Një fëmijë i ri në familjen tuaj të përzier
Planifikimi i një fëmije të ri në një familje të përzier
Në këtë artikull, me familje të përzier nënkuptojmë një familje që përbëhet nga dy të rritur, fëmijët që kanë së bashku, dhe një ose më shumë fëmijë që kanë pasur nga nga lidhjet e mëparshme.
Nëse jeni pjesëtar i një familjeje të përzier dhe po mendoni të keni një fëmijë me partnerin tuaj, mund të vendosni t'u thoni fëmijëve tuaj paraprakisht se po mendoni të bëheni me fëmijë tjetër. Ndoshta, ju mund t’ua shprehni atyre në formën: 'Asnjëherë nuk i dihet – ndoshta një ditë ne mund të kemi një fëmijë tjetër'.
Kur jeni duke pritur një fëmijë të ri: si mund të ndihen fëmijët e tjerë
Një fëmijë i ri në një familje të përzier do të jetë në një pozicion të veçantë - është personi i vetëm në familje që është i lidhur biologjikisht me të gjithë.
Fëmijët e tjerë mund të ngazëllehen kur t’u thoni që një fëmijë i ri po vjen. Por është, gjithashtu, normale që fëmijët në familjet e përziera të ndihen të mërzitur, të shqetësuar ose të pasigurt për situatën e re. Të qenit në një familje të përzier mund t'i shtojë këto ndjenja.
Ndonjëherë, fëmijët e tjerë në një familje të përzier mund të ndihen të kërcënuar nga ardhja e një fëmije të ri, sepse:
- shtatzënia, përgjithësisht, merr shumë vëmendje,
- ata ndihen të shqetësuar se mund të humbasin pozicionin e tyre të veçantë si "fëmija" e prindërve të tyre ose si "fëmija i vetëm",
- ata ndihen të shqetësuar se mund të kenë më pak kohë ose kontakt me prindërit e tyre,
- ata ndihen të shqetësuar për çështje të thjeshta, të llojit se ku do të flejë fëmija që po vjen,
- fëmija i ri u përket të dy prindërve dhe për këtë ata mund të ndihen të pasigurt.
Kur jeni duke pritur një fëmijë të ri: si mund të ndiheni ju dhe partneri juaj
Është normale të paturit e një përzierje ndjenjash për ardhjen e një fëmije të ri: si gëzim dhe shpresë, por njëkohësisht edhe shqetësim për mënyrën se si mund të reagojnë fëmijët tuaj të tjerë.
Ju dhe partneri juaj mund të ndiheni ndryshe për fëmijjën që është duke ardhur, veçanërisht nëse njëri prej jush është prind për herë të parë. Nëse ky është fëmija juaj i parë, kurse partneri juaj ka fëmijë nga lidhje të mëparshme, ju mund të ndieni se ai nuk është aq i emocionuar sa ju. Kjo është normale - të gjithë çiftet kanë ndjesi të tilla dhe kalojnë nëpër faza të ndryshme gjatë shtatzënisë.
Sido që të ndiheni, është e rëndësishme që të mbështesni njëri-tjetrin gjatë periudhës së shtatzënisë dhe të flisni se si do t'i përgatitni fëmijët tuaj të tjerë për ardhjen e fëmijjës së ri.
Përgatitja e fëmijëve të tjerë për fëmijën e ri
Nëse jeni shtatzënë, mënyra se si do t'i përgatisni fëmijët tuaj të tjerë për rdhjen e një fëmije të ri varet nga ju. Mosha e fëmijëve tuaj, gjithashtu, është shumë e rëndësishme për mënyrën se si do t'ua thoni.
Është mirë që ta prezantoni idenë e ardhjes së një fëmije të ri në familje që në muajt e parë të shtatzanisë, të paktën 3-4 muaj para lindjes së fëmijës.
Është e rëndësishme të flisni me fëmijët tuaj për shqetësimet që mund të kenë dhe t'u jepni atyre siguri. Nëse ata janë të mërzitur ose të zemëruar, përqafojini, sigurojini dhe flisni me ta për gjërat pozitive që do të sjellë kjo situatë e re në familje - për shembull, ata do të kenë një vëlla ose motër të vogël për të luajtur.
Lërini të kuptojnë se kanë shumë kohë për t'u mësuar me idenë.
Gjithashtu, ju mund t'i përfshini fëmijët tuaj në planifikimin dhe përgatitjen për ardhjen e një fëmije të ri në familje, sipas mënyrës që atyre u pëlqen. Nëse mund ta shndërroni periudhën e shtzanisë në një kohë pozitive dhe emocionuese, fëmijët tuaj kanë më shumë gjasa të ndiejnë se ndryshimi do t' prekë të gjithë në familje, jo vetëm fëmijën e ri.
Ju mund t'i ndihmoni fëmijët tuaj të ndihen të përfshirë duke marrë mendimet e tyre për gjërat që ju duhen ose duke i bërë ata t'ju ndihmojnë të zgjidhni disa lodra për bebin. Fëmijët tuaj mund të duan të përfshihen në përjetimin e rritjes së bebit në barkun tuaj- për shembull, duke e marrë me vete në kontrollet tek mjeku për të parë imazhet e foshnjës me ultratinguj ose duke ndjerë goditjet e tij në barkun tuaj.
Ndërsa jeni duke u përgatitur së bashku me fëmijët tuaj, përpiquni të mos e teproni me ngazëllimin. Nëse po mendoni për një hapësirë ose dhomë të veçantë për foshnjën, është e rëndësishme të siguroheni që edhe fëmijët tuaj të tjerë të kenë hapësira të ngjashme. Mund të jetë një ide e mirë që ta bëni hapësirën që po planifikoni për foshnjën të ngjashme me atë që kanë fëmijët tuaj të tjerë.
Pas ardhjes së foshnjës së re: ndihmoni fëmijët e tjerë të përshtaten
Si çift, mund të bëni shumë për të ndihmuar fëmijët tuaj të tjerë të përshtaten kur të sillni fëmijën tuaj të ri në shtëpi. Më poshtë janë disa ide:
- Nëse fëmijët tuaj shfaqin shenja xhelozie për foshnjën, përpiquni t'i pranoni ndjenjat e tyre. Por ju, gjithashtu, mund t'u thoni që ju prisni prej tyre që të sillen në mënyrë të sigurt dhe të kujdesshme me foshnjën.
- Gjeni mënyra për t’i bërë të gjithë fëmijët që të ndihen të veçantë në kohë të ndryshme - për shembull, kur kanë ditëlindjen apo kur arrijnë diçka, si një notë të mirë në shkollë etj.
- Kujdesuni që t'i mbani të qëndrueshme rutinat e fëmijëve tuaj, veçanërisht në muajt e parë pas ardhjes së foshnjës. Nëse do të bëni ndryshime në rutinat tuaja familjare, përpiquni ta bëni atë sa më gradualisht që të jetë e mundur.
- Shpjegojuni fëmijëve tuaj se si mund të luajnë në mënyrë të sigurt me foshnjën, ose jepuni fëmijëve më të mëdhenj përgjegjësi të vogla si shëtitja e foshnjës nëpër park në një karrocë fëmijësh. Kur fëmijët ju ndihmojnë në këtë mënyrë, përgëzojini duke u thënë se jeni një vëlla/motër i/e madh i/e shkëlqyer.
- Jepuni lajmin e ardhjes së fëmijës së ri gjyshërve apo të rriturve të tjerë të afërt me familjen tuaj, përfshirë edhe mësuesit, dhe nxitini t'u kushtojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje fëmijëve tuaj të tjerë.
Nëse keni zënë vendin e prindit që ka humbur jetën, sidomos në rastin nëse ky është fëmija juaj i parë, ju mund ta gjeni veten shumë të tërhequr nga fëmija i ri dhe t'i kushtoni më pak vëmendje fëmijëve të tjerë. Mundohuni të mos ndiheni fajtor për këtë. Disa fjalë të mira ose përqafime çdo ditë do t'ju mbajnë të lidhur me fëmijët e partnerit/es tuaj.
Për të marrë disa këshilla për fillimin e mirë të marrëdhënieve mes vëllezërve/motrave mund të lexoni më shumë rreth mënyrës së përshtatjes së një fëmije dyvjeçar me foshnjat dhe mënyrës së përshtatjes së fëmijëve të moshës parashkollore ose adoleshente me një fëmijë të ri në familje.
Partneri juaj i mëparshëm dhe familja e gjerë
Tregojini partnerit tuaj të mëparshëm se prisni një fëmijë të ri. Është shumë më mirë nëse ai/ajo do ta marrë vesh lajmin nga ju, se sa ta dëgjojë nga dikush tjetër. Partnerit tuaj të mëparshëm mund t’i duhet pak kohë për ta pranuar lajmin, edhe nëse ju mendoni se ky lajm nuk do ta lëndojë atë.
Anëtarët e tjerë të familjes mund të mos reagojnë ashtu siç e prisni. Për shembull, gjyshërit që kanë qenë shumë ndihmues me fëmijët tuaj të parë, tashmë mund të ndihen të shqetësuar sepse mendojnë që janë shumë të vjetër për t’ju ndihmuar sërish me nipin/mbesën që do të vijë. Përpiquni t'i siguroni që ata mund të përfshihen sa të kenë mundësi dhe nëse duan këtë herë.