Shuplakat: çfarë ju duhet të dini
Të rrahësh fëmijët: çfarë duhet të dini
Shuplakat janë një ndëshkim fizik.
Duket sikur funksionon sepse fëmijët ndalojnë atë që po bëjnë kur marrin një shuplakë. Por kjo nuk është një zgjedhje e mirë për të disiplinuar fëmijën. Kjo sepse nuk i ndihmon fëmijët të mësojnë rreth vetëkontrollit apo sjelljes së përshtatshme. Në fakt, kjo i jep një fëmije pamje negative të vetes. Ai/ajo do të fillojë të mendojë se të tjerët nuk e duan ose është thjesht një person 'jo i mirë'.
Shuplaka ka tre të meta të tjera të mëdha.
Së pari, ekziston rreziku që ta lëndosh fëmijën.
Së dyti, i jep fëmijëve mesazhin se të qëllosh të tjerët është një mënyrë e mirë për të përballuar ndjenjat e forta.
Së treti, ndëshkimi fizik si shuplaka mund të çojë në probleme afatgjata në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve. Fëmijët që goditen mund të bëhen më agresivë se të tjerët. Ndërsa rriten, ata kanë më shumë shanse të zhvillojnë sjellje sfiduese, ankthin ose depresionin. Askush nuk e do këtë për fëmijën e tij!
Ka mënyra më të mira për t'i orientuar fëmijët drejt sjelljes së mirë.
Mënyra alternative si ta ndihmoni fëmijën që të sillet mirë!
Një nga mënyrat më të mira që prindërit të shmangin situata të tilla është t'i krijoni mundësi fëmijëve që të sillen mirë.
Së pari, krijo një marrëdhënie të dashur e të sigurt me fëmijën. Nëse fëmija e di, çdo ditë, se e duan dhe e vlerësojnë, ka më shumë të ngjarë të sillet në mënyra që të kënaqin.
Të kesh rregulla të qarta familjare është një hap i rëndësishëm. Rregullat i bëjnë të ditur fëmijës se çfarë sjellje pritet, duke parandaluar shumë probleme para se të fillojnë.
A ka mjaftueshëm aktivitete për të bërë fëmija yt? Shiko artikujt rreth lojërave për ide të thjeshta për ta mbajtur fëmijën të zënë, aktiv (në mënyra të pranueshme) dhe duke mësuar.
Gjithashtu, mund të planifikosh që më përpara të parandalosh problemet në situata ku fëmija ka prirjen të sillet në mënyra sfiduese. Për shembull, kur bëni pazar merreni fëmijën me vete, pasi ai/ajo ka fjetur dhe ka ngrënë.
Nëse fëmija juaj sillet në një mënyrë që nuk ju pëlqen, është ide e mirë të shikoni se çfarë po ndodh në mjedisin e fëmijës. A ka diçka që e shqetëson ose e acaron fëmijën? Për shembull, të gjithë janë të stresuar nga kufizimet e Covid-19. Te fëmijët më të vegjël, ndryshimi i mjedisit mund të nënkuptojë edhe thjesht heqjen e objekteve të thyeshme që mos t'i thoni 'jo' gjatë gjithë kohës.
Dhe ndonjëherë mjafton vetëm ta shpërqendrosh fëmijën në një situatë të vështirë për të pakësuar sjelljen jo të përshtatshme.
Tregoni fëmijëve pasojat e veprimeve të tyre
Fëmijët në moshë parashkollore mund të jenë mjaft të rritur për t'ju përgjigjur pasojave logjike të sjelljes së tyre negative - për shembull, nëse vajza juaj vazhdon të hedhë pallton e saj në dysheme në vend që ta veshë atë, ju nuk do të shkoni sot në park. Pasojat do të funksionojnë në terma afatgjatë vetëm kur t'i kombinoni ato me strategji pozitive për të inkurajuar sjelljen e mirë.
Kjo metodë nuk rekomandohet për fëmijët nën tre vjeç, sepse fëmijët më të vegjël nuk mund të kuptojnë se një pasojë ka ndodhur për shkak të diçkaje që kanë bërë.
Si mund të menaxhoni zhgënjimin, zemërimin dhe stresin: për prindërit
Menaxhimi i ndjenjave të tua është një pjesë e rëndësishme e krijimit të një mjedisi familjar të ngrohtë e të dashur, i cili e ndihmon fëmijën të sillet mirë.
Nëse mund t'i menaxhosh ndjenjat e tua të zemërimit ose të frustrimit në mënyra pozitive dhe të shëndetshme - për shembull, duke qëndruar i/e qetë, duke marrë frymë thellë ose duke u larguar me qetësi – i jep fëmijës tënd një shembull të madh se si të sillet.
Nëse ndihesh shumë i/e stresuar dhe i/e zemëruar dhe nuk di si t'i lehtësosh këto ndjenja, mund t'ia vlejë të shohësh disa strategji të menaxhimit të stresit dhe të zemërimit.
Dhe nëse ju vjen që të godisni fëmijën tuaj, mos e bëni, fillimisht vendoseni atë në një vend të sigurt – për shembull, në krevatin e tij/saj - ose kërkoni dikë tjetër që ta mbajë për një kohë të caktuar. Merrni pak kohë për të qëndruar jashtë derisa të qetësoheni. Përpiquni të ndërroni vend dhe të merrni frymë thellë ose mund të telefononi një pjesëtar të familjes apo një mik/e që të flisni.
Nëse ndiheni kështu shpesh, flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor ose kërkoni ndonjë burim tjetër mbështetje.
Nëse e keni të vështirë të menaxhoni sjelljen sfiduese të fëmijës, takoni mjekun e familjes ose telefononi një linjë telefonike për mbështetje dhe këshilla.