë disa aktivitete që mund t’i bëni së bashku. Për shembull, “Mezi pres të kaloj kohë me ty pas shkollës sot. Mendova se mund të vizatonim. Apo ka diçka tjetër që do të të pëlqente që të bënim?”

Ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj me zhvillim normal, që të krijojë vetëbesim duke biseduar për gjërat që bën mirë dhe për ato që i pëlqen të bëjë. Kjo do ta ndihmojë fëmijën të ndihet se është i rëndësishëm jo vetëm për ju, por për të gjithë familjen. Ai/ajo është një pjesë e rëndësishme në familje pavarësisht se motra apo vëllai kanë nevojë për vëmendje të shtuar.

Zgjidhini problemet së bashku

Çdo ditë, ju dhe fëmija juaj me zhvillim normal do të hasni në përvoja dhe emocione të ndërlikuara. Zgjidhja e përbashkët e problemeve është një mënyrë e mirë e qasjes.

Së pari është e rëndësishme të njihni emocionet e fëmijës suaj para se të përpiqeni t’i zgjidhni problemet. Për shembull, kur e shihni që ai/ajo është zemëruar për diçka që po bën vëllai ose motra i/e tij/saj, mund t’i thoni: “Duket sikur je zemëruar që vëllai yt nuk pranon ta ndërrojmë kanalin e tij të preferuar në televizor. Është normale të ndihesh i/e zemëruar”.

Ndaloni një moment për t'i dhënë fëmijës tuaj hapësirë për t’u qetësuar. Pastaj mund të punoni së bashku për zgjidhjen e problemit. Në varësi të moshës, fëmija juaj mund të ketë nevojë për më pak ose më shumë ndihmë për t’i kuptuar ndjenjat e tij, për t’u qetësuar dhe për të gjetur zgjidhje.

Ndihmojeni fëmijën tuaj me zhvillim normal të lidhet me të tjerët

Të ndihet i lidhur me njerëzit brenda dhe jashtë familjes është e rëndësishme për çdo fëmijë.

Për fëmijën tuaj me zhvillim normal, kjo mund të ndodhë duke luajtur dhe duke u shoqëruar me miqtë, si me ata që kanë vëllezër dhe motra me nevoja të veçanta, po ashtu edhe me ata që kanë vëllezër dhe motra që nuk kanë ndonjë të tillë. Ju, gjithashtu, mund ta ndihmoni fëmijën tuaj me zhvillim normal të krijojë shoqëri nëpërmjet ekipeve sportive, aktiviteteve jashtëshkollore etj.

Fëmijët dhe adoleshentët më të mëdhenj kanë nevojë të kenë mundësi për të kaluar kohë me shokët pa pasur nevojë t’i përfshijnë vëllezërit dhe motrat e tyre.

Grupet e mbështetjes së bashkëmoshatarëve për vëllezërit e motrat mund ta ndihmojnë fëmijën tuaj ta kuptojë më mirë aftësinë e kufizuar, të bëjë më shumë shokë, të marrë ide të reja për trajtimin e situatave të ndërlikuara dhe të ndihet mirë për veten dhe ndjenjat që i lindin. Këto grupe shpesh veprojnë përmes shërbimeve ose shoqatave të aftësisë së kufizuar, këshillave vendorë ose shërbimeve mbështetëse të të rinjve.

Flisni për aftësinë e kufizuar

Fëmija juaj me zhvillim normal mund të mos e kuptojë kufizimin e vëllait ose të motrës. Fëmija juaj mund të bëjë pyetje si: “A e kam shkaktuar unë (këtë gjendje të vëllait/motrës)?”, “A do të largohet?” ose “A do të më ngjitet edhe mua?” Më së miri duhet t’i përgjigjeni pyetjeve të fëmijës tuaj sa më sinqerisht, në gjuhën që ai/ajo mund ta kuptojë.

Po ashtu është mirë ta informoni fëmijën tuaj se çfarë ka të ngjarë të ndodhë me vëllain ose motrën e tij, duke qenë pozitiv dhe realist. Për shembull, “Motra jote ka paralizë cerebrale. Për motrën tënde, kjo do të thotë që muskujt në këmbët e saj nuk punojnë siç duhet. Ajo duhet të përdorë një karrige me rrota tani, por ajo po bën fizioterapi për t’i ndihmuar këmbët e saj të punojnë më mirë”.

Inkurajimi i fëmijës suaj me zhvillim normal që ndonjëherë të marrë pjesë në aktivitetet terapeutike të vëllait ose motrës së tij, gjithashtu, mund ta ndihmojë atë të kuptojë kufizimin e vëllait ose të motrës.

Flisni për reagimet e njerëzve të tjerë ndaj aftësisë së kufizuar

Ju mund të ndiheni të shqetësuar për reagimet e njerëzve ndaj aftësisë së kufizuar të fëmijës suaj, veçanërisht se si këto reagime mund të ndikojnë tek fëmija juaj me zhvillim normal. Fëmija juaj do ta ketë më të lehtë t’i përgjigjet reagimeve të njerëzve të tjerë, nëse ai/ajo është i përgatitur për këtë.

Ju mund të flisni me fëmijën tuaj se si njerëzit e tjerë mund të reagojnë ndaj vëllait ose motrës me aftësi të kufizuar dhe si mund ta bëjnë atë të ndihet. Lëreni fëmijën tuaj të kuptojë se është normale të ndihet i mërzitur, nëse njerëzit thonë gjëra që e lëndojnë. Të paturit e disa gjërave që ai/ajo mund t’ia thotë të tjerëve, mund t’i vijnë në ndihmë kur i duhet të përballet me ta. Për shembull, “truri i vëllait tënd funksionon ndryshe nga truri im dhe truri yt”.

Ju, gjithashtu, mund t’i thoni fëmijës se do të jetë në rregull nëse nuk dëshiron të flasë për këtë dhe se nuk ka pse t’u përgjigjet pyetjeve për motrën ose vëllain e tij/saj nëse nuk dëshiron.

Merrni mbështetje për vëllezërit dhe motrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara!

Edhe pse vëllezërit dhe motrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në përgjithësi janë përshtatur mirë, të gjithë fëmijët janë të ndryshëm. Disa fëmijë mund ta kenë më të vështirë se të tjerët dhe mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë.

Si prind, ju jeni 'vlerësuesi' më i mirë nëse fëmija juaj ka nevojë për më shumë mbështetje. Është një ide e mirë të kërkoni mbështetje nëse vëreni se fëmija juaj me zhvillim normal:

  • fle më pak ose më shumë se zakonisht,
  • ha më pak ose më shumë se zakonisht,
  • është më nervoz,
  • shfaq më pak interes për gjërat që e kënaqin,
  • e shmang ose është agresiv/e ndaj vëllait ose motrës së saj me aftësi të kufizuara,
  • ka probleme me detyrat e shkollës,
  • nuk dëshiron të kalojë kohë me miqtë,
  • sillet në një mënyrë të pazakontë - për shembull, pretendon se ka aftësi të kufizuara, ose përpiqet shumë për t’i kënaqur të gjithë.

Profesionistët që ju mbështesin ju dhe familjen tuaj mund të jenë në gjendje t’ju japin disa këshilla. Nga ana tjetër, nëse shqetësoheni për ndonjë nga fëmijët tuaj,  komunikimi me një profesionist, siç është psikologu mund t’ju vijë në ndihmë.

Një grup mbështetës i vëllezërve ose i motrave mund t’i ndihmojë fëmijët me zhvillim normal ta përballojnë dhe t’u japin atyre një shans për të takuar fëmijë ose adoleshentë të tjerë në rrethana të ngjashme. 

Është e lehtë të përkushtohesh aq shumë për t’u kujdesur për nevojat e fëmijëve tuaj, sa të harroni nevojat e tua. Kujdesi për veten tuaj është, gjithashtu shumë i rëndësishëm. Kjo sepse të qenit mirë dhe i\e lumtur ju ndihmon që të jeni në gjendje edhe për t’u kujdesur për njerëzit e tjerë.