Skarlatina (Ethet e kuqe)

Simptomat e skarlatinës përfshijnë skuqjen e kuqe me gunga, gjuhën e skuqur, dhimbje të fytit, gjëndra të fryra dhe temperaturë. Vizitoni mjekun tuaj nëse fëmija juaj ka simptoma të skarlatinës. Fëmija juaj ka nevojë për antibiotikë.
Body

Rreth skarlatinës (ethet e kuqe)

Skarlatina është një sëmundje e karakterizuar me skuqje tipike që mund të shfaqet kur një fëmijë është prekur nga një infeksion i shkaktuar nga bakteri Streptococcus pyogens (streptokoku i grupit A). Zakonisht është infeksion i fytit, por ndonjëherë mund të jetë edhe infeksion i lëkurës. Simptomat e skarlatinës zhvillohen kur bakteret lëshojnë toksina që përhapen në trupin e fëmijës.

Bakteret e streptokokut të grupit A mund të përhapen nga personi në person përmes teshtimës, kollitjes ose prekjes së plagëve të dikujt me infeksion të lëkurës.

Simptomat e skarlatinës

Fëmijët me skarlatinë kanë pothuajse gjithmonë:

  • dhimbje të fytit
  • skuqje
  • gjëndra limfatike të ndjeshme dhe të fryra në qafën e tyre
  • ethe
  • të vjella.

Skuqja

Skuqja duket si djegie nga dielli dhe ndjehet si letër gërryese. Zakonisht fillon në fytyrë ose qafë dhe përhapet në trup, krahë dhe këmbë. Nëse ushtrohet presion në lëkurën e skuqur, ajo do të bëhet e zbehtë.

Palosjet e lëkurës rreth ijeve, sqetullave, bërrylave, gjunjëve dhe qafës zakonisht bëhen më të kuqe sesa skuqja përreth.

Fytyra mund të duket e skuqur me një rreth të zbehtë përreth gojës.

Gjuha e fëmijëve gjithashtu mund të bëhet e kuqe e ndezur. Kjo ndonjëherë quhet "gjuhë luleshtrydhe".

Pasi infeksioni të jetë larguar, lëkura e fëmijëve mund të qërohet, zakonisht në majat e gishtërinjve të dorës dhe të këmbës së tyre.

Nëse fëmija juaj është i/e prekur nga skarlatina, ai/ajo mund të infektojë të tjerët vetëm 1-2 ditë pas marrjes së trajtimit të duhur. Por ai/ajo mund të infektojë të tjerët për 10-21 ditë nëse nuk merr trajtim.

A duhet fëmija juaj të vizitojë mjekun për skarlatinë?

Po. Ju duhet ta dërgoni fëmijën tuaj te mjeku nëse fëmija juaj shfaq simptoma të skarlatinës.

Analizat për skarlatinën

Mjeku juaj mund të bëjë një strisho fyti (marrjen e materialit qelizor nga lëkura, mukozat apo sekrecionet) për të vërtetuar nëse fëmija juaj ka infeksion Streptococcus pyogens.

Trajtimi për skarlatinë

Skarlatina duket dramatike, por zakonisht trajtohet lehtësisht me antibiotikë nga grupi i penicilinës. Nëse fëmija juaj është alergjik ndaj penicilinës, mjeku juaj do të përshkruajë një lloj tjetër antibiotiku.

Me trajtim, fëmijës tuaj zakonisht do t'i kalojë gjendja brenda 24-48 orëve.

Komplikimet nga skarlatina

Nëse nuk trajtohet, ky lloj infeksioni mund të shkaktojë komplikime të tilla si infeksioni i rëndë i Streptococcus pyogens, dhe ndonjëherë komplikime të mëvonshme si ethet reumatike dhe dëmtime të veshkave (glomerulonefriti).

Parandalimi i skarlatinës

Nuk ka vaksinim kundër skarlatinës.

Për të parandaluar përhapjen e baktereve të grupit A, ju, fëmija juaj dhe anëtarët e tjerë të familjes duhet t'i lani duart rregullisht me ujë të ngrohtë me sapun. Të gjithë duhet të përpiqeni të mos i prekni sytë, hundën dhe gojën gjithashtu.