Refluksi gastro-ezofageal
Çfarë është refluksi gastro-ezofageal?
Refluksi gastro-ezofageal ndodh kur fëmija juaj e kthen përmbajtjen e stomakut në tubin e tij/saj të ushqimit (ezofag) ose në gojë.
Ndodh kur muskujt ndërmjet tubit të ushqimit (ezofagut) dhe barkut të fëmijës suaj relaksohen për një moment sepse nuk janë të zhvilluar plotësisht.
Kjo rezulton në një lloj të të vjellave ose pështymave të quajtura ‘kthim i qumështit’.
Simptomat e refluksit gastro-ezofageal
Nëse foshnja juaj ka refluks gastro-ezofageal, ai/ajo mund të vjellë qumësht. Kjo mund të ndodhë gjatë, ndërmjet dhe pas ushqyerjes.
Zakonisht do të shihni simptoma të refluksit që fillojnë brenda 2 muajve të parë pas lindjes.
Shumicës së fëmijëve u largohet refluksi kur janë të vegjël. Kjo me gjasë ndodh sepse ata/ato kalojnë më shumë kohë në një pozicion të drejtë deri në këtë moshë. Ata/ato gjithashtu hanë më shumë ushqime të qullëta- të ngurta.
Disa fëmijë vazhdojnë të kenë simptoma pas periudhës së vegjëlisë.
Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (RGE)
Në disa foshnja dhe fëmijë, refluksi nganjëherë çon në komplikime. Në këtë rast, mjeku juaj mund të diagnostikojë fëmijën tuaj me sëmundje të refluksit gastro-ezofageal (RGE).
Simptomat e RGE-së përfshijnë dhimbje dhe parehati në gjoks ose stomak, të cilat mund ta bëjnë fëmijën tuaj të irrituar. Fëmija juaj mund të qajë shumë ose të harkojë shpinën e tij/saj duke e shtyrë gjoksin para.
Nëse foshnja juaj ka RGE, ai/ajo mund të ketë:
- gjumi të ndërprerë
- shtim të dobët në peshë
- gulçim dhe kollë kronike
- gjak në të vjellat e tij/saj.
A ka nevojë fëmija juaj që të vizitohet nga mjeku për refluksin gastro-ezofageal?
Duhet të vizitoni mjekun tuaj nëse fëmija juaj:
- e ka të vështirë të gëlltisë
- ka ethe
- është nervoz/e dhe është e vështirë të qetësohet shpeshherë
- nuk ha
- vjell shumë
- nuk rritet siç duhet ose bie në peshë
- ka një kollë kronike ose infeksione të përsëritura të gjoksit.
Dërgoni fëmijën tuaj në departamentin e emergjencës në spital nëse ai/ajo ka lëng në ngjyrë të zezë, jeshile ose gjak në të vjella.
Ekzaminimet që duhet të kryhen për refluksin gastro-ezofageal
Zakonisht, fëmija juaj nuk do të ketë nevojë të bëjë test për refluksin.
Nëse fëmija juaj ka komplikime të refluksit ose RGE, ndonjëherë mjeku juaj mund të rekomandojë monitorimin e pH-së (kontrollimin e niveleve të acidit) për të parë nëse ka shumë acid në tubin (ezofagun) e tij/saj ushqimor. Kjo bëhet duke vendosur një tub të vogël me një sensor në tubin e ushqimit të fëmijës suaj për 24 orë.
Ndonjëherë mjeku juaj mund të dëshirojë gjithashtu të shikojë shtresën mbuluese të ezofagut të fëmijës tuaj duke përdorur një kamerë të veçantë. Ky test quhet endoskopi dhe kryhet nën anestezi të përgjithshme.
Trajtimi i refluksit gastro-ezofageal
Shumica e rasteve të refluksit gastro-ezofageal përmirësohen vetë me kalimin e kohës dhe nuk kanë nevojë për trajtim.
Nëse refluksi i foshnjës tuaj është i lehtë dhe shtimi i tij/saj në peshë nuk ndikohet, mund të provoni ta ushqeni fëmijën tuaj në një pozicion më të drejtë për të lehtësuar problemin. Mundohuni ta mbani atë me shpinë drejt për rreth 30 minuta pas ushqyerjes.
Mjeku juaj mund të sugjerojë trashjen e qumështit të gjirit që mund të bëhet me qumësht artificial antirefluks, por jo me drithëra (pasi drithërat treten nga enzima amilazë në qumështin e gjirit) derisa simptomat të përmirësohen. Nëse foshnja juaj ushqehet me formula, mjeku juaj mund të rekomandojë trashjen e formulës së foshnjës tuaj ose përdorimin e formulës së trashur paraprakisht. Trashësit e qumështit duhet të përdoren vetëm në konsultim me mjekun tuaj.
Nëse shqetësoheni për shtimin e peshës së foshnjës gjatë kësaj kohe duhet që të bisedoni me mjekun tuaj.
Në disa raste mjeku juaj mund të përshkruajë medikamente kundër acidit për të parandaluar dëmtimin e mundshëm të ezofagut të foshnjës nga lëngu acidik i stomakut.
Ju duhet të ndiqni praktika të sigurta të gjumit, edhe nëse fëmija juaj ka refluks. Kjo do të thotë ta vendosni fëmijën tuaj për të fjetur në shpinë. Ai/ajo duhet të flejë në një dyshek të fortë dhe të drejt që nuk është i ngritur në asnjërën anë.