Parazitët e flokëve (morrat)
Shkaqet e morrave të kokës ose thërrizave
Morrat e kokës janë insekte të vogla, pa krahë, që jetojnë në flokë të njeriut dhe ushqehen me gjakun që qarkullon në lëkurën e kokës.
Vezët e vogla (thërrizat) duken si zbokth mes flokëve, por me ndryshimin kryesor që në vend që të bien lehtë nga floku mbeten të kapura fort pas tyre. Pasi morrat lëshojnë thërriza, atyre ju duhet rreth një javë për të çelur.
Morrat përhapen kur njerëzit janë në kontakt të ngushtë - për shembull, kur kokat janë afër së bashku, kur vishni kapelen ose shallin e personit të prekur, ose kur përdorni krehër ose furçën e flokëve të personit të prekur.
Është e zakonshme që fëmijët të zënë morra sepse kokat e tyre shpesh janë afër së bashku ndërsa luajnë ose bëjnë detyrat e tyre shkollore. Disa fëmijë zënë morra disa herë në vit.
Nëse fëmija juaj zë morra, nuk ka asgjë për t'u turpëruar. Kjo nuk do të thotë se fëmija dhe shtëpia juaj janë të pista. Morrat e kokës nuk mbartin asnjë sëmundje.
Simptomat e morrave të kokës ose thërrizave
Nëse fëmija juaj ka morra në kokë, gjëja e parë që mund të vini re është se fëmija juaj ka kruarje dhe gërvishtje, veçanërisht në pjesën e pasme të qafës dhe pas veshëve. Por shumë fëmijë nuk kanë simptoma.
Kur shikoni nga afër flokët e fëmijës suaj, mund të shihni vezë të vogla në formë ovale të ngjitura në rrënjën e flokëve, afër lëkurës së kokës. Këto janë thërrizat.
Ju gjithashtu duhet të shikoni nëse ka morra të gjalla në kokë apo thërriza. Nëse fëmija juaj ka ende morra të gjallë, ai/ajo ende lëshon thërriza. Pra cikli i thërrizave dhe morrave nuk ndalon deri sa t'i hiqni të gjithë morrat e gjallë.
Morrat e gjalla të kokës lëvizin shpejt. Për t'i vërejtur morrat e gjallë, mund t'ju duhet t'i ndani flokët e fëmijës tuaj shumë shpejt ose të përdorni trajtimin me krehje të lagësht të përshkruar më poshtë.
Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë morra, duhet të kontrolloni për morrat e kokës në çdo anëtar të familjes tuaj.
Kur duhet të vizitoni mjekun për morrat e kokës ose thërrizat
Ju duhet të vizitoni mjekun nëse:
- fëmija juaj kruhet dhe gërvishtet shumë dhe kjo i ndërpret gjumin;
- zhvillohen plagë në lëkurën e kokës së fëmijës tuaj;
- fëmija juaj është trajtuar tre ose më shumë herë brenda një viti.
Trajtimi i morrave të kokës
Ju duhet të kontrolloni të gjithë anëtarët e prekur të familjes në të njëjtën kohë dhe t'i trajtoni nëse kanë morra. Ka dy mënyra për të trajtuar morrat e kokës - produkte kundër morrave të kokës dhe krehje me lagështi.
Locione, lëngje dhe kremra kundër morrave
Në shumicën e vendeve mund të merrni produkte kundër morrave në farmaci pa recetë. Është e rëndësishme të ndiqni me kujdes udhëzimet. Substanca kryesore e përdorur është permetrin 1% që është miratuar për përdorim te fëmijët 2 muajsh e lart.
Morrat e kokës po bëhen rezistente ndaj kimikateve në këto produkte, ndaj është e rëndësishme të kontrolloni nëse morrat janë të vdekur pasi të keni përdorur trajtimin. Nëse nuk kanë vdekur, provoni të përdorni një produkt me një përbërës aktiv të ndryshëm. Përbërësit e ndryshëm aktivë në këto produkte përfshijnë permetrin, malathion, spinosad ose piretrinë. Pyetni mjekun ose farmacistin tuaj nëse nuk jeni të sigurt se cilin produkt të provoni.
Do t'ju duhet ta trajtoni përsëri fëmijën tuaj rreth një javë pas trajtimit të parë të morrave, për të vrarë çdo vezë që ka dalë dhe është bërë e gjallë që nga trajtimi i parë.
Trajtimi me krehje me lagështi
Ky trajtim për morrat e kokës përfshin krehjen e flokëve të lagur me një krehër të veçantë me dhëmbë të imët, metalik për morrat dhe balsam (kondicioner) për flokë. Këtë lloj të krehrit mund ta blini në farmaci dhe mund të përdorni çfarëdo lloj balsami.
Në vijim janë hapat që duhet t'i bëni:
- Aplikoni shumë balsam në flokët e lagur të fëmijës suaj. Fërkojeni atë në lëkurën e kokës dhe në gjatësinë e flokëve.
- Lëreni balsamin aty për të paktën 15 minuta. Gjithashtu mund t'i vendosni një kapelë të dushit mbi kokën e fëmijës tuaj ndërsa jeni duke pritur. Balsami i mbyt morrat dhe ata i heqin kthetrat e tyre nga trupi i flokëve ose lëkura e kokës.
- Përdorni krehrin e veçantë të morrave për të hequr balsamin nga flokët e fëmijës suaj. Fusni krehrin derisa të prekë butësisht lëkurën e kokës dhe më pas lëvizeni poshtë në mënyrë të qëndrueshme. Pastroni krehrin sa herë që e bëni këtë proces duke përdorur ndonjë fasoletë ose ujë nga çezma. Shpesh do të jeni në gjendje të shihni se sa morra keni hequr nga flokët e fëmijës suaj.
- Krihni tërësisht kokën e fëmijës suaj të paktën dy herë.
Krehja e përsëritur me lagështi është një trajtim shumë i mirë i morrave të kokës. Krihni çdo 2-3 ditë për dy javë rresht, derisa në një krehje të plotë nuk shihni fare vezë ose morra në të gjithë kokën.
Krehja e lagësht merr kohë, shpesh më shumë se 30 minuta. Ju mund ta shpërqendroni fëmijën tuaj duke diskutuar ngjarjet e ditës ose duke e lënë fëmijën tuaj të lexojë një libër, të luajë lojëra në një pajisje celular ose të shikojë televizor apo një film gjatë kohës që ju i trajtoni morrat.
Nëse fëmija juaj ka morra, nuk ka nevojë t'ia preni flokët shumë - kjo nuk do të trajtojë ose parandalojë morrat.
Parandalimi i morrave të kokës
Morrat mund të përhapen lehtësisht tek fëmijët në të njëjtën klasë dhe gjithashtu në të gjithë familjen tuaj.
Nëse fëmija juaj ka morra ose thërriza, kontrolloni të gjithë familjen. Ju duhet të trajtoni anëtarët e tjerë të familjes nëse ankohen për kruarje të kokës dhe gjeni morra ose thërriza. Nëse ata/ato flenë në të njëjtin shtrat me fëmijën e prekur, me gjasë duhet të trajtohen pavarësisht nga simptomat.
Mos lejoni që fëmijët të ndajnë furçën e flokëve apo kapelet me njëri-tjetrin.
Fëmija juaj nuk ka gjasa të marrë morra nga gjëra si mobiljet, jastëkët dhe tapetin. Por nëse dikush në familjen tuaj ka morra, ju mund të konsideroni të lani rrobat ose shtratin që personi ka përdorur në 48 orët e fundit. Përdorni një cikël larjeje të nxehtë dhe thajini gjërat në një tharëse të nxehtë. Ju gjithashtu mund të pastroni tapetin dhe mobiljet.
Informoni institucionin e kujdesit të fëmijës, parashkollorin ose shkollën që fëmija juaj ka morra. Mbajeni fëmijën tuaj në shtëpi deri në ditën pas fillimit të trajtimit të duhur.