Si të ushqeni me gji foshnjën tuaj: ilustrim me foto
Si të ushqeni me gji foshnjën tuaj në ditët e para: kapja e gjirit e udhëhequr nga foshnja
Kapja e gjirit e udhëhequr nga foshnja është kur e lejoni fëmijën të fillojë vetë kapjen dhe thithjen e gjoksit tuaj. Shtrijeni foshnjen në mes të gjinjve tuaj, lëkurë me lëkurë, të mbështetur nga krahët tuaj. Përkuluni prapa në mënyrë që fëmija të mund të qëndrojë në gjoks pa mbështetje. Nëse qan, lëreni të thithë gishtin tuaj para se të filloni.
Lëreni fëmijën të lëvizë drejt thithës tuaj. Ndihmoni vetëm nëse ai/ajo ka nevojë. Ai/ajo mund të shtrihet në një kënd përgjatë trupit tuaj. Nëse keni pasur lindje me “prerje cezariane”, poziciononi këmbët dhe trupin e fëmijës në njërën anë, ku jastëku mund të mbështesë këmbët dhe shputat e tij/saj.
Kur foshnja është nën thithën tuaj, ai/ajo do të ngjeshë mjekrën e tij/saj në gji, do të hapë gojën shumë dhe do të kapë (thithë) gjoksin tuaj. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt.
Kur gjidhënia shkon mirë: kapja (thithja) e udhëhequr nga nëna
Kapja (thithja) e gjirit e udhëhequr nga nëna, është kur ju vetë e vendosni foshnjën në gji. Dora juaj mbështet shpinën dhe shpatullat e foshnjës (jo kokën), gjoksi i tij/saj duhet të prekë gjoksin tuaj. Hunda e tij/saj duhet të jetë përballë me thithën tuaj. Prekni hundën dhe buzët e tij/saj me thithën tuaj, në mënyrë që foshnja të hapë gojën shumë.
Vendoseni foshnjën tek gjiri juaj. Drejtojeni thithën tuaj drejt pjesës së sipërme të gojës së tij/saj. Mbështetni me dorën tuaj shpinën dhe shpatullat e tij/saj. Kur foshnja bën kapjen, një sasi e madhe e areolës së gjirit tuaj duhet të jetë brenda në gojën e tij/saj.
Si me thithjen e udhëhequr nga foshnja ashtu edhe atë të udhëhequr nga nëna, foshnja e ka kapur gjirin në mënyrën e duhur kur mjekra e tij/saj është puthitur në gjoks dhe hunda e tij/saj është e lirë. Buza e tij/saj e poshtme është e përveshur nga jashtë, faqet janë të rrumbullakosura dhe thitha juaj është në gojën e foshnjës. Ai/ajo në fillim do të thithë shpejt dhe më pas do të kalojë në thithje më të gjata ritmike.
Problemet e ushqyerjes me gji: çfarë duhet të bëni?
Kur foshnja juaj nuk është kapur mirë në gjirin tuaj dhe thith vetëm thithën, ushqyerja është e dhimbshme, thithat mund të lëndohen dhe foshnja juaj nuk do të mund të marrë qumësht të mjaftueshëm.
Nëse foshnja nuk është e ka kapur siç duhet gjirin tuaj, ndaloni. Ndaloni thithjen duke futur gishtin tuaj të vogël në cep të gojës së tij/saj, midis mishrave të dhëmbëve. Butësisht hiqeni atë nga gjoksi.
Fëmija juaj mund të ketë nevojë të gromësijë pasi të ushqehet me gji. Për ta bërë këtë, uleni në prehër ose mbajeni atë në supin tuaj, dhe butësisht përkëdhelini ose shtypini shpinën.