Skuqja e zonës gjenitale nga pampersi

Skuqja e zonës gjenitale nga pampersi është e zakonshme dhe mund të ndodhë pavarësisht se sa me kujdes kujdeseni për zonën gjenitale të foshnjës suaj. Pothuajse të gjithë fëmijët që mbajnë pelena apo pampers mund të paraqesin një situatë të tillë në ndonjë fazë të foshnjërisë.
Body

Shkaqet e skuqjes së zonës gjenitale nga pampersi

Shumë shkaqe mund të kombinohen për të shkaktuar skuqje në zonën gjenitale nga pampersi.

Shkaku kryesor është mos ndërrimi i pampersit apo pelenave të lagura apo të ndotura me fece për shumë kohë. Lagështia e zgjatur, fërkimi dhe substancat e amoniakut që çlirohen nga lagështia mund të irritojnë lëkurën e fëmijës tuaj.

Pelenat plastike shpesh i bëjnë më keq skuqjet e zonës gjenitale nga pampersi, sepse ndalojnë qarkullimin e ajrit normalisht dhe e mbajnë zonën gjenitale të lagësht.

Gjithashtu, sapunët dhe detergjentët që mbeten në pelenat dhe rrobat pasi ato lahen, mund të ndihmojnë edhe në shtimin e skuqjes së zonës gjenitale.

Ndonjëherë fëmijët kanë edhe pathollogji të tjera si ekzema, psoriasis, etj. gjë që mund ta acarojë edhe më shumë skuqjen së zonës gjenitale.

Simptomat e skuqjes së zonës gjenitale nga pampersi 

Lëkura në pjesën gjenitale të fëmijës do të duket e kuqe dhe e dhimbshme. Disa zona të lëkurës mund të ngrihen ose të fryhen dhe mund të ketë çarje apo gërvishtje në lëkurë që quhen ulcera.

Skuqja mund të shkaktojë parehati dhe dhembje, gjë që mund ta acarojë foshnjën tuaj.

Kur duhet që ta vizitosh fëmijën tek mjeku për skuqjen në zonën gjenitale 

Duhet ta çosh fëmijën tek mjeku pediatër apo i familjes nëse:

  • skuqja nuk është përmirësuar pas një jave, edhe kur përdorni hapat e trajtimit si më poshtë
  • hfaqen flluska, kore ose puçrra
  • fëmija juaj është i mërzitur dhe nuk po fle
  • fëmija juaj ka temperaturë të pashpjegueshme
  • skuqja po përhapet
  • fundi i penisit të djalit tuaj është i kuq dhe i fryrë, ose ka një si pucër në të.

Trajtimi i skuqjes së zonës gjenitale nga pampersi  

Shpesh masat e thjeshta janë më të mirat. Zakonisht skuqja e pecetës do të bëhet më mirë ose do të largohet brenda pak ditësh nga zbatimi i hapave të mëposhtëm.

Ndërrojini shpesh pelenat ose pampersin e foshnjës 
Ndryshimet e shpeshta të pampersit e mbajnë zonën e gjenitale të thatë dhe i japin mundësi lëkurës së fëmijës që të shërohet. Kontrolloje fëmijën çdo orë e më shpesh për të parë nëse pelena apo pampersi i tij është i lagur apo i ndotur. Ndërroji pelenat apo pampersin e lagur ose të ndotur menjëherë. Pampersat që mund të përdoren vetëm një herë dhe pastaj hidhen janë më të mira për trajtimin e skuqjes së zonës gjenitale nga pampersi, sepse thithin më shumë lagështi.

Lëre foshnjën tënde që të ajroset sa më shumë gjatë ditës në zonën gjenitale  
Lëreni fëmijën tuaj pa pampers apo pelena në zonën gjenitale sa më shumë që të mundeni çdo ditë që të ajroset zona gjenitale. Ju mund ta lini foshnjën të shtrirë në një pelenë të hapur ose në një peshqir (lakuriq nga beli e poshtë) edhe kur ajo është duke fjetur. Gjithashtu, mund të provosh ta lidhësh pelenën apo pampersin e saj lirshëm, për të lejuar ajrin që të qarkullojë lirisht.

Pastroje lëkurën e foshnjës 
Përdorni ujë të vakët dhe pambuk ose një garzë të lehtë pambuku për të larë butësisht lëkurën e foshnjës pas çdo ndryshimi të pecetës.

Shmangni përdorimin e letrave të njoma që mund të përdoren njëherë dhe të hidhen, sepse ato mund të irritojnë lëkurën e foshnjës suaj dhe disa foshnja mund të jenë alergjike ndaj substancave që gjenden në to.

Kur e lani foshnjën, përdorni një sapun të butë dhe shmangni banjat me flluska. Pas larjes, thajeni lëkurën e foshnjës dhe aplikoni një krem hidratues të thjeshtë.

Përdorni një krem mbrojtës të përshtatshëm pas çdo ndryshimi të pelenës apo pampersit 
Apliko një krem të thjeshtë dhe të lirë që do të shërbejë si një barrierë në çdo ndryshim pelene apo pampersi. Kremrat që shërbejnë si barrierë përfshijnë zink dhe vaj kastori ose Vaseline. Këto kremra mund t'i merrni nga supermarketi ose farmacia pa recetë. Vendoseni kremin në mënyrë të trashë për të ndaluar që të çarat ose puçrat që të prekin lëkurën e foshnjës suaj. Nëse jeni duke e vënë atë mjaft trashë, ju ende do të jeni në gjendje për të parë një pjesë të kremit edhe në ndërrimin e ardhshëm të pampersit.

Pluhurat me bazë talku nuk rekomandohen për trajtimin e skuqjes së zonës gjenitale nga pampersi. Nëse një foshnjë merr frymë aksidentalisht nga kutia me pudër talku atëherë kjo mund të shkaktojë vështirësi në frymëmarrje.

Ilaçet 
Për skuqje të rënda të zonës gjenitale nga pampersi apo pelena që nuk do të zhduken me masa të thjeshta, mjeku juaj mund të rekomandojë përdorimin e kremrave kortikosteroide ose të pomadave me hidrokortisone 1%. Mjeku mund të rekomandojë edhe kremërat që përmbajnë ilaçe antibakterialë dhe antifungalë. 

Parandalimi i skuqjes së zonës gjenitale nga pampersi

Mbajeni gjithmonë të pastër dhe të thatë zonën gjenitale së fëmijës tuaj. Ndërroje shpesh pelenën apo pampersin e fëmijës tuaj dhe lëreni sa më shpesh që të mundeni në ajër që të ajroset zona gjenitale.

Kremrat mbrojtës me Vaseline ose zinc dhe vaj kastori mund të ndihmojnë për të mbajtur lëkurën e fëmijës tuaj në gjendje të mirë.