Rekomandime të përgjithshme për fëmijët me humbje në peshe
Humbja e peshës (ose fitimi i pamjaftueshëm i peshës), në shkallë të ndryshme mund të ndodhë në çdo kohë të jetës së fëmijës dhe më së shpeshti është rezultat i sëmundjeve dhe/ose kequshqyerjes. Përgatitja e duhur e ushqimit, duke ofruar më shpesh ushqim me cilësi të lartë si dhe një marrëdhënie prind-fëmijë me cilësi të lartë në përputhje me nevojat e fëmijës, do të bëjë të mundur që gradualisht të kompensohet humbja e peshës (fitim i pamjaftueshëm i peshës).
Body
Humbja e peshës, ose rritja në gjatësi që nuk shoqërohet me shtim të peshës përkatëse tek një fëmijë, është më shpesh rezultat i sëmundjeve dhe/ose kequshqyerjes. Duke ditur se ushqimi optimal gjatë fëmijërisë së hershme është thelbësor për zhvillimin e potencialit të plotë të një fëmije, ju do të përpiqeni ta trajtoni vetë këtë çrregullim.
Këtu janë disa rekomandime të dobishme që do t'ju ndihmojnë të bëni korrigjimet e nevojshme ose t'i zbatoni ato para se të vizitoni pediatrin.
Gjatë sëmundjes
- Nëse fëmija është në vitin e dytë dhe ushqehet me qumësht gjiri, sigurohuni që ai/ajo do të kërkojë të thithë më shpesh dhe ushqyerja me gji do të jetë më e shkurtër - përgjigjuni nevojës së tij/saj.
- Fëmija ka oreks më të dobët dhe do të ha më pak, por është me rëndësi që ai/ajo të marrë një sasi të mjaftueshme të lëngjeve.
- Përgatitni dhe ofroni shpesh fëmijës suaj një larmi ushqimesh, me konsistencë më të butë (supa, gjellë me perime, pjepër të freskët e shalqi të freskët ...) dhe sigurohuni që këto të jenë ushqimet e tij/saj të preferuara.
- Midis vakteve ofroni lëngje, mundësisht vetëm ujë, madje edhe në gllënjka të vogla, në një sasi më të madhe se zakonisht sepse humbjet janë më të mëdha (përmes jashtëqitjes, lëkurës, frymëmarrjes).
- Monitoroni sjelljen e fëmijës tuaj dhe përgjigjuni ndaj nevojave të tij/saj: jepini lëngje ose ushqim në sasinë që ai/ajo mund të konsumojë.
Pas sëmundjes apo pas një periudhe të të ushqyerit të pamjaftueshëm
(apo arsye tjera ekonomike ose social-emocionale):
- Është e nevojshme të inkurajohet fëmija të hajë më shumë dhe/ose më shpesh derisa ai/ajo të rifitojë peshën e humbur dhe të vazhdojë të rritet normalisht.
- Nëse fëmija është më i vogël se 2 vjeç dhe ushqehet me qumësht gjiri, është e nevojshme të vazhdoni ushqyerjen me gji në përputhje me nevojat e fëmijës, ndoshta më shpesh.
- Kushtojini vëmendje rekomandimeve për ushqyerje optimale në përputhje me moshën e fëmijës, por mbani parasysh që nevojat e fëmijës suaj janë më të mëdha në këtë kohë.
- Për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme nevojave të rritura ushqyese të fëmijës, siguroni një dietë me proteina me cilësi të lartë: si lloje të ndryshme të mishit, peshkut, shpendëve, vezëve dhe bishtajoreve (bizele, fasule, thjerrëza) të kombinuara me drithëra; kështu fëmija do të marrë sasinë e nevojshme të mineraleve - hekurit dhe zinkut.
- Është e nevojshme të përgatitet ushqim me densitet të lartë të energjisë; prandaj, shtoni një lugë gjelle vaj ose një kub gjalpi në pure (bollgur, qull me miell misri, drithëra).
- Vazhdoni të ushqeni fëmijën tuaj me fruta dhe perime të freskëta që janë në dispozicion në vend.
- Përgatitni ushqimin në mënyrën që përgatitet zakonisht në familje.
- Mos ia mohoni ushqimin fëmijës tuaj, por shmangni ofrimin: qumësht formule shtesë, lëngje të ëmbëlsuara dhe ushqime të ëmbëlsuara (lëngje me sheqer të shtuar, pije të gazuara, torta, ëmbëlsira...), ushqime të skuqura që nuk janë të shëndetshme, mbushin stomakun dhe sigurojnë energji, por jo lëndë ushqyese të tjera të nevojshme dhe të dobishme.
- Sigurohuni që të konsultoheni me një pediatër për një ekzaminim dhe rekomandime shtesë dietike, si dhe për përcaktimin e dinamikës së monitorimit të mëtejshëm të rritjes.