Prerja e thonjve të foshnjës
Rreth thonjve të foshnjës tuaj
Nuk ka nevojë t'i presësh thonjtë e foshnjes shumë shpesh.
Tek të posalindurit, thonjtë janë të butë dhe lëmohen vetë nga kontakti me rrobat. Tek foshnjat më të mëdha thojntë lëmohen gjatë lojës dhe ndërveprimit me gjërat që e rrethojnë.
Thonjtë shumë të gjatë dhe të mprehtë mund të shkaktojnë gërvishtje në trup duke përfshirë sytë. Thonjtë e foshnjës rriten mjaft shpejt por mund t'i shkurtoni thonjtë e duarve dhe të këmbëve sipas nevojës. Mund të përdorni gërshërë ose prerëse të thonjve të posaçme për foshnje. Gjithashtu mund të shkurtoni thonjtë me anë të shkopit gërvishës. Kjo nënkupton vetëm gërvishjen e thonjve në mënyrë që të jenë të lëmuar.
Si t'i prisni thonjtë foshnjës tuaj?
Mundohuni t'i prisni thonjtë foshnjes kur ai/ajo është në gjumë, shumë i/e qetë ose i/e përgjumur.
Këto këshilla për prerjen e thonjve mund t'i bëjnë gjërat më të lehta:
- Sigurohuni të keni dritë mjaftueshëm në mënyrë që të shihni mirë.
- Bashkëpunoni me dikë tjetër nëse ju ndihmon - njëri e mban foshnjen, tjetri i pret thonjtë.
- Tërhiqeni butësisht thoin e prerë për të mos çarë lëkurën.
- Pritni thonjtë e këmbëve drejtë për të shmangur futjen e thonjve në mish.
Më poshtë janë disa këshilla për ta mbajtur fëmijën tuaj të lumtur ndërsa prisni thonjtë:
- Flisni me qetësi ose këndojini foshnjes.
- Përpiquni ta shpërqendroni fëmijën tuaj me ndonjë lodër ose aktivitet. Kjo shpesh funksionon mirë me foshnjat më të mëdha.
- Lavdëroni foshnjen tuaj që ju ka ndihmuar që të përfundoni punën. Kjo mund t'ju ndihmojë të dyve të ndiheni mirë.
Nëse aksidentalisht i çani lëkurën foshnjës dhe fillon të rrjedhë gjak, shtypni butësisht me një leckë të butë mbi plagë deri sa të ndalojë gjakderdhja.
Nëse jeni të shqetësuar për çarjen, atëherë dërgojeni foshnjen në vizitë tek mjeku.
Foshnjat e vogla kanë tendencë ta gërvishin veten aksidentalisht sepse nuk kanë shumë kontroll mbi duar dhe këmbët e tyre. Gjithashtu kanë dëshirë ta eksplorojnë fytyrën e tyre me duar, gjë që mundëson gërvishtjen e syrit. Ju mund t'i ndaloni foshnjet që ta gërvishin veten nëse i mbuloni duart e tyre me doreza të vogla pambuku ose çorape. Mirëpo, sigurohuni që fëmija juaj të ketë edhe kohë kur qëndron pa doreza në mënyrë që të eksplorojë dhe të luajë me duar.
Shenjat e syve të gërvishtur përfshijnë:
- Syri i kuq - "e bardha" e syrit do të jetë shumë e lënduar dhe e skuqur;
- Lot të tepërt;
- Fëmija juaj është befas i shqetësuar;
- Shenja gërvishtjeje rreth syrit;
- Simptoma vetëm në një sy.
Nëse dyshoni se foshnja juaj ka gërvishtje në sy, vizitoni mjekun tuaj, i cili do të sugjerojë nëse do t'i vendosni krem lokal në sy. Por mos u shqetësoni! Shumica e gërvishtjeve të syve nuk janë shumë serioze dhe do të shërohen në mënyrë të përsosur me trajtimin e duhur.
Problemet me thonjtë e foshnjes
Është mjaft e zakonshme që foshnjat e vogla të marrin një infeksion të vogël (të quajtur paronychia) rreth thoit të gishtit ose këmbës. Por mund t'ju duhet të vendosni një sasi të vogël kremi ose lëngu antiseptik te thonjtë.
Ndonjëherë ky infeksion mund të përhapet më tej në lëkurën e gishtit të dorës ose të këmbës, duke bërë që zona të bëhet e fryrë dhe e kuqe.
Nëse e vëreni këtë gjë, vizitoni mjekun tuaj. Foshnja juaj mund të ketë nevojë për një antibiotik për të ndihmuar në pastrimin e infeksionit. Nëse vendosni krem për të trajtuar infeksionin, sigurohuni që më pas t'i vendosni doreza ose çorape fëmijës suaj. Kjo do të thotë se foshnja nuk mund t'i fusë duart ose këmbët drejtpërdrejt në gojë.