Siguria e diellit për foshnjat dhe fëmijët
Mbrojtja nga dielli: pse është e rëndësishme
Ekspozimi i tepërt në diell mund të çojë në djegie, dëmtim të lëkurës, dëmtim të syve, kancer të lëkurës dhe dobësim të sistemit imunitar.
Fëmija juaj ka nevojë për të marrë rreze dielli, me qëllim që të ndihmohet trupi për të fituar vitaminë D, e cila është e rëndësishme për forcimin e kockave dhe muskujve. Mirëpo duhet të kihet kujdes se sa shumë ekspozohet në diell lëkura e fëmijës suaj.
Mbrojtja nga dielli në periudha të ndryshme të vitit dhe të ditës
Mbrojtja e fëmijës nga rrezet e diellit ndryshon në periudha të ndryshme të vitit dhe në periudha të ndryshme të ditës. Kjo vjen për shkak se rrezatimi ultravjollcë (UV) ndryshon gjatë vitit në varësi të stinës.
Nivelet e rrezatimit UV janë më të larta midis orës 9 të mëngjesit dhe 4 pasdite, në varësi të vendit ku jeni dhe kohës së vitit. Fëmija juaj ka nevojë për mbrojtje nga dielli, nëse është ekspozuar në diell kur niveli i rrezatimit UV është 3 ose më i lartë.
Ju mund t’i kontrolloni nivelet e rrezatimit UV për zonën tuaj duke përdorur raportet meteorologjike për rrezatimin UV.
Në verë, është më mirë të dilni në oborr, të shkoni në parkun e lojërave ose në plazh herët në mëngjes dhe pasdite vonë.
Hija
Hijet të mbrojnë disi ty dhe fëmijën nga rrezet UV. Hija dense që krijon një hije të errët është më e mira.
Mirëpo rrezet UV mund të depërtojnë edhe në hije. Prandaj, edhe nëse je ulur në hije, sigurohu që ti dhe fëmija të vishni mjete mbrojtëse, duke përfshirë syzet e diellit dhe një kapelë me rreze të gjerë. Përdorni krem kundër diellit në çdo sipërfaqe të ekspozuar të lëkurës.
Nëse jeni duke përdorur karrocë fëmijësh, mbulojeni atë me një mbulese prej cope që e lejon ajrin të kalojë tek fëmija. Nga ana tjetër, disa karrocë fëmijësh i kanë pjesët e sipërme të lëvizshme, me çka mund të ofrojnë hije, përderisa pozicioni i diellit ndryshon.
Nëse nuk gjeni hije, përkujdesuni duke përdorur një çadër dielli. Mbani gjithmonë hije dritaresh në makinë për ti vendosur në dritaret anësore dhe për të mbrojtur fëmijën gjatë kohës që jeni duke ngarë makinën.
Ju mund të ekspozoheni ndaj rrezatimit UV edhe nëse nuk është një ditë me diell. Kjo do të thotë se mund të digjeni në një ditë me re ose të freskët, ose nëse dielli reflektohet nga ndërtesat, uji, rëra ose bora.
Veshjet mbrojtëse, kapele dhe syze dielli
Më poshtë janë paraqitur disa gjëra, për të cilat duhet të mendoni, kur kërkoni veshje mbrojtëse nga dielli për fëmijën tuaj:
- Pëlhura e thurur fort (e dendur) ndihmon për ta mbrojtur lëkurën e fëmijës nga dielli. Mbajeni pëlhurën lart në dritë për të parë sa shumë diell depërton. Nëse pëlhura lë shumë dritë të depërtojë, ndoshta do të lërë edhe shumë rreze UV të depërtojnë.
- Mëngët e gjata dhe pantallonat e gjata e mbulojnë më shumë lëkurën e fëmijës tuaj. Mëngët me gjatësi deri në bërryl dhe pantallonat e shkurtra deri në gjunjë, janë më të mira nëse është shumë nxehtë për veshje me gjatësi të plotë.
- Rrobebanjot dhe jelekët e shpëtimit janë një mënyrë e shkëlqyer për të mbrojtur fëmijën nga dielli kur ai është duke notuar ose duke bërë aktivitete të tjera ujore.
- Veshja e pambukut është më e freskët se veshja me përmbajtje poliestre.
- Rrobat e lehta janë më të freskëta.
Kërkoni për rroba që mbrojnë nga rrezet e diellit me një faktor mbrojtës ultravjollcë (UPF) 50+. Ky nivel i mundëson fëmijës mbrojtjen më të mirë të mundshme nga dielli.
Kapelet
Kapelja mbron fytyrën, qafën dhe veshët e fëmijës nga rrezet UV të diellit. Kapela në formë kove, kapela të gjera dhe legjionare ofrojnë mbrojtjen më të mirë. Beretat nuk janë të rekomanduara.
Për bebet, kërkoni një kapelë të butë në mënyrë që foshnja juaj të mund të shtrihet rehat ndërsa e mban atë në kokë. Rripat do të ndihmojnë për të mbajtur kapelen të fiksuar në kokën e foshnjës. Nëse rripat janë të gjatë, mund ti lidhni pas kokës së foshnjës, ose ti shkurtoni ato që të mos bëhen rrezik për mbytje.
Shumë foshnjave nuk u pëlqen të mbajnë kapele – vazhdoni të përpiqeni derisa përfundimisht kapelet të bëhen pjesë e rutinës së fëmijës tuaj.
Syze dielli
Mbajtja e syzeve të diellit, si edhe kapelja, mund t’i ndihmojë fëmijët të mbrojnë sytë. Kërkoni syze dielli të përshtatshme. Ekspozimi i zgjatur ndaj rrezeve UV është një faktor rreziku për zhvillimin e kataraktit (perde në sy).
Kontrolloni pozicionin, kapelën dhe veshjen e fëmijës tuaj rregullisht për t’u siguruar që ai të jetë jashtë rrezeve të drejtpërdrejta të diellit.
Krem për diell
Përdorni një faktor mbrojtës nga dielli (SPF) 30 ose më të lartë, me spektër të gjerë dhe rezistent ndaj ujit në fytyrë, duar dhe në çdo pjesë tjetër të lëkurës së fëmijës, që nuk mbulohet nga rrobat. Sigurohuni të përdorni shumë krem kundër diellit – shumë njerëz nuk përdorin mjaftueshëm, kështu që nuk e marrin mbrojtjen që u nevojitet.
Aplikojeni kremin kundër diellit të paktën 20 minuta para se të dilni jashtë dhe riaplikoni çdo dy orë, edhe nëse në tubet ose në shishe është shënuar çdo katër orë.
Sigurohuni që kremi i diellit të jetë brenda datës së përdorimit të tij, dhe ruajeni në një vend të freskët dhe në hije nën 30°C.
Mos harroni se kremi i diellit e filtron rrezatimin UV, por nuk e bllokon plotësisht atë. Duhet të kërkoni hije dhe ta veshni fëmijën me rroba që e mbrojnë nga dielli.
Kremi për diell dhe foshnjat
Nëse fëmija juaj është më pak se gjashtë muajsh, është më mirë të mos i vendosni rregullisht krem dielli – hijet, veshjet dhe kapelet janë mënyra më e rëndësishme për ta mbrojtur atë.
Kremrat kundër diellit të etiketuar “për foshnja” ose “të ndjeshëm” ka më pak të ngjarë të shkaktojnë irritim të lëkurës. Gjithmonë testoni kremin kundër diellit në një zonë të vogël të lëkurës së foshnjës suaj për të kontrolluar për ndonjë reaksion të lëkurës.
Modeli që duhet ndjekur
Ti je modeli më i rëndësishëm i fëmijës dhe fëmija kopjon atë që ti bën. Nëse merr vetë masa paraprake për t'u mbrojtur nga dielli, ka më shumë të ngjarë që edhe fëmija ta bëjë këtë.