Ndihmojini fëmijët të përshtaten pas ndarjes ose divorcit

Është normale që fëmijët të ndihen të shqetësuar nëse jeni duke kaluar ndarje ose divorc. Ju mund ta ndihmoni fëmijën duke folur me ndershmëri, duke e siguruar dhe duke iu përmbajtur rutinave. Përpiquni t'i përfshini fëmijët në vendime të vogla, nxitini të flasin për ndjenjat dhe merrni kohë për argëtim familjar.
Body

Fëmijët që përshtaten me ndarjen dhe divorcin

Ndarja ose divorci, zakonisht, nënkuptojnë ndryshime të mëdha në jetën e një familjeje. Fëmija juaj mund të ndihet i mërzitur kur ndodhin këto ndryshime dhe kjo është gjendje normale. Në këtë situatë, fëmija duhet të ndihmohet që të pranojë se periudha në vijim do të jetë e vështirë për të gjithë.

Biseda me fëmijën tuaj është një nga mënyrat më të mira për ta ndihmuar të përshtatet me ndryshimet në familjen tuaj. Ekzistojnë, gjithashtu, disa gjëra praktike që mund të bëni për të ndihmuar fëmijën të përshtatet, duke përfshirë krijimin dhe respektimin e disa rutinave ditore.

Duke folur me fëmijën tuaj për ndarjen dhe divorcin

Në vijim, jepen disa këshilla për mënyrën si të flisni me fëmijën tuaj për ndryshimet që do të sjellë ndarja ose divorci.

Trajojeni çështjen sa më thjeshtë

Nuk është e nevojshme që fëmija juaj t’i njohë të gjitha detajet. Por ai/ajo ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh dhe të sigurohet se gjërat do të jenë përsëri në rregull.

Këto ju mund t’ia shpjegoni me një gjuhë të qartë, të thjeshtë dhe të sinqertë, në mënyrë që fëmija të mundet t’ju kuptojë. Për shembull: 'Unë dhe babi të duam shumë dhe do të kujdesemi gjithmonë për ty. Por për të mirën e familjes sonë, kemi vendosur të dy të jetojmë të ndarë'.

Merrni kohën tuaj për pyetjet e vështira

Nëse fëmija ju bën një pyetje të vështirë, të tillë si 'Ku do të jetoj unë tani?', ju mund ta pyesni 'Po çfarë ke dëgjuar ti?'. Kjo do t’ju ndihmojë të zbuloni se çfarë ka dëgjuar/kuptuar fëmija juaj për këtë çështje.

Ndonjëherë nuk do të dini si t'i përgjigjeni një pyetjeje të vështirë, kështu që jepini vetes kohë për t’u menduar. Nëse nuk mund të përgjigjeni menjëherë, thuajini fëmijës se do ta diskutoni më vonë këtë gjë së bashku. Mund t’i thoni 'Tani nuk të jap dot përgjigje'. 'Së bashku me babin jemi duke u përpjekur për të gjetur zgjidhjen më të mirë që ti të kalosh kohë si me babin, ashtu edhe me mua'.

Nëse fëmija ju bën pyetje të ndërlikuara në lidhje me ish-partnerin tuaj, xiteni të flasë drejtpërdrejt me të. Nëse marrëdhënia mes jush është e mirë, ju mund t’i tregoni ish-partnerin tuaj se fëmija juaj ka disa pyetje.

Mundohuni të kuptoni përtej fjalëve që thuhen (Lexoni midis rreshtave)

Pyetjet e fëmijës suaj mund të marrin shkas nga shqetësime specifike. Për shembull, nëse fëmija juaj ju pyet se kur do të kthehet mami, ai/ajo mund të jetë i/e shqetësuar nëse do ta shohë sërisht mamin e vet. Pyeteni fëmijën se për çfarë shqetësohet dhe sigurojeni me fjalë të thjeshta që tregojnë se ju e kuptoni gjendjen e tij/saj. Për shembull, "Mos u shqetëso, do të takohesh me mamin tënd çdo javë. E di sa e rëndësishme është mami për ty '.

Cilado qoftë pyetja që mund të bëjë fëmija juaj, duhet t’i përgjigjeni dhe ta siguroni se ju dhe partneri juaj do ta doni gjithmonë shumë.

Vazhdojini bisedat me fëmijën tuaj

Fëmija juaj mund të vazhdojë të mendojë për një çështje, prandaj përgatituni t'u përgjigjeni pyetjeve më shumë se një herë. Nëse flisni vazhdimisht me fëmijën tuaj,  në një orar të përshtatshëm, kjo mund t'i japë atij/asaj një mundësi të mirë për të diskutuar shqetësimet që mbart. Për shembull, mund të jetë orari pas ngrënies së darkës, pak para se t’i lexoni një libër ose të luani një lojë të qetë të dy së bashku. Ju, gjithashtu, mund ta përdorni këtë kohë për t'i treguar fëmijës ngjarje të ndryshme që mund të kenë ndodhur ndërkohë.

Flisni për ndjenjat tuaja

Fëmija mund t'ju shohë të trishtuar, të zemëruar ose të mërzitur. Kjo është e natyrshme dhe madje e shëndetshme. Është shumë e rëndësishme t'i tregoni fëmijës tuaj se ju e doni shumë, se nuk është faji i tij/saj për mënyrën se si ndiheni ju tani dhe sigurojeni se gjërat do të përmirësohen.

Duke parë mënyrën tuaj të qetë dhe të shëndetshme se si i shprehni ndjenjat tuaja, i tregoni fëmijës se edhe ai/ajo mund ta bëjë të njejtën gjë. Kur fëmija ju shpreh ndjenjat e tij/saj, përpiquni t’i reflektoni ato ndjenja. Kjo ju jep të dyve mundësinë për të eksploruar dhe kuptuar më mirë ndjenjat e fëmijës. Ju mund t’i thoni 'Unë e shoh që je i/e mërzitur' ose 'Unë e kuptoj që kjo të bën të ndihesh i/e trishtuar'.

Mund të jetë e vështirë të përballosh ndjenjën e lëndimit ose të zemërimit të fëmijës suaj, por edhe ai/ajo ka nevojë të flasë dhe t’i shprehë ato.

Nëse është e mundur, kërkojini dikujt të flasë me fëmijën tuaj

Ndonjëherë është më e lehtë për fëmijët të ndajnë ndjenjat dhe mendimet e tyre me dikë tjetër dhe jo me prindërit e tyre. Ju mund ta nxisni fëmijën tuaj të flasë me një të rritur tjetër të besuar - një shok, një mësues, një teze, një xhaxha, kushëriri apo gjysh. Nëse miqtë dhe familjarët tuaj flasin me fëmijën tuaj, është mirë t'i kërkoni atyre që të mos bëjnë komente negative për ish-partnerin tuaj.

Rutinat dhe ritualet familjare pas ndarjes ose divorcit

Rutinat i ndihmojnë fëmijët të ndihen të sigurt, të mbrojtur dhe nën kontroll, kështu që mbajtja e rutinave mund t’i ndihmojë ata të përballojnë ndryshimet që sjell ndarja ose divorci.

Mundohuni të identifikoni rutinat e vogla që kanë vërtet rëndësi për fëmijën tuaj, si p.sh: një takim i rregullt me një shok ose leximi i librit që i pëlqen para gjumit. Ndihmojeni fëmijën të kuptojë që këto gjëra nuk do të ndryshojnë. Nëse është e mundur, përpiquni të mos ndryshoni gjëra të mëdha si shkolla apo kopshti.

Gjithashtu, është mirë të ruani ritualet. Mënyra se si e zgjoni fëmijën tuaj në mëngjes ose çfarë i thoni para se të flejë në darkë janë rituale siguruese që mund t’i mbani me lehtësi.

Marrja e vendimeve së bashku me fëmijën tuaj pas ndarjes ose divorcit

Nëse mund ta përfshini fëmijën tuaj në vendime të vogla të përditshme, si p.sh: të organizojë dhomën e tij ose të përfshihet në përgatitjen e darkës, kjo do ta ndihmojë atë të ndihet sikur ka kontroll mbi diçka.

Me fëmijët më të mëdhenj, mund të flisni se sa kohë do të dëshironin ata që të kalonin me ju ose me prindin tjetër. Është shumë e rëndësishme të dëgjoni me kujdes dhe t'u tregoni fëmijëve se mendimet e tyre kanë rëndësi dhe merren parasysh prej jush.

Koha argëtuese me fëmijën pas ndarjes ose divorcit

Merrni kohë për t'u argëtuar, edhe nëse është vetëm një gudulisje e shpejtë ose të vini pak muzikë dhe të vallëzoni së bashku. Gjithashtu është mirë të bëni disa gjëra në mënyrë spontane - për shembull, ta hani darkën duke menduar se jeni në një një piknik në mes të parkut.

Mbështetja nga qendra e kujdesit për fëmijët, kopshti ose shkolla pas ndarjes ose divorcit

Pas ndarjes ose divorcit, mund të shfaqen ndryshime në sjelljen e fëmijës suaj që janë një shenjë se ai/ajo ka nevojë për më shumë mbështetje. Mësuesit mund t’i vënë re këto shenja dhe mund ta ndihmojnë për t’i kaluar ato.

Efektet e dhunës në familje mund të vazhdojnë edhe pasi të ketë përfunduar një lidhje. Dhuna në familje, gjithashtu, mund të fillojë ose të përkeqësohet ndjeshëm kur prindërit ndahen. Dhuna në familje e çdo lloji është e papranueshme. Nëse ju ose dikush që njihni po përjeton dhunë në familje, kërkoni ndihmë duke folur me një profesionist të kujdesit shëndetësor, me një mjek, me policinë ose telefonojini një linjë ndihme kushtuar këtyre rasteve.