Të menduarit dhe loja: për foshnjat

Që në lindje, truri i foshnjes suaj punon fuqishëm, pasi fëmija krijon kuptim për botën dhe veten. Edhe kur duket si një lojë e thjeshtë, fëmija juaj mëson gjatë gjithë kohës. Këtu janë dhënë ide të thjeshta dhe argëtuese të lojës për të mbështetur zhvillimin konjitiv të foshnjes suaj.
Body

Rreth lojës së foshnjes dhe zhvillimit njohës

Foshnjat janë “nxënës” aktivë dhe kureshtarë, të zënë me shikimin, me të menduarit dhe me përpjekjen për t’i rregulluar gjërat. Ata mësojnë dhe rriten përmes përvojave të reja, veçanërisht përvojave të reja të lojës.

Përmes lojës, foshnjat zhvillojnë aftësitë për të menduar, kuptuar, komunikuar, kujtuar, imagjinuar dhe punuar se çfarë mund të ndodhë më pas. Këto aftësi janë të gjitha pjesë e zhvillimit njohës të foshnjes suaj.

Për foshnjat, loja ka të bëjë kryesisht me ndërveprimet e vazhdueshme edhe gjatë rutinës me ju. Kur ndërveproni me foshnjen gjatë lojës, i jepni fëmijës tuaj informacion të rëndësishëm, që ai/ajo e përdor për të kuptuar botën. Për shembull, një lojë e thjeshtë si në rastet që mbuloni fytyrën tuaj me duar dhe më pas e zbuloni atë duke treguar entuziazëm (peekaboo) e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë se kur nëna/babai humbet nga shikimi, dhe kur ai/ajo kthehet përsëri.

Çfarë duhet të presësh: zhvillimi njohës i foshnjes

Fëmija juaj ka të ngjarë:

  • t’i shikojë gjërat kur i emërtoni, diku rreth moshës tetë muajshe.
  • të flasë me ju përmes “gugatjes” dhe të presë që ju t'i përgjigjeni.
  • të magjepset nga fëmijët më të mëdhenj.
  • të shijojë lojërat e përsëritura dhe do të dëgjojë të njëjtën histori pa pushim.
  • të njohë njerëzit që ai/ajo i sheh të paktën një herë në javë.
  • t’u përgjigjet shprehjeve tuaja të fytyrës - për shembull, nëse fëmija juaj e sheh një lodër të re dhe ju buzëqeshni, kjo i thotë atij/asaj se lodra është e sigurt dhe argëtuese.
  • të eksplorojë objekte të reja duke i vënë ato në gojën e tij/saj.

Nga 8-12 muaj, fëmija juaj mund të duket sikur po eksperimenton gjatë lojës. Për shembull, ai/ajo mund ta hedhë një tas drejt dyshemesë dhe të shikojë se si bie ose të hedhë lodra në mur për të kuptuar se si funksionojnë gjërat. Ai/ajo do t’i testojë të gjitha lodrat dhe çdo objekt brenda mundësive - gotat, pjatat dhe të tjera objekte.

Kjo nuk është diçka e keqe. Fëmija juaj mëson për shkakun dhe pasojën - domethënë, “Nëse e bëj këtë, do të ndodhë kjo gjë”. Nuk është për t’u habitur që fëmija juaj kënaqet të luajë me lodrat shkak-pasojë – që do të thotë se ai/ajo mund të shtypë një buton dhe diçka do të ndodhë.

Nëse fëmija juaj ka shumë mundësi për ta provuar mjedisin, ai/ajo ka mundësinë të mësojë gjithnjë e më shumë çdo ditë. Nëse krijoni një mjedis të sigurt dhe mbikëqyrni gjithmonë fëmijën tuaj, ai/ajo mund të eksplorojë dhe të mësojë i/e lirë.

Disa ide për lojëra që nxitin zhvillimin konjitiv të foshnjes

Në 3-6 muaj

Këtu janë dhënë disa ide argëtuese dhe të thjeshta për lojëra për ju dhe fëmijën tuaj:

  • Lexoni libra, këndoni këngë dhe recitoni së bashku vjersha dhe ninulla. Foshnjave u pëlqejnë librat prej pëlhure me tekstura të ndryshme, por edhe kapëset dhe kukullat.
  • Mësojeni fëmijën tuaj se si t’i mbajë, lëshojë dhe rrotullisë topat e ndryshëm. Kjo e ndihmon fëmijën tuaj të mësojë se si lëvizin gjërat.
  • Luani me zhurma, zile dhe lodra të tjera që bëjnë zhurmë.
  • Vendosni lodra rreth foshnjes tuaj për ta inkurajuar atë që të lëvizë.

Në 6-12 muaj

Në këtë moshë, ju dhe foshnja juaj mund të eksploroni më shumë mënyra për të luajtur:

  • Siguroni shumë lodra zbavitëse në kohën e banjës për zhytje, matje dhe lundrim. Shishet plastike të qumështit dhe ambalazhet e ushqimit funksionojnë njësoj si lodrat e blera në dyqane.
  • Jepini fëmijës tuaj lodra që e lejojnë të shtypë një buton për të bërë diçka të ndodhë, ose provoni aktivitete si tundja ose goditja e objekteve.
  • Luani me blloqe grumbullimi dhe lodra që fëmija juaj mund t’i rrotullisë ose t’i shtyjë në dysheme.
  • Kur lexoni me fëmijën tuaj, përdorni zëra të ndryshëm për personazhe të ndryshëm ose bëni tingujt e kafshëve të ndryshme.

Ju mund t’i jepni fëmijës suaj disa mundësi loje për të zgjedhur, por mos e mbingarkoni atë me shumë. Jepini kohë që të zgjedhë atë që dëshiron të bëjë.

Po ashtu është mirë të tërhiqeni dhe t’i jepni fëmijës suaj shansin që t’i zgjidhë gjërat vetë. Ju ende mund të ndihmoni në mësimin e foshnjes suaj duke e përshkruar atë që ai/ajo po bën. Për shembull, “Kjo tenxhere bën një zhurmë të madhe kur e godet!”

Po kështu është mirë t’i përgjigjeni interesave të foshnjes suaj dhe ta ndani kënaqësinë e tij/saj kur zbulon gjëra të reja, sado të vogla që mund të duken. Për shembull, “Uau! Shiko se si varka e vogël e kuqe noton në banjën tënde".

Të gjithë foshnjat janë unike dhe zhvillohen me ritmin e tyre. Nëse jeni të shqetësuar për ndonjë aspekt të zhvillimit të fëmijës suaj, është një ide e mirë që të vizitoni infermieren e shëndetit të fëmijës ose familjes ose mjekun e përgjithshëm. Nëse fëmija juaj shkon në një shërbim të edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme, ju gjithashtu mund të flisni me edukatorët e fëmijës tuaj.