Ulçera në gojë
Rreth ulçerave në gojë
Ulçerat në gojë janë varrë të vogla që dalin brenda gojës, në gjuhë ose në mishrat e dhëmbëve.
Në vijim paraqiten disa gjëra që mund të shkaktojnë ulçera në gojë:
- infeksionet virale si ulçerat nga ftohja ose sëmundjet e duarve, këmbëve dhe gojës
- mëllenja orale
- lëndime si kafshimi, djegiet ose fërkimi nga protezat e dhëmbëve
- nivelet e ulëta të vitaminave
- sëmundje si sëmundja koeliake ose sëmundja inflamatore e zorrëve.
- shumë rrallë këto ulçera janë shenjë e numrit të ulët të qelizave të bardha të gjakut (të quajtura leukocite).
Ndonjëherë ulçerat vazhdojnë të shfaqen pa ndonjë shkak të dukshëm.
Simptomat e ulçerave në gojë
Ulçerat në gojë zakonisht duken si varrë të rrumbullakëta, të bardha në pjesën e brendshme të gojës së fëmijës suaj ose në sipërfaqen e mishrave të dhëmbëve ose gjuhës së fëmijës suaj.
Këto varra mund të jenë të dhimbshme, veçanërisht kur fëmija juaj ha ushqime të kripura ose pikante. Ndonjëherë fëmija juaj madje mund të refuzojë ushqimin derisa ulçerat të fillojnë të shërohen.
Nëse ulçerat po shkaktohen nga ndonjë infeksion, fëmija juaj mund të ketë gjithashtu temperaturë.
A ka nevojë fëmija juaj të vizitojë mjekun për ulçerat e gojës?
Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë ulçera të lidhura me ndonjë infeksion në gojë, është mirë të vizitoni mjekun.
Ju duhet të vizitoni mjekun urgjentisht nëse fëmija juaj zhvillon ulçera të rënda në gojë me simptoma të sëmundjes së përgjithshme si p.sh:
- humbje peshe
- dhimbje stomaku
- ethe të pashpjegueshme
- gjak ose mukozë në jashtëqitje
- ngurtësim të qafës dhe lodhje
- ulçerë rreth anusit.
- kur vërehen ulçera në gojë tek foshnjat më të vogla se 3 muajsh.
Kjo është për shkak se ulçerat në gojë ndonjëherë mund të shkaktohen nga sëmundja koeliake ose sëmundja inflamatore e zorrëve.
Trajtimi i ulçerave në gojë
Ulçerat e thjeshta në gojë zakonisht nuk kanë nevojë për trajtim dhe largohen brenda një jave.
Nëse fëmija juaj ka dhimbje, mund të provoni të aplikoni një xhel për anestezi në gojë në këtë zonë. Këtë lloj xheli për gojën mund ta blini pa recetë në farmaci. Ju gjithashtu mund të provoni shpëlarje të gojës me ujë të ngrohtë me kripë nëse fëmija juaj është mjaftueshëm i/e rritur për të shpëlarë ose bërë gargare me lëngje.
Inkurajoni fëmijën tuaj të marrë lëngje të mjaftueshme duke i ofruar gllënka të vogla e të shpeshta të ujit. Kjo do të ndihmojë në parandalimin e dehidratimit.
Ekzistojnë trajtime specifike për infeksionet e gojës të shkaktuara nga mëllenja dhe virusi i ftohjes. Mjeku juaj do t'ju njoftojë për këto trajtime nëse fëmija juaj ka nevojë për to.