Shenjat e lodhjes tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël
Shenjat e lodhjes: pse janë të rëndësishme
Fëmijët tregojnë se janë të lodhur nëpërmjet ndryshimeve në sjellje. Për shembull, fëmija juaj mund të jetë befas nervoz/e, tepër aktiv/e ose kërkues/e.
Është e rëndësishme t'i shikoni "shenjat e lodhjes" të fëmijës suaj. Këto shenja ju bëjnë të kuptoni se kur është koha për të ulur stimulimin dhe për ta vënë fëmijën tuaj për të fjetur. Nëse prisni derisa fëmija juaj të lodhet shumë, atëherë do të jetë më e vështirë.
Të porsalindurit: shenjat e lodhjes
Me gjasë foshnjat e porsalindura do të lodhen nëse qëndrojnë zgjuar për 1 deri në 1 orë e gjysmë.
Nëse foshnja e porsalindur është i/e lodhur, mund të shihni disa nga shenjat e mëposhtme të lodhjes:
- i tërheq veshët;
- i mbyllë grushtat;
- ka hapje të gojës për gjumë;
- i lëviz qepallat ose ka vështirësi për t'u fokusuar - foshnja juaj mund të bëhet me sy të vëngër ose të duket se po shikon në hapësirë;
- bën lëvizje të vrullshme të krahëve dhe këmbëve, ose bën harkim prapa;
- duket i/e vrenjtur ose i/e shqetësuar;
- bën thithje të gishtave – kjo mund të jetë një shenjë e mirë dhe mund të nënkuptojë se fëmija juaj po përpiqet të gjejë mënyra për ta zënë gjumi.
Foshnjat dhe fëmijët e vegjël: shenjat e lodhjes
Në muajt 3-6, foshnja juaj mund të jetë i/e lodhur pas 1½-3 orë zgjuar.
Në muajt 6-12, foshnja juaj mund të jetë i/e lodhur pas 2-3 orësh zgjuar.
Në muajt 12-18, foshnja juaj mund të jetë tepër i/e lodhur nëse humbet gjumin e mëngjesit ose të pasdites.
Nëse foshnja ose vogëlushi/ja juaj është i/e lodhur, ju mund të shihni disa nga shenjat e mëposhtme të lodhjes:
- ngathtësi
- varësia emocionale (tendenca për t'ju ngjitur personave të afërt)
- qarje ose qarje me ngashërim
- kërkesa për vëmendje
- mërzitje me lodrat
- nazeli me ushqimin.
I/e lodhur apo i/e uritur?
Të qarit me ngashërim dhe të qarit mund të nënkuptojnë se fëmija juaj është i/e lodhur, por ndonjëherë mund të jetë e vështirë të bëhet dallimi midis të qarit me ngashërim nga lodhja dhe nga uria.
Nëse foshnja juaj ka ngrënë ushqim brenda dy orëve të fundit dhe është duke qarë me ngashërim dhe është nevrik/e, ai/ajo ndoshta është i/e lodhur. Nëse nuk jeni të sigurt, ofrojini ushqim. Nëse ai/ajo merr vetëm pak qumësht dhe është ende duke qarë, ai/ajo ka nevojë për gjumë.
Reduktimi i stimulimit
Nëse fëmija juaj po shfaq shenja lodhjeje, është mirë që ta bëni gati për gjumë duke reduktuar stimulimin. Ju mund ta bëni këtë duke:
- e çuar fëmijën tuaj në vendin ku ai/ajo zakonisht fle;
- i larguar lodrat;
- folur pa zhurmë dhe në mënyrë qetësuese;
- mbyllur perdet dhe dritaret;
- fikur dritat e sipërme – përdorni llambat nëse keni nevojë;
- vendosur muzikë qetësuese në volum të ulët – kjo do të ndihmojë në uljen e zhurmës së sfondit.
Krijimi i kohës së qetë
Një kohë e qetë para gjumit në vendin ku fëmija juaj zakonisht fle do ta ndihmojë atë të qetësohet për të fjetur.
Koha e qetë me fëmijën tuaj mund të përfshijë një përqafim të butë, tregimin e ndonjë historie ose dëgjimin e ndonjë kënge të qetë.
Fëmija juaj mund të ketë nevojë vetëm për disa minuta kohë qetësie përpara se të relaksohet dhe të jetë gati për t'u futur në shtrat. Nëse familja juaj është e zhurmshme dhe aktive, fëmija juaj mund të ketë nevojë për një kohë të qetë shtesë përpara se të jetë koha për të fjetur.