Rekomandimet për marrjen e ushqimeve jo qumështore tek foshnjat, që nuk ushqehen me qumësht gjiri, janë të ngjashme me ato për fëmijët që ushqehen me gji, në aspektin e zgjedhjeve të ushqimit, përgatitjes së ushqimit, metodave të ushqyerjes dhe respektimit të nevojave të fëmijës. Të gjitha foshnjat më të mëdha se gjashtë muaj kanë nevojë për ushqime tjera veç qumështit.
Body
Fëmijët që nuk ushqehen me gji duhet të fillojnë të marrin ushqime tjera pak më shpejt, nga muaji i 5-të i jetës (jo para javës së 17-të dhe jo pas javës së 24-të). Formula foshnjore (qumështi artificial i industrializuar) nuk i përmbush më plotësisht nevojat ushqyese të foshnjës dhe ai/ajo fillon të tregojë interes për ushqime të tjera. Nga muaji i 5-të, funksionet e organeve të tretjes dhe gjendrave ekskretore janë mjaftueshëm të zhvilluara, siç janë edhe funksionet motorike që mundësojnë ushqyerjen e fëmijës me ushqime gjysmë të ngurta dhe të ngurta.
Qumështi
- Formula (qumështi në pluhur) për foshnja mbetet ushqimi kryesor për fëmijën gjatë gjithë vitit të parë.
- Një fëmijë që nuk ka vazhduar të ushqehet me gji ose është ushqyer me formulë duhet të marrë dy gota qumësht çdo ditë gjatë vitit të dytë.
- Qumështi i lopës nuk rekomandohet gjatë vitit të parë (e njëjta vlen edhe për qumështin e deleve dhe dhisë). Sigurisht që nuk rekomandohet t’i jepni fëmijës qumësht të pazier/të papasterizuar.
- Produktet e qumështit (jogurti, kosi, djathi i freskët) janë një burim i shkëlqyer i proteinave dhe kalciumit dhe mund t’u jepet fëmijëve të moshës 7-8 muaj e më shumë. Ruajtja e produkteve të qumështit është një parim veçanërisht i rëndësishëm, sepse ato prishen lehtë dhe zakonisht kanë një afat të shkurtër skadimi.
- Pijet me bazë bimore (soja, orizi ose qumështi i bajameve) nuk rekomandohet si qumësht primar për foshnjat, sepse ato nuk i plotësojnë nevojat e tyre ushqyese.
Mosha 6 deri në 8 muaj
- Foshnjat që nuk ushqehen me gji kanë nevojë për të njëjtën sasi ushqimi si fëmijët që ushqehen me gji, si dhe duhet të kenë edhe një vakt më shumë dhe dy gota qumështi çdo ditë.
- Përtej muajit të 6-të, jepni fëmijës 2-3 gota ujë në ditë, sidomos kur moti është i ngrohtë. Jepni fëmijës ujë të zier dhe të ftohur derisa ai/ajo të mbushë një vjeç.
Mosha 9 deri në 11 muaj
Foshnjat që nuk ushqehen me gji kanë nevojë për të njëjtën sasi ushqimi si ata që ushqehen me gji, plus dy vakte dhe dy gota qumështi çdo ditë. Mos harroni ujin.
Mosha 12 deri në 23 muaj
- Foshnjat që nuk ushqehen me gji kanë nevojë për të njëjtën sasi ushqimi si ata që ushqehen me gji, plus dy vakte dhe dy gota qumështi çdo ditë.
- Mos harroni ujin! Përtej moshës një vjeçare, ju mund t’i jepni fëmijës suaj ujë çezme, nëse uji i rrjetit është i sigurt.
- Sasia e ushqimit, zgjedhja e ushqimit, përgatitja e ushqimit dhe rekomandimet e ushqimit janë të njëjta për foshnjat e ushqyer me formulë dhe për fëmijët që ushqehen me gji.
Të ushqyerit e përgjegjshëm
Vëzhgoni fëmijën tuaj dhe përgjigjuni sinjaleve të tij/saj. Prisni që fëmija ta ndalojë ngrënien para se t’i jepni përsëri. Ndërprisni ushqyerjen kur ai/ajo jep sinjal se është ngopur.
Asnjëherë mos përdorni një shishe dhe biberon për t’i dhënë fëmijës ushqim të shtypur!!! Kjo mënyrë e të ushqyerit e rrit ndjeshëm rrezikun e marrjes së tepërt të kalorive dhe obezitetit, dhe gjithashtu e rrit rrezikun e kariesit kur fëmijës i dalin dhëmbët. Jepni fëmijës në shishe vetëm ujë ose formulë qumështi. Nga 9 deri në 12 muaj, shumica e fëmijëve janë mjaftueshëm të zhvilluar për t’u ushqyer vetë dhe për të pirë nga një filxhan i mbajtur me të dyja duart. Mundohuni të ndërprisni përdorimin e shishes dhe biberonit jo më vonë se ditëlindja e parë e foshnjës.
|