Medikamentet për fëmijë: udhëzime

Ilaçet për fëmijë janë të përgatitura ekzakt për trupin e fëmijëve. Pyesni mjekun ose farmacistin tuaj se cilat ilaçe janë të përshtatshme për fëmijën tuaj. Gjithmonë kontrolloni udhëzimet për mënyrën e përdorimit dhe për dozën e saktë përpara se t'i jepni ilaçin fëmijës tuaj. Telefononi mjekun tuaj ose Urgjencën kombëtare, me numrin unik (127) për cdo emergjencë shëndetësore, nëse mendoni se fëmija juaj ka marrë aksidentalisht ilaçe ose ka marrë dozën e gabuar.
Body

Ilaçet dhe medikamentet për fëmijë

Fëmijët kanë nevojë për medikamente që janë krijuar posaçërisht për madhësinë e trupit dhe nevojat e tyre. Disa medikamente për të rriturit nuk janë të përshtatshme për fëmijët.

Nëse nuk jeni të sigurt nëse ndonjë ilaç është i përshtatshëm për fëmijën tuaj, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj. Rekomandohet që ta vizitoni foshnjën tek mjeku përpara se t'i jepni ndonjë medikament foshnjës nën gjashtë muaj.

Sa herë që i jepni fëmijës tuaj medikamente, duhet të kontrolloni me kujdes dozën.

Gjithmonë mbajini ilaçet larg prej fëmijës suaj dhe në paketim origjinal.

Telefononi mjekun tuaj ose Urgjencën kombëtare, me numrin unik (127) për çdo emergjencë shëndetësore, nëse mendoni se fëmija juaj ka marrë aksidentalisht medikamente ose nëse ka marrë dozën e gabuar. Nëse fëmija nuk mund të marrë frymë, humbet vetëdijen ose ka konvulsione, telefononi menjëherë ndihmën e shpejtë (ambulancën).

Medikamentet kundër dhimbjes dhe temperaturës: Aspirina, Paracetamoli dhe Ibuprofeni

Aspirina
Mos u jepni aspirinë fëmijëve nën 12 vjeç, nëse nuk është përshkruar nga mjeku.

Aspirina mund ta bëjë fëmijën tuaj të ndjeshëm ndaj sindromës Reye, një sëmundje shumë e rrallë, por potencialisht fatale. Nëse i jepni fëmijës tuaj ndonjë ilaç pa recetë, konsultohuni me farmacistin ose mjekun tuaj për t'u siguruar që ai nuk përmban aspirinë.

Paracetamoli
Ju mund të përdorni paracetamol për të trajtuar dhimbje të tilla si dhimbje koke, dhimbje barku, dhimbje veshi, dhimbje fyti ose fraktura.

Ju gjithashtu mund t'i jepni fëmijës tuaj paracetamol nëse ai/ajo ka temperaturë që e bën atë të ndihet në siklet ose të ndihet jo mirë.

Paracetamoli për fëmijë është me përqëndrime dhe emërtime të ndryshme, prandaj lexoni etiketën dhe ndiqni me kujdes udhëzimet e dozimit, veçanërisht nëse keni fëmijë të moshave dhe peshave të ndryshme në familje. Kur është e mundur, matni dozën e fëmijës suaj bazuar në peshën e tij/saj dhe jo në moshën e tij/saj.

Paracetamoli është i sigurt nëse i jepni fëmijës tuaj dozën e duhur për periudha të shkurtra kohore. Por një tejkalim i dozës së paracetamolit mund të jetë i rrezikshëm. Madje mund të shkaktojë mosfunksionim të mëlçisë në raste të rënda. Pyesni mjekun tuaj nëse nuk jeni të sigurt për dozën e rekomanduar për fëmijën tuaj.

Ibuprofeni
Ju mund të përdorni Ibuprofen në vend të Paracetamolit për lehtësimin e dhimbjeve dhe temperaturës. Është i përshtatshëm për fëmijët mbi tre muaj, por duhet të shmangni përdorimin e tij nëse fëmija juaj ka astmë të rëndë. Ibuprofeni merret më së miri me ushqim ose me stomakun plot.

Gjithashtu rekomandohet të mos përdorni Ibufprofen nëse fëmija juaj është i/e dehidratuar pasi ilaçi mund të shkaktojë dëmtim të veshkave.

Gjithmonë ndiqni udhëzimet në paketim kur i jepni fëmijës suaj Ibuprofen.

Gjendjet shëndetësore për të cilat Paracetamoli dhe Ibuprofeni nuk kanë efekt
Paracetamoli dhe ibuprofeni nuk kanë efekt kundër kollës. Ata gjithashtu nuk do t'i ndihmojnë fëmijët të flenë.

Paracetamoli ose Ibuprofeni gjenden në shumë ilaçe për kollë dhe ftohje pa recetë, kështu që është e rëndësishme të lexoni me kujdes etiketat për të shmangur mbidozimin aksidental.

Nëse fëmija juaj ka shumë dhimbje, veçanërisht përpara se të merret doza tjetër e medikamentit, nuk ka problem nëse i jepni paracetamol dhe ibuprofen. Ju mund t'ia jepni ato së bashku ose në kohë të ndryshme, vetëm me kusht që të ndiqni udhëzimet për çdo medikament. Sigurohuni që të mbani shënime kur i jepni medikamente fëmijës në mënyrë që të mos i jepni më shumë se doza që duhet.

Antibiotikët

Antibiotikët kanë efekt vetëm për infeksionet e shkaktuara nga bakteret - për shembull, pneumonia bakteriale, infeksionet e traktit urinar, infeksionet e veshit të mesëm dhe plagët e infektuara.

Antibiotikët nuk kanë efekt kundër infeksioneve virale si ftohja ose gripi.

Përdorimi i gabuar i antibiotikëve mund të çojë në efekte anësore si diarre, dehidrim ose reaksione alergjike.

Mjeku ka shumë antibiotikë të ndryshëm për të zgjedhur. Disa janë efektive vetëm kundër disa llojeve të baktereve. Disa të tjerë synojnë një gamë të gjerë të baktereve dhe quhen antibiotikë me spektër të gjerë. Mjeku juaj do të përpiqet të zgjedhë antibiotikun e duhur për të luftuar bakteret me të cilat është infektuar fëmija juaj.

Mjeku juaj mund të sugjerojë mënyra të tjera për të trajtuar simptomat e fëmijës suaj përpara se të përshkruajë antibiotikë. Është më mirë të mos i bëni presion mjekut tuaj për antibiotikë nëse mjeku thotë se fëmija juaj nuk ka nevojë për to.

Nëse fëmija juaj ka nevojë të marrë antibiotikë, është shumë e rëndësishme që ai/ajo të marrë të gjithë antibiotikët pa ndërprerje, edhe nëse duket se është më mirë pas disa ditësh. Infeksioni mund të kthehet një ose dy javë më vonë nëse bakteret nuk janë zhdukur plotësisht nga trupi i tij/saj.

Asnjëherë mos përdorni antibiotikë të përdorur më parë, të mbetur në frigorifer për sëmundje që fëmija po i kalon tani. Dhe kurrë mos i jepni antibiotikë dikujt për të cilin nuk janë përshkruar - për shembull, një fëmije tjetër në familje.

Mbani parasysh se, përdorimi i tepërt dhe keqpërdorimi i antibiotikëve kontribuon në rezistencën ndaj antibiotikëve. Parandalimi i përdorimit të panevojshëm të antibiotikëve është pjesë e rëndësishme e reduktimit të rezistencës ndaj antibiotikëve.

Medikamentet kundër kollës dhe ftohjes

Fëmijët nën gjashtë vjeç nuk duhet të marrin medikamente kundër kollës dhe ftohjes, duke përfshirë dhe spraj dekongjestiv për hundë .

Fëmijët e moshës 6-11 vjeç duhet të marrin medikamente kundër kollës dhe ftohjes vetëm me këshillën e mjekut. Këtu përfshihen edhe sprajet dekongjestive për hundë.

Sprajet dhe pikat e hundës që janë solucione të fiziologjikut (apo sic njihen zakonisht ujë me kripë) janë opsione të sigurta për pastrimin e hundëve të bllokuara për fëmijët dhe foshnjat.

Antihistaminikët

Kruajtja, teshtitja, ënjtja ose skuqja mund të jenë simptoma të alergjive ose etheve. Medikamentet e njohura si antihistaminike përdoren për të ndaluar këto simptoma.

Antihistaminikët ndonjëherë mund të shkaktojnë tharje të gojës, përgjumje dhe çrregullime në stomak.

Antihistaminikët në përgjithësi nuk rekomandohen për përdorim afatgjatë, prandaj konsultohuni me mjekun tuaj përpara se t'ia jepni fëmijës tuaj.

Antihistaminikët dhe gjumi
Antihistaminikët, duke përfshirë prometazinën, nuk rekomandohen për t'i ndihmuar fëmijët që të flenë, përveçse nëse i përdorni nën mbikëqyrjen e mjekut tuaj. Këto medikamente ndonjëherë shkaktojnë përgjumje gjatë ditës, gjë që mund të ndikojë në aftësinë e fëmijës suaj për të mësuar.

Antihistaminikët gjithashtu mund të kenë efekt të kundërt, duke bërë që disa fëmijë të bëhen hiperaktivë. Kjo mund të përkeqësojë çfarëdo problemi me gjumin.

Medikamentet që duhet shmangur

Mendoni me shumë kujdes përpara se t'i jepni fëmijës tuaj medikamente që nuk janë përshkruar nga mjeku.

Medikamente kundër nauzesë (të përzierave)
Mos i jepni fëmijës suaj ilaçe kundër nauzesë (të përzierave), përveç nëse mjeku ju thotë në mënyrë specifike. Zakonisht të vjellat nuk zgjasin shumë dhe fëmijët e kalojnë atë pa medikamente.

Përzierja e medikamenteve me recetë dhe pa recetë
Përzierja e ilaçeve me recetë dhe ilaçeve pa recetë nga ndonjë farmacist mund të jetë shumë e rrezikshme. Gjithmonë konsultohuni fillimisht me mjekun ose farmacistin tuaj. Dhe nëse nuk jeni të sigurt se çfarë përmban një ilaç i caktuar, pyesni farmacistin ose mjekun tuaj.

Medikamentet që nuk janë të destinuara për fëmijën tuaj
Medikamentet për të rriturit ose medikamentet e përshkruara për dikë tjetër mund të dëmtojnë fëmijën tuaj. Nuk është kurrë e sigurt t'ia jepni këto fëmijës tuaj.

Medikamentet e skaduara
Ilaçet e skaduara nuk kanë efekt dhe madje mund të jenë të dëmshme.

Tableta përtypëse
Fëmijët e vegjël mund të mbyten lehtësisht nga tabletat përtypëse. Konsultohuni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se t'i jepni fëmijës suaj tableta përtypëse.

Vitaminat: ide e mirë?

Nuk ka asnjë dëshmi që suplementet me vitamina dhe minerale ndihmojnë shëndetin e fëmijëve në ndonjë mënyrë, përveçse nëse fëmija ka ndonjë mangësi të ndonjë lloji - dhe shumë pak fëmijë vuajnë nga këto mangësi.

Konsultohuni me mjekun nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë mungesë të vitaminave ose mineraleve.