Përmirësimi i sjelljes së fëmijëve: injorimi i planifikuar

Injorimi i planifikuar është kur e largoni vëmendjen tuaj nga fëmija juaj për pak kohë kur ai/ajo sillet keq. Ky mund të jetë një mjet i dobishëm për sjelljen e fëmijëve dhe nuk duhet të ndihet si refuzim. Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet nëse ndiheni të zemëruar ose të frustruar me fëmijën tuaj. Kjo duhet të përdoret brenda një marrëdhënie të sigurt dhe të dashur. Gjithashtu, asnjë teknikë nuk është një mënyrë magjike për të ndihmuar fëmijët të sillen mirë, secili fëmijë është unik dhe gjithashtu zhvillohet dhe ndryshon.
Body
Çfarë është injorimi i planifikuar?

Injorimi i planifikuar është njëri nga mjetet e mundshme për drejtimin e sjelljes së fëmijës suaj.  Mirëpo mbani mend se, asnjë mjet nuk është përgjigje magjike dhe secili fëmijë është i ndryshëm. Më e rëndësishmja, të gjitha këto mjete udhëzuese mund të përdoren dhe funksionojnë brenda marrëdhënies suaj të ngrohtë dhe të dashur me fëmijën tuaj. Tani le ta eksplorojmë këtë mjet!

Injorimi i planifikuar ndodh kur nuk i kushtoni vëmendje një fëmije kur ai/ajo sillet keq.

Për shembull, nëse ju jeni duke ngrënë ushqim familjarisht dhe fëmija juaj kërcen lart e poshtë në karrigen e tij/saj, ju mund ta lini atë jashtë bisedës dhe të mos e shikoni atë derisa të ndalet. Kur ai/ajo të ndalojë, ju mund të thoni, “Mua më pëlqen, kur ti qëndron ulur në karrigen tënde gjatë darkës. Pse nuk na tregon se çfarë ke bërë sot në kopësht”?

Ideja është që ta shpërbleni fëmijën tuaj me shumë vëmendje kur ai/ajo sillet mirë - por mos i kushtoni atij/asaj vëmendje kur sillet keq.

Pse funksionon injorimi i planifikuar?

Injorimet e planifikuara funksionojnë vetëm nëse keni një marrëdhënie të ngrohtë dhe të sigurt me fëmijën, dhe vëmendja juaj perceptohet një shpërblim i madh për fëmijën tuaj.

Nëse fëmija juaj sillet në mënyrë të veçantë dhe e tërheq vëmendjen tuaj, ai/ajo ka të ngjarë të sillet në këtë mënyrë përsëri. Por nëse e injoroni sjelljen, ka më pak gjasa të ndodhë përsëri. Pra, vëmendja ndaj sjelljes së mirë zakonisht çon në sjellje më të mirë, dhe injorimi i sjelljes së keqe zakonisht redukton sjelljen jo të duhur.

Në mendjen e fëmijës suaj, reagimi i prindërve ndaj sjelljeve të këqija është më i mirë sesa të mos ketë reagim fare, kështu që edhe kritika apo disiplinimi mund të ndjehen si shpërblim për fëmijën tuaj – indiferenca mund të çojë në sjellje më të këqija.

A duhet t’i tregoni fëmijës tuaj që po e injoroni atë? Kjo varet nëse të treguarit fëmijës tuaj mund ta shpërblejë atë me vëmendje. Për sjellje të vogla, mund të mos thuash asgjë. Ose ju mund të shpjegoni një herë, se ju nuk do të përgjigjeni kur fëmija juaj sillet në një mënyrë të veçantë. Pastaj injoroni sjelljen sa herë që ndodh pas kësaj, pa thënë asgjë tjetër.

Është e rëndësishme që injorimi nuk duhet të ndihet si refuzim ndaj fëmijës suaj.  Nëse je me të vërtetë i zemëruar, dhe se zemërimi vjen përmes tonit tënd të zërit (“Grrrr, unë të injoroj! “), është mirë të mos e përdorni këtë mjet tani.

Injorimi i planifikuar: disa këshilla

Këtu janë dhënë disa këshilla për përdorimin e injorimit të planifikuar.

  • Injoroni plotësisht. Mos e shikoni fëmijën tuaj ose mos thoni asgjë ndërkohë që ai/ajo sillet keq. Shikimet, buzëqeshja apo edhe një fytyrë e vrenjtur mund të jenë të dobishme. Kur është e sigurt dhe praktike, largohuni me qetësi nga fëmija ndërkohë që ai/ajo sillet keq.
  • Filloni të injoroni kur fillon sjellja e tillë. Ndaloni injorimin kur sjellja të ndalojë për një kohë të caktuar. Kjo mund të nënkuptojë 20 sekonda injorim për një foshnjë dhe disa minuta injorim për fëmijët më të mëdhenj. Ju mund të përgjigjeni përsëri kur fëmija juaj e ndalon sjelljen e keqe.
  • Planifikoni disa mënyra për ta shkëputur veten nëse mendoni se do ta keni të vështirë ta injoroni fëmijën tuaj. Ju mund ta lëshoni ndonjë muzikë, të numëroni pa zë, të bëni ushtrime të frymëmarrjes ose të planifikoni listën tuaj të blerjeve.
  • Vazhdimisht i kushtoni vëmendje sjelljes që dëshironi të shihni në vend të sjelljes që po injoroni.

Mos harroni, ndonjëherë fëmijët sillen në mënyra sfiduese për të shprehur ndjenja ose shqetësime të mëdha. Të gjithë kemi të bëjmë me disa situata të frikshme. Kur kjo ndodh është mirë të provoni të flisni me fëmijën tuaj për ndjenjat e tij/saj - ose mund të flisni më pas kur ai/ajo është më i/e qetë. Kur ju ndihmoni fëmijën tuaj për t’i kuptuar ndjenjat e tij/saj, kjo e ndihmon atë për të menaxhuar ndjenjat dhe sjelljet e tij/saj.

Si të vendosni nëse do e përdorni injorimin e planifikuar?

Injorimi nuk është gjithmonë opsioni më i mirë. Para se të vendosni të injoroni sjelljen, është ide e mirë të kontrolloni disa gjëra.

A shpërblehet sjellja nga vëmendja e dikujt tjetër?
Nëse sjellja shpërblehet nga vëmendja e dikujt tjetër - për shembull, vëllezërit e motrat apo miqtë - nuk do të bëjë ndonjë ndryshim nëse e injoroni. Në këtë rast, mund t’ju duhet të shikoni një mjet tjetër për drejtimin e sjelljes - për shembull, duke ndryshuar mjedisin e fëmijës suaj.

A duhet ta injoroni sjelljen?
 Ju nuk mund t’i injoroni sjelljet e rrezikshme ose sjelljet që i dëmtojnë të tjerët ose dëmtojnë pronën - për shembull, kafshimi, goditja, tërheqja e perdeve ose hedhja e gjërave. Në këtë rast, mund të jetë i përshtatshëm një mjet për drejtimin e sjelljes si pasojat ose kohëzgjatja.

A mund ta injoroni sjelljen kudo që ndodh?
Nëse e injoroni sjelljen në një vend, por jo në ndonjë tjetër, ju do përballeni më shumë me sjelljet në vendin ku nuk dëshironi. Për shembull, nëse e injoroni fëmijën tuaj duke bërtitur në shtëpi, por jo në supermarket, mund të përballeni me shumë bërtitje në supermarket. Ju mund të provoni që paraprakisht ta planifikoni sjelljen në supermarket.

A duhet të injorojnë sjelljen e fëmijës edhe njerëzit e tjerë?
Nëse keni arritur të injoroni me sukses një sjellje, por partneri, miku ose i afërmi juaj hyjnë papritmas dhe i kushtojnë vëmendje, puna juaj e mirë do të zhbëhet. Mbështetja e njëri-tjetrit është një pjesë e rëndësishme e udhëzimit të sjelljes së fëmijëve tuaj, kështu që është mirë nëse ju dhe partneri juaj mund të bisedoni dhe pajtoheni se çfarë sjellje do të injoroni.

Jini të përgatitur - sjellja që injorohet shpesh përkeqësohet para se të përmirësohet. Fëmijët mund të ankohen ose të reagojnë më shumë, duke shpresuar që ju do të përgjigjeni. Ju duhet ta konsideroni këtë kur të vendosni nëse do ta përdorni injorimin e planifikuar si mjet për drejtimin e sjelljes.