Një libër për mua

Materialet që ju nevojiten: Letër (e thjeshtë ose me ngjyra), laps ose shkumësa, marker, ngjitës ose kapëse letrash; Faqja e parë e një libri tashmë e titulluar “Një libër rreth meje”. Kartë ose letër me emrin dhe mbiemrin e fëmijës suaj, moshën dhe adresën e shtëpisë të shkruar me shkronja të mëdha (kështu që ai/ajo mund të përpiqet ta kopjojë atë). Çdo gjë tjetër për të dekoruar “Librin Rreth meje”. Për shembull, ngjitëse të dizejnuara ose foto të fëmijës suaj, etj.

Çfarë mund të bëni së bashku: Ftojeni fëmijën tuaj për të bërë një libër të veçantë rreth tij ose saj! Shkruani në faqen e parë “Emri im” - ndihmoni fëmijën tuaj të thotë dhe të kopjojë emrin dhe mbiemrin e tij/saj. Fëmija juaj mund të vizatojë veten e tij/saj në atë faqe - ose mund të ngjisni një foto të fëmijës. Pastaj, në faqen tjetër mund të shkruani “Adresa ime”. Ndihmoni fëmijën tuaj të kopjojë adresën e tij/saj në këtë faqe, duke e bërë ju disa herë për fëmijën tuaj nëse ai/ajo ende nuk është në gjendje t'i shkruajë vetë.  Këtu fëmija juaj mund të krijojë një ide se ku ai/ajo jeton. 

Pastaj, nëse fëmija juaj është i interesuar, mund të shtoni më shumë faqe rreth tij/saj, si “Kafsha ime shtëpiake” (nëse fëmija juaj ka një), “Ushqimi im i preferuar”, “Vëllai im” etj.  Punoni së bashku për të shkruar fjalë të reja dhe për të inkurajuar fëmijën tuaj të vizatojë.

Përfundoni këtë ushtrim së bashku, duke e ngjitur librin ose duke e kapur me makinë kapëse. Lexojeni librin edhe të tjerëve në familje!  Vendoseni në një vend ku fëmija juaj mund ta marrë lehtësisht dhe mund t'a lexojë atë vazhdimisht.

Çfarë po mëson fëmija juaj:  Për sigurinë e tyre, është e rëndësishme që fëmijët të njohin emrin dhe adresën e tyre të plotë në rast se humbasin. Gjithashtu, njohja e këtij informacioni ndërton ndjenjën e identitetit të fëmijës suaj dhe vendin në familjen ose komunitetin e tij/saj.  Ky aktivitet forcon zhvillimin e aftësive shkrim-lexim të fëmijës suaj- njohuritë e tij/saj mbi fjalët dhe rëndësinë e leximit dhe të shkruarit në jetën e përditshme.