Mitet dhe faktet në lidhje me vaksinën
Përdorimi i gjerë i vaksinave në të gjithë botën është shoqëruar me shumë shqetësime në lidhje me sigurinë dhe ndikimet e mundshme të tyre si dhe efektet anësore afatgjata. Në paragrafin më poshtë do të përmbledhim faktet në lidhje me këto shqetësime.
Është normale dhe e arsyeshme të shqetësoheni dhe të kërkoni informacione në lidhje me çështjet mjekësore në përgjithësi, dhe në veçanti për vaksinat. Megjithatë, ju sugjerojmë që fuqimisht të ndiqni informacione nga burime të besueshme siç janë organizatat qendrore të shëndetësisë si OBSH, Agjencia Evropiane e Mjekësisë, Akademia Amerikane e Pediatrisë etj. Mediat elektronike janë “të mbushura” nga informacione, ku një pjesë e madhe e tyre është pa bazë shkencore dhe ndonjëherë qëllimisht edhe të pasakta dhe të pavërteta.
Është shumë e rëndësishme që të bëhet dallimi mes “ndërlidhjes rastësore”, kur dy ngjarje ndodhin rastësisht njëra pas tjetrës për të shkaktuar ndërlidhjen "'shkak-pasojë". Në shumë raste kur dy ngjarje ndodhin njëra pas tjetrës, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja e parë e ka shkaktuar të dytën.
Për shembull, nëse do të ndodhte tërmeti 1 ditë pas humbjes të ekipit kombëtar të futbollit, askush nuk do të besonte se humbja e ka shkaktuar tërmetin. Kjo është vetëm një rastësi.
Kjo vlen për disa efekte që mund të ndodhin pas vaksinimit: nuk duhet të harrojmë se shumë prej sëmundjeve gjenetike dhe zhvillimore shfaqen gjatë 2 viteve të para të jetës. Kjo është edhe koha kur merren shumica e vaksinave. Është shumë tunduese të besosh se vaksina shkaktoi sëmundjet. Sidoqoftë, duhet të zbulojmë nëse kjo ishte rastësi apo vërtet një ndërlidhje shkak-pasojë. Prandaj, shumë studime të mëdha epidemiologjike janë bërë me disa metoda shkencore dhe në vende të ndryshme me hulumtues të ndryshëm. Numri jashtëzakonisht i madh i dëshmive ofron një mesazh shumë sigurues se vaksinat janë shumë të sigurta dhe nuk shkaktojnë sëmundje serioze.