A mund ta 'llastoni' foshnjën tuaj?
A mund ta 'llastoni' foshnjën tuaj?Përgjigja për këtë pyetje është “Jo!” Foshnjat kanë nevojë për shumë vëmendje dhe ju mund të shqetësoheni - ose njerëzit e tjerë mund t’ju thonë se - nëse “dorëzoheni” shumë shpesh ose i kushtoni shumë vëmendje kjo do “ta llastojë” fëmijën tuaj. Por kjo nuk do të ndodhë. Ju nuk do të krijoni zakone të këqija duke iu përgjigjur nevojave të foshnjës tuaj. Foshnjat shumë të vogla nuk mendojnë me vete, “Tani unë do të qaj, derisa të marr atë që dua!” Nëse foshnja juaj qan ose shqetësohet ka një arsye të mirë: mund të jetë sepse ka ftohtë ose është i/e uritur, ka nevojë që t'i ndërroni pelenën ose ka dhimbje. Ose thjesht ai/ajo mund të dëshirojë që ju ti qëndroni afër. Pse është e rëndësishme t’i përgjigjeni fëmijës tuaj!?Foshnja juaj varet plotësisht nga ju për t’i dhënë atij/asaj atë që i nevojitet për t’u rritur dhe zhvilluar. Kjo është e mirë si për foshnjën, po ashtu edhe për ju. Foshnjat që kanë marrëdhënie të qëndrueshme dhe kujdes të mirëfilltë herët në jetë, shpejt krijojnë një lidhje të sigurtë me kujdestarët e tyre. Këta fëmijë e përballojnë më mirë stresin gjatë moshës parashkollore. Ata gjithashtu kanë prirje të shoqërohen më mirë me fëmijët e tjerë. Kanë më shumë gjasa si të rritur që të jenë më të shëndetshëm fizikisht dhe emocionalisht. Përgjigjia ndaj nevojave të foshnjës tuaj është gjithashtu e mirë për ju, sepse ju ndihmon të ndiheni mirë për rolin tuaj si prind. Sidoqoftë është stresuese që të dëgjosh fëmijën tënd duke qarë dhe të mos i përgjigjesh nevojave të tij/saj! Balancimi i rutinave dhe fleksibilitetiNëse ju e përqafoni të porsalindurin tuaj sa herë që ai/ajo nuk arin të qetësohet, mund të shqetësoheni se foshnja më pas nuk do t'i ri-kthehet rutinës së gjumit. Gjëja më e rëndësishme në muajt e parë është ta ndihmoni fëmijën tuaj të krijojë siguri duke iu përgjigjur me qetësi dhe qëndrueshmëri nevojave të tij/saj. Sidoqoftë, shumica e të porsalindurve nuk kanë modele të caktuara të gjumit ditën dhe natën. Rutinat mund të vijnë më vonë. Megjithatë të gjitha foshnjat, familjet dhe kulturat janë të ndryshme. Disa prindër gjejnë një mënyrë, rutinë të thjeshtë dhe fleksibël të ushqimit, lojës dhe gjumit, që duket se i ndihmon foshnjat e tyre dhe u jep atyre një ndjenjë kontrolli. Të tjerët e zbulojnë se është më mirë që të synojnë fleksibilitetin se sa rutinën, veçanërisht në muajt e parë. Në 6-12 muaj, fëmija juaj fillon të ketë një kontroll mbi sjelljen e tij/saj. Kjo është një kohë e mirë për të filluar vendosjen e kufijve të butë për të formuar bazën e mësimit të sjelljes pozitive për të ardhmen. Gjumi i foshnjës: çfarë mund të prisni!?Nëse jeni të shqetësuar se mund ta përkëdhelni foshnjën tuaj duke i kushtuar shumë vëmendje - veçanërisht nëse ai/ajo nuk do të qetësohet - mund të ndihmojë të dini se çfarë të prisni nga gjumi i foshnjës së porsalindur. Edhe pse të porsalindurit flenë, mesatarisht, 16 orë në 24 orë, fëmija juaj mund ta bëjë këtë gjumë përmes dremitjeve të shkurtra. Gjatë javëve të para, derisa ju dhe foshnja juaj jeni duke u njohur me njëri-tjetrin, mund të prezantoni teknika të rehatimit të cilat gradualisht do ta ndihmojnë fëmijën tuaj të flejë për periudha më të gjata. Për shembull, ju mund ta mbështillni foshnjën para se ta vendosni në krevat fëmijësh, të lëshoni muzikë të lehtë, ta lini pak të qetësohet për një kohë të shkurtër derisa të zgjohet. Ju do filloni që ta njihni fëmijën tuaj më së miri. Ushqyerja e foshnjës: çfarë mund të prisni!?Nëse mendoni se foshnja juaj e porsalindur qan për t’u ushqyer gjatë gjithë kohës, me siguri keni të drejtë! Në ditët e para, foshnjat zakonisht kanë nevojë të ushqehen çdo 2-4 orë. Përgjigjia dhe plotësimi i nevojave të fëmijës tuaj ka një rëndësi primare. Mund të ndihmojë të dini se shumica e foshnjave krijojnë një model të menaxhueshëm të ushqimit të kërkuar gjatë javëve të para të jetës. Gradualisht, vetë ata/ato mësojnë që të konsumojnë shumicën e ushqimeve të tyre gjatë ditës dhe hanë më pak gjatë natës. Një kohë e qetë dhe e lumtur e ushqyerjes është një mundësi e shkëlqyer për ju që të lidheni me fëmijën tuaj dhe të krijoni një marrëdhënie të ngrohtë dhe të besueshme që është aq e rëndësishme për zhvillimin e foshnjës tuaj. Pra, nëse miqtë ose të afërmit ju thonë të mos e “llastoni” foshnjën tuaj, jini të sigurt në prindërimin tuaj (dhe merrni ndihmën që ju nevojitet!). Thuaju atyre dhe mendoni me vete se, “Unë po i jap fëmijës tim atë që i duhet për të qenë i sigurt dhe i lumtur, si dhe për t’u zhvilluar mirë. Kur të jetë më i rritur, do të kem kohë për t’u shqetësuar për gjëra të tjera!”)
|