Nënat e reja: trupi juaj pas lindjes

Java e parë pas lindjes është një kohë e rëndësishme për të njohur foshnjen tuaj, për të pushuar dhe për t’u shëruar. Është normale të keni gjakderdhje në zon intime, lëndim dhe dhimbje pasuese. Flisni me mjekun ose infermierin/en tuaj, nëse keni vështirësi me dhimbjen. Trupi juaj do të ndryshojë në muajt e parë pas lindjes. Për shembull, ju mund të keni mosmbajtjen e urinës, rënien e flokëve dhe vijat/strijat në bark si rezultat i tërheqjes së lëkurës. Nëse keni probleme me ushqyerjen me gji, flisni me mjekun ose infermierin/en tuaj.
Body
Nënat e reja: trupi juaj në javën e parë pas lindjes

Java e parë pas lindjes së foshnjes tuaj është koha, kur ju kujdeseni dhe njiheni me fëmijën tuaj të ri.

Ju do të keni gjakderdhje dhe dhimbje të zonës intime ose rreth saj, ose plagës cezariane. Ju gjithashtu mund të keni dhimbje të gjirit ose kokës së gjirit. Kjo është arsyeja pse java e parë pas lindjes është gjithashtu një kohë për ju që të pushoni dhe të rikuperoheni sa më shumë që mundeni.

Bisedoni me mjekun tuaj, nëse dhimbja ua vështirëson pushimin, gjumin ose kujdesin për veten ose foshnjen tuaj. Mjeku juaj mund t’ju ndihmojë me ilaçe për qetësimin e dhimbjeve. Po ashtu është një ide e mirë të parashtroni ndonjë pyetje tjetër që keni për veten ose foshnjën tuaj.

Gjakderdhja në zonën intime

Ju do të keni gjakderdhje nga zona intime. Kjo fillon menjëherë pas lindjes dhe zgjat 4-6 javë. Gjakderdhja zakonisht zbutet gjatë javëve të para dhe ndryshon nga ngjyra e kuqe e ndritshme drejt ngjyrës së kuqerremtë.

Ju do të keni nevojë të përdorni 'napa' (materiale pambuku natyral) në vend të tamponëve. Ju mund të preferoni të përdorni peceta/pampersa të lindjes në fillim - këto janë më të mëdha dhe më të gjata se ato të zakonshme. Gjakderdhja mund të rritet për një kohë të shkurtër kur ushqeni fëmijën me gji ose kur jeni duke ecur.

Nëse perineumi juaj ndihet i nxehtë ose bëhet më i fryrë, ose nëse kundërmon erë të keqe të ndërlidhur me gjakderdhjen, bëni një kontroll te mjeku juaj. *Perineumi është zona e indeve të buta që mbulon muskujt dhe ligamentet e dyshemesë së legenit midis vaginës dhe anusit tek gratë dhe midis skrotumit dhe anusit tek burrat. Këto ndryshime mund të jenë një shenjë e infeksionit.

Dhimbja pas lindjes natyrale

Ju mund të ndjeni dhimbje pas një lindjeje natyrale, edhe nëse nuk keni pasur ndonjë prerje ose qepje. Kjo ndodh sepse muskujt dhe nervat rreth perineumit tuaj janë zgjatur dhe mavijosur.

Ka disa gjëra që mund të përpiqeni t’i bëni për ta ndihmuar lehtësimin e dhimbjes, ënjtjes dhe mavijosjes së perineumit tuaj:

  • Vendosni pako akulli ose xhel të ftohtë në zonë për 10-20 minuta, jo më shumë se çdo dy orë.
  • Shtrihuni në anën tuaj dhe bëni disa ushtrime të legenit në dysheme.
  • Merrni pak paracetamol ose lehtësues të tjerë të dhimbjes. Pyetni mjekun tuaj se cilët qetësues të dhimbjeve janë më të mirë për ju, veçanërisht nëse jeni duke ushqyer fëmijën me gji.
  • Mbani zonën intime të pastër duke bërë dush ose larje çdo ditë dhe duke ndërruar rregullisht pecetën tuaj.
  • Fshijeni butësisht zonën intime me një peshqir ose leckë të butë pas çdo larje.

Nëse keni dhimbje gjatë urinimit, tregojini mjekut tuaj. Kjo mund të shkaktohet nga plagët e lehta në perineumin tuaj. Mund të provoni:

  • shpëlarjen me ujë të ngrohtë, kur urinoni. 
  • përdorimin e një alkalinizuesi të urinës.
  • konsumin e ujit në sasi të mëdha.

Nëse keni qepje për të mbyllur një të çarë ose një episiotomi, ato do të rikuperohen gradualisht 1-2 javë pas lindjes.

Dhimbja pas lindjes cezariane

Pas lindjes cezariane, do të keni një plagë kirurgjikale në pjesën e poshtme të barkut tuaj. Është normale që plaga t’ju shkaktojë dhimbje.

Mund të ndihmojë për të lehtësuar problemin me plagën, nëse vendosni jastëkë nën gjunjë kur shtriheni në shpinë, ose të vendosni jastëkun nën bark kur shtriheni në anën tuaj. Kur dëshironi të qëndroni ulur nga pozicioni i shtrirë, rrotullohuni anash dhe përdorni krahët për ta ngritur pjesën e sipërme të trupit nga dysheku.

Mjeku juaj do t’ju thotë t’i kufizoni stërvitjet dhe aktivitetet e fuqishme pas lindjes cezariane. Është mirë që t’i shmangni detyrat që përfshijnë ngritjen dhe ecjen në javët e para. Ju mund të kërkoni nga miqtë dhe familja juaj që t’ju ndihmojnë me këto detyra.

Një shëtitje e lehtë çdo ditë mund ta ndihmojë trupin tuaj të shërohet. Ju gjithashtu duhet të flini dhe pushoni sa më shumë që të mundeni.

Veshjet e gjera dhe të brendshmet me material pambuku me një gjatësi të lartë ndoshta do të jenë më të rehatshme për plagën tuaj.

Madhësia e një plage cezariane është e ndryshme për secilën grua, por plaga juaj do të duket më e vogël në javët e para pas lindjes, ndërsa mavijosja dhe ënjtja qetësohen.

Nëse plaga juaj ose zona përreth saj bëhet e kuqe, ndihet e ngrohtë në prekje ose rrjedh, atëherë me siguri mund të jetë e infektuar. Prandaj duhet të vizitoni mjekun tuaj.

Dhimbjet e mëvonshme

Dhimbjet e mëvonshme janë ngërçet e shkurtra të shkaktuara nga kontraktimi i mitrës për t’u zvogëluar dhe kontrolluar gjakderdhjen. Ju mund të përjetoni dhimbje të mëvonshme pas ushqyerjes me gji, sepse hormonet e lëshuara kur ushqeni me gji gjithashtu shkaktojnë tkurrjen e mitrës. Kjo ndihmon që ajo të bëhet më e vogël dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Dhimbjet pasuese janë të pakëndshme dhe mund të zgjasin disa ditë. Në këtë drejtim mund t’ju ndihmojnë gjërat e ngrohta në barkun ose kurrizin tuaj.

Dhimbjet pasuese janë më të zakonshme tek gratë që kanë lindur më parë, por mund t’i keni edhe pas lindjes tuaj të parë. Ato në përgjithësi bëhen më të fortë me çdo lindje.

Dhimbje në gjoks dhe në kokat e gjirit

Ju mund të prisni dhimbje të kokës së gjirit dhe gjinj të ndjeshëm në javën e parë pasi vjen qumështi juaj dhe ju dhe fëmija juaj mësoheni me ushqyerjen me gji.

Arsyeja më e zakonshme për dhimbjen është kur fëmija nuk është vendosur në pozicionin e duhur gjatë ushqyerjes me gji. Kërkoni ndihmë nga profesionisti juaj shëndetësor nëse nuk jeni të sigurt, ose jeni shumë të lënduar.

 Disa gjëra të tjera që mund të bëni për të ndihmuar me ndjeshmërinë e gjirit dhe kokave të tij:

  • Vendosni gjëra të ftohta në gjinjtë tuaj - madje edhe një leckë e ngrirë mund të ndihmojë në periudhën ndërmjet gjidhënieve. Një leckë e ngrohtë gjatë ushqyerjes do të nxisë rrjedhjen e qumështit.
  • Provoni t’i bëni masazh të butë të gjithë gjirit.
  • Shtrydhni disa pika të qumështit tuaj në fund të çdo ushqimi dhe shpërndajeni mbi kokat e gjirit. Kjo mund t’i qetësojë dhe t’i ndihmojë ato të shërohen.
  • Provoni të vendosni një sasi të vogël kremi në kokën e gjirit. Përdorni një krem të posaçëm për femrat që ushqejnë me gji.

Nëse dhimbja e gjirit dhe kokës së tij nuk përmirësohet nga dita në ditë, mund të flisni me një mjek.

Mungesa e vetëpërmbjajtes së urinës dhe zorrëve në muajt e parë pas lindjes

Në muajt e parë pas lindjes, mund të zbuloni se urinoni aksidentalisht ose keni lëvizje aksidentale të zorrëve, veçanërisht kur qeshni, kolliteni ose teshtini.

Kjo zakonisht rregullohet kur të zbutet ënjtja juaj, të kthehet ndjesia dhe muskujt të bëhen më të fortë. Mund të ndihmojnë ushtrimet e legenit në dysheme për t’i forcuar muskujt tuaj.

Nëse ende keni probleme me mospërmbajtje kur fëmija juaj i bën gjashtë javë ose më shumë, bisedoni me mjekun tuaj, i cili do të jetë në gjendje t’ju ndihmojë ose t’ju udhëzojë te një fizioterapist ose specialist për këtë problematikë.

Mospërmbajtja pas lindjes është shumë e zakonshme dhe ka shumë trajtime që mund të ndihmojnë.

Pesha në muajt e parë pas lindjes

Humbja e peshës normalisht ndodh gradualisht pas lindjes. Ushqimi i shëndetshëm dhe ushtrimet e lehta si ecja mund të ndihmojnë në humbjen e peshës. Ushqyerja me gji gjithashtu mund të ndihmojë.

Humbja e peshës është më e sigurt kur e bëni atë me hapa të ngadaltë. Nëse qëllimi juaj është të ktheheni në peshën tuaj para shtatzënisë, mund të prisni që kjo të zgjasë disa muaj.

Nëse keni qenë mbipeshë para se të mbeteni shtatzënë dhe dëshironi të humbni peshë, bisedoni me mjekun tuaj. Nëse jeni duke humbur shumë peshë dhe jeni nën peshë, është gjithashtu një ide e mirë të flisni me mjekun tuaj.

Flokët në muajt e parë pas lindjes

Ju mund të keni rënie të flokëve në muajt pas lindjes. Kjo nuk do të zgjasë dhe duhet të qetësohet, kur fëmija juaj të jetë rreth gjashtë muajsh.

Kjo ndodh për shkak të ndryshimit të niveleve të hormoneve në trupin tuaj. Rënia e flokëve nuk shkaktohet nga ushqyerja me gji, prandaj largimi i foshnjes tuaj nga gjiri nuk do të ndihmojë.

Shenjat e strijave

Ju mund të keni shenja të strijave në bark, ijë dhe gjoks gjatë shtatzënisë. Pas lindjes, shenjat zakonisht ndryshojnë, duke u zbehur nga një ngjyrë e kuqe në një ngjyrë argjendi dhe duke u bërë më të vogla.

Shëndeti juaj dhe shëndeti i foshnjes suaj do të rishikohen në një kontroll gjashtë javor te mjeku juaj. Ky është një shans për ju që të pyesni për çdo ndryshim fizik ose emocional, që ju shqetëson.

Marrëdhënia juaj në muajt e parë të prindërimit

Të bëheni prindër është një ndryshim i madh për ju dhe partnerin tuaj. Disa çifte gjejnë një lidhje më të thellë, por të tjerëve u duhet kohë për ta ushqyer lidhjen e tyre si prindër.

Ndjenjat tuaja për marrëdhënie dhe intimitet mund të varen nga shumë gjëra, siç janë: përvoja juaj e lindjes, dhimbja, lodhja, kërkesat për t’u kujdesur për foshnjen tuaj dhe mënyra si ndiheni për trupin tuaj pas shtatzënisë dhe lindjes.

Me të vërtetë mund të ndihmojë nëse i ndani me të tjerët përvojat dhe idetë. Provoni të komunikoni  me nëna të tjera të reja, duke u bërë pjesë e grupeve të nënave të reja. Nëse nuk jeni të sigurt se ku t’i gjeni ato, pyesni mjekun tuaj.